Pellumb Elmazi (Foto personale)
Këngëtari i njohur i muzikës shqiptare Pëllumb Elmazi ka një karrierë të gjatë në skenë me këngën, ku ka marrë pjesë në më shumë se 18 festivale të këngës në RTSH. Ai është larguar nga Shqipëria në vitin 1997 dhe prej 27 vitesh jeton me familjen në SHBA. Jeta në emigrim ka bërë që ai të jetë më kërkues ndaj vetes, ndërsa atdheu i jep frymëmarrrjen për të parë çdo gjë me syrin real, me këmbë në tokë, pa kaluar në eufori. Rikthehet në atdhe çdo vit për t’u çmallur me vendlindjen, por dhe për të takur miqtë dhe familjarët e tij. Gjithashtu pushimeve në Shqipëri ai mundohet të jetë i pranishëm në aktivitete të ndryshme muzikore, duke performuar për publikun e tij të dashur. Në një intervistë për Radio Ejani Pëllumb Elmazi tregon për emigrimin e tij në SHBA, aktivitetet muzikore dhe projektet në vazhdim.
Pellumb Elmazi me familjen (Foto personale)
CMG: Keni 27 vite që jeni larguar nga Shqipëria dhe jetoni në SHBA. Si e kujtoni largimin nga atdheu?
Pëllumb Elmazi: Unë kam qenë këngëtar profesionist i Estradës së Korçës prej vitit 1982 deri në vitin 1992. Pas vitit 1992 u mora me biznes privat deri në vitin 1997 kur u largova për në SHBA. Bashkëshortja ime fitoi llotarinë amerikane, dhe duke qenë se viti 1997 ishte tepër i vështirë për shqiptarët, ky ishte një fat i madh për familjen time. Në vitin 1997 shkova në Nju Jork dhe kam jetuar atje prej 18 vitesh. Prej vitit 1997 dhe deri tani janë 27 vjet, ndërsa prej 8-9 vitesh jetoj në Florida të SHBA-së.
CMG: Si ishte integrimi juaj në fillim në kontinentin e largët amerikan?
Pëllumb Elmazi: Sigurisht që me biznesin privat që bëra në Shqipëri nga viti 1992 deri në vitin 1996, meqë nuk shkoi mirë unë humba gjithçka. Kështu që ishte tepër e vështirë për mua dhe familjen time kur shkova në SHBA, sepse isha i detyruar që të punoja fort me bashkëshorten dhe fëmijët, të cilët ishin dhe në shkollë dhe mbasditeve punonin fort si ndihmës kamarier, kamarier dhe më vonë ndërtuan jetën e tyre. Ata sot janë të martuar dhe kanë nga dy fëmijë. Pra unë jam gjysh me gjashtë nipër dhe mbesa, katër vajza dhe dy djem.
Pellumb Elmazi me mbesen e tij (Foto personale)
CMG: Cili ka qenë angazhimi juaj me punë në SHBA gjatë këtyre viteve të emigrimit?
Pëllumb Elmazi: Mendoj se në SHBA, ose dhe në ndonjë vend tjetër kudo që të shkosh emigrant është tepër e vështirë, sepse ti shkon në një vend tjetër të cilin nuk e njeh dhe nuk di gjuhën. Bashkëshortja dhe fëmijët e dinin pak gjuhën, por ne nuk dinin të flisnim anglisht dhe ishte e vështirë për t’u pështatur, por unë personalisht pasi fillova punë në një kompani grafike, ku punova për tetë vjet, paralelisht fillova dhe shkollën në “American Language Communication Center” për tre vjet, ku fillova nga niveli zero dhe deri në nivelin e tetë. Ky është një institut për gjuhën me pagesë dhe prej asaj kohe e kisha më të lehtë për të punuar, por dhe për të gjetur dhe një punë tjetër. Kështu që pas tetë vitesh në kompaninë grafike e cila u mbyll sepse filloi koha digjitale, isha i detyruar të ndërroja punë. Më vonë kalova si supervizor për transportin në aeroportin e Nju Jorkut për 11 vjet, ku kam kaluar shumë bukur. Më vonë kam shkuar në Florida, ku pas një viti dola në pension.
Pellumb Elmazi ne skenen e festivalit gjate viteve 80-te (Foto personale)
CMG: Si ka qenë raporti juaj me muzikën gjatë viteve të emigrimit në SHBA, ku ju keni realizuar dhe një album muzikor?
Pëllumb Elmazi: Kënga ka qenë dhe mbetet një nga pasionet e mia të përjetshme, dhe unë nuk do ta le kurrë skenën. Mirëpo në vitet e para kur kam shkuar në SHBA sigurisht që ishte e vështirë, sepse unë ju përkushtova punës dhe nuk kisha mundësi që të vazhdoja këngën. Mbas disa vitesh kur kisha mundësi dhe duke ditur që në Nju Jork kishte artistë shqiptarë, siç ishte Edi Xhani, një kitarist i mrekullueshëm dhe Ilir Dangëllia një kompozitor dhe instrumentist shumë i mirë, me një orkestër të tyren shumë të mirë dhe të njohur, vendosa që në vitin 2010 të bëja një album me ndihmën e Edi Xhanit, duke i inçizuar këngët në një studio amerikane në Nju Xhersi. Këngët ishin një pjesë që unë i kisha kënduar dikur, por dhe këngë të reja, ku mund të veçoja këngën e Ilir Dangëllisë “Kur të më mungosh ti”, e cila për mua është një nga këngët e bukura, siç mund të jetë dhe kënga e Luan Zhegut “Malli për Korçën” me tekst të Jorgo Papingjit, një këngë vërtetë e mrekullueshme. Edhe kënga e Ilir Dangëllisë ka një tekst shumë të mire, të shkruar nga poetja Irma Kurti. Gjithashtu janë dhe këngë të tjera si “Kënga e nënës” e kompozuar nga Edi Xhani dhe me tekst të tij, e cila për mua mbetet një nga këngët e bukura të këtij albumi. Gjithashtu albumi përmban dhe këngë të tjera amerikane të Tom Jones si dhe disa këngë të njohura botërore.
CMG: Këtë album muzikor e promovuat dhe në Shqipëri?
Pëllumb Elmazi: Pasi e realizova këtë album erdha në Shqipëri për ta promovuar, ku kam patur dy dalje në televizon, RTSH dhe Vizion Plus. Në këtë album ka dhe këngë me motive popullore, siç është kënga e Zares apo këngë vlonjate dhe disa këngë të tjera.
Pellumb Elmazi me poetin Arben Duka (Foto personale)
CMG: Keni ardhur çdo vit për pushime në Shqipëri, por këtë herë riktheheni më gjatë dhe keni marrë pjesë në disa aktivitete muzikore.
Pëllumb Elmazi: Unë para disa vitesh kam dalë në pension dhe vij shpesh në Shqipëri me bashkëshorten, duke qëndruar disa muaj. Ndërkohë mundohem që të aktivizohem edhe këtu në Shqipëri me këngën, ku para tre vjetësh në koncertin e vitit të ri të TV News 24 kam kënduar këngën “Gëzuar” në duet me këngëtarin e mirënjohur dhe mikun tim Kozma Dushi, një këngë e kompozuar nga Valentin Veizi dhe me tekst të Arben Dukës. Gjithashtu kam marrë pjesë dhe në festivalin e këngës shqiptare që organizohet nga mjeshtri Gjergj Leka, një festival i mrekullueshëm për të promovuar këngën shqiptare, melodinë dhe tekstin e bukur. Gjatë qëndrimit në Shqipëri jam aktivizuar nëpër koncerte në qytete të ndryshme, si në Gjirokastër, Tepelenë, Ersekë, Durrës dhe shumë qytete të tjera të vendit.
Pellumb Elmazi me Valentin Veizin dhe Kozma Dushin (Foto personale)
CMG: Si ju ka pritur publiku në këto koncerte?
Pëllumb Elmazi: Me thënë të drejtën pjesëmarrja në këto koncerte më ka dhënë një kënaqësi të jashtëzakonshme, sepse njerëzit pothuajse më kishin harruar dhe takimet që kam bërë me ta mbas koncertit kanë qenë të bukura, ata kanë shprehur fjalë të mrekullueshme për mua. Kjo është një kënaqësi e madhe, e cila më bën që të vazhdoj të këndoj përsëri në skenë.
Pellumb Elmazi me Sherif Merdanin (Foto personale)
CMG: Prej vitesh i larguar nga Shqipëria, por kontaktet me miqtë e vjetër i keni ruajtur dhe besoj se sa herë vini këtu takoheni me njëri-tjetrin?
Pëllumb Elmazi: Sa herë që vij në Shqipëri është një kënaqësi për mua që takohem me miqtë e mi të vjetër. Unë kam shokë dhe shoqe të brezit tim, të cilët i takoj sa herë vij këtu. Kam miqësi me Kozma Dushin, dhe pothuajse takohemi çdo ditë sepse është një miqësi 46 vjeçare, të cilën e kemi ruajtur dhe do ta ruajmë. Gjithashtu kam dhe miq të tjerë, si Luan Zhegu dhe Bashkim Alibali, këngëtare si Alida Hisku, Liljana Kondakçi, Jolanda Dhamo, ku kemi bërë dhe koncerte bashkë këto kohë, jemi çmallur sepse kemi kaluar shumë bukur në kohën kur ne vinim nëpër festivale. Këto takime me miqtë e mi janë të paharrueshme.
Pellumb Elmazi me Kozma Dushin (Foto personale)
CMG: Jeni vërtetë një brez i artë këngëtarësh që keni dhënë një kontribut të vyer në muzikën shqiptare. Mendoni se është zbehur pak kohët e fundit nga brezi i ri pëlqimi për muzikën e mirëfilltë shqiptare?
Pëllumb Elmazi: Së pari dua të them që kënga është një poezi, e cila këndohet me melodi. Ne këtë kemi bërë në ato festivale ku kemi marrë pjesë, ku kishim kompozitorë dhe poetë të mrekullueshëm të cilët nuk lejonin që të këndoje dhe mos të dëgjoje asnjë gjë, të mos dëgjohet kënga apo poezia, pra një këngë e cila nuk ka melodi. Unë shoh tani që dëgjon një këngë, por nuk kupton asgjë nga teksti, nuk kupton se çfarë thotë këngëtari ose një melodi, e cila nuk i përket traditës së këngës shqiptare. Kemi dalë pak nga shtrati i këngëve të bukura dhe tradicionale të festivaleve tona.
Pellumb Elmazi me Liljana Kondakci dhe Kozma Dushi (Foto personale)
CMG: Sa ju mungon vendlindja, Korça e bukur ku keni lindur, rritur dhe keni hedhur hapat e para në muzikë?
Pëllumb Elmazi: Kur vjen në Shqipëri sigurisht që shikon ndryshime të mëdha, si në Tiranë ashtu dhe në qytetet e tjera. Unë shikoj ndryshime shumë të mira dhe në qytetin tim të Korçës, ku çdo gjë pothuajse ka ndryshuar, gjërat janë më të bukura, rrugët të sjellin një kënaqësi kur shëtit. Kënaqësia ime është që të paktën kur shkoj në Korçë kam miqtë dhe njerëzit e mi që i takoj dhe ndjej kënaqësi për zhvillimet që ka marrë qyteti i Korçës sepse është një qytet i mrekullueshëm.
Pellumb Elmazi me Vladimir Kotanin dhe Kozma Dushin (Foto personale)
CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në vazhdim?
Pëllumb Elmazi: Unë do mundohem që të marr pjesë në disa aktivitete këtu në Shqipëri, por sigurisht që duhet krijimtaria. Një nga shtytësit e mi këto kohë ka qenë kompozitori Vladimir Kotani, i cili është mjeshtër i madh dhe kompozitor që ka lënë gjurmë në historinë e këngës shqiptare. Ai është në kontakt me mua në çdo moment dhe para disa muajsh kishim një krijim të cilin e kemi bërë sëbashku, që do ta paraqesim në ndonjë aktivitet. Gjithashtu kam dhe një tjetër nismë me këngëtaren Liljana Kondakçi, një kolazh me serenata korçare të cilat nuk janë shumë të dëgjuara dhe mendoj se do të jetë shumë i bukur.
Intervistoi: Gazmend Agaj