Konferenca Qendrore e Punës Ekonomike e Kinës, që do të zhvillohet së shpejti dhe që ndiqet me vëmendje nga investitorët, mund të fokusohet në diskutime që i japin përparësi zhvillimit, zgjerimit të kërkesës së brendshme dhe parandalimit e zbutjes së rreziqeve në vitin e ardhshëm, siç mund të kuptohet nga një mbledhje e zhvilluar së fundmi.
Foto:VCG
Byroja Politike e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) zhvilloi një mbledhje të premten e kaluar lidhur me punën ekonomike në vitin 2024 dhe çështjet parësore përkatëse që pritet të pasqyrohen në konferencën qendrore vjetore për punën ekonomike të kësaj jave.
Sipas mbledhjes, politikëbërësit kinezë do të vazhdojnë të zbatojnë politika fiskale proaktive e politika të matura monetare dhe të mbështesin inovacionin teknologjik.
Një numër institucionesh financiare ndërkombëtare, duke përfshirë UBS dhe "Goldman Sachs", janë shprehur optimiste për perspektivën e rritjes ekonomike të Kinës për vitin 2024, pasi ato besojnë se konsumi i brendshëm do të vazhdojë të rimëkëmbet, investimet do të vazhdojnë të rriten dhe eksportet do të përmirësohen.
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon që ekonomia kineze do të rritet 5.4% dhe 4.6% përkatësisht sivjet dhe vitin e ardhshëm. Sipas UBS-it, rritja do të jetë 5.2% e 4.4%, ndërsa "Goldman Sachs" parasheh një rritje 5.3 % këtë vit dhe 4.8 % më 2024.
“Politikat fiskale proaktive duhet të forcohen e përmirësohen në mënyrën e duhur në cilësi dhe efikasitet, ndërsa politikat e matura monetare duhet të jenë elastike, të përshtatshme, të sakta dhe efektive”, u vu në dukje në mbledhjen e së premtes.
Foto:VCG
Qeveria qendrore kineze njoftoi në tetor se do të hedhë në treg 1 trilion juanë (rreth 140 miliardë dollarë) bono qeveritare shtesë, gjysma e të cilave do t'u transferohen pushteteve vendore këtë vit dhe 500 miliardë juanë të tjerë do të përdoren vitin tjetër. Si rezultat, raporti i deficitit ndaj PBB-së u rrit nga 3% në 3.8% për vitin 2023.
Kina mund të rrisë raportin e deficitit buxhetor vitin e ardhshëm për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike, sepse ka ende hapësirë që qeveria qendrore të nxjerrë më shumë bono, tha z. Wang Yiming, një këshilltar politikash në bankën qendrore.
Sipas analizës së UBS-it, në konferencën qendrore të punës ekonomike mund të theksohet nevoja për të përshpejtuar shpërndarjen dhe përdorimin më të mirë të bonove të veçanta qeveritare, dhe shpenzimet fiskale do të drejtohen më shumë në fusha që lidhen me çështjet shoqërore dhe jetesën e banorëve.
UBS-i vuri në dukje gjithashtu se nuk ka gjasa që qeveria qendrore të japë subvencione të drejtpërdrejta për të ardhurat dhe/ose kuponë konsumi në shkallë të gjerë. Kjo bankë investimesh parashikon gjithashtu që qeveria kineze do të vendosë një objektiv të deficitit buxhetor prej 3.5-3.8 % në marsin e vitit të ardhshëm.
Për sa i përket politikës monetare, UBS-i mendon që banka qendrore do të ulë normën e interesit të politikave në kuadër të mekanizmit të huadhënies afatmesme me 10-20 pikë bazë të tjera dhe normën e rezervës së detyruar me 25 pikë bazë vitin e ardhshëm, teksa rritja e kredisë pritet të mbetet në një nivel të qëndrueshëm prej 9.5 % në vitin 2024.
Foto:VCG
Bankat mund të rrisin mbështetjen me kredi për ndërmarrjet e kualifikuara të pasurive të paluajtshme në "listën e bardhë", por mund të mbeten të kujdesshme në lidhje me dhënien e kredive të kapitalit qarkullues në shkallë të gjerë, sipas UBS-it. Pritet që rënia e aktiviteteve të pasurive të paluajtshme të zvogëlohet në vitin 2024, kështu që ndikimet negative të saj ndaj rritjes ekonomike do të dobësohen.
"Goldman Sachs" beson se, me mbështetjen e politikave fiskale dhe monetare, ritmi i rritjes së prodhimit të Kinës dhe investimeve në infrastrukturë pritet të përshpejtohet në vitin 2024. Ndërsa, UBS-i mendon se në prodhim, investimet që lidhen me transformimin e gjelbër do të mbeten të forta.
UBS-i analizon gjithashtu se investimet në energjinë e re, parandalimin e përmbytjeve dhe projekte të tjera të administrimit të ujit, rrjetet e transportit ndërqytetës, shërbimet dhe objektet publike kanë potencial të madh rritjeje.
"Ne duhet të udhëheqim ndërtimin e një sistemi industrial modern me inovacion teknologjik dhe të rrisim qëndrueshmërinë dhe sigurinë e zinxhirëve industrialë e të furnizimit," u shtua në mbledhjen e Byrosë Politike.
Në vitin 2024, industritë e teknologjisë që lidhen me energjinë e re, inteligjenca artificiale, bioprodhimi, sektorët e gjelbër e me lëshim të ulët karboni, si dhe informatika kuantike, do të jenë ende parësi kryesore për zhvillimin, sipas kompanisë "Soochow Securities".(Zhang Yan/Artan)