Arbër Krasniqi është kantautor mjaft i njohur në Kosovë.Ai ka studiuar për gjuhën Angleze dhe punon në arsim, në ATV dhe studion e tij ‘Lost Sound Studio”, ku kompozon këngë, muzikë filmi dhe teatri. Ai si kompozitor ka realizuar muzikë të filmave dhe teatrit. Arbri ka kompozuar gjithashtu edhe këngë për filma të prodhimit amerikan si “My Secret War”, etj, po ashtu ka bërë muzikën edhe për filmin dokumentar “House No.57”. Është angazhuar me grupin e të rinjve ‘Nfron’, ku së bashku kanë sjellë këngën “I abuzuar”, si dhe ka realizuar shumë këngë për artistë të ndryshëm, ndër to është së fundi krijimtaria e tij e vlerësuar në Festivalin e parë të Këngës në RTK. Kënga “Mendoj ku je” e kënduar nga Saranda Alija, mori vlerësimin maksimal, çmimin nga vetë artistët profesionistë të orkestrës në atë festival, pra “Çmimi i Orkestrës”. Përveç krijimtarisë muzikore ai është mësues i muzikës dhe i gjuhës Angleze, interpreton live nëpër mbrëmje muzikore, por interpreton gjithashtu në një studio televizive. Në luftë me kohën ai di të menaxhojë gjithçka më së miri, duke i kushtuar kohë cilësore edhe familjes së tij. Në intervistë për Radio Ejani, Arbër Krasniqi na rrëfen për jetën e tij artistike, por edhe planet që ai ka për të ardhmen.
CMG: Kohët e fundit ke qenë mjaft i ngarkuar, si me mësimdhënien, interpretimet ‘live’ për publikun, por edhe me interpretime të ndryshme në studio televizive. Na trego më tepër rreth këtyre impenjimeve ...
Arbër Krasniqi: Ditën e kam shumë të ngarkuar pasi punoj paradite si mësimdhënës i gjuhës angleze, ndërsa pasditet i kam të zëna si muzikant i një emisioni televiziv, e mbrëmjeve shpeshherë performoj në evente të ndryshme si edhe kompozitor në studio. Gjithsesi mbetet gjithmonë dëshira për të përkrahur familjen, por edhe për të ndjekur ëndrrat e mia.
CMG: Ku ndjehesh më mirë, kur jep mësim, kur interpreton për publikun, apo kur krijon?
Arbër Krasniqi: Kjo është një pyetje shumë interesante për mua pasi të gjitha këto përmbushin njëra- tjetrën. Si puna e lojës kur del në nivele të ndryshme gjatë ditës me fëmijët është një angazhim tejet i këndshëm dhe me atmosferë shumë pozitive ku mësojmë edhe gjuhën angleze, por gjithashtu edhe orët e muzikës, i mbajmë në kabinetin e muzikës ku janë të gjitha instrumentat muzikore duke filluar prej baterive, pianos, kitarrës, etj. Pas kësaj fillon sfida tjetër ku kthehem në shtëpi për të qëndruar rreth 2-3 orë me familjen e duke u argëtuar me fëmijët e mi, Mentorin edhe Janën. Mundohem gjithashtu të gjej kohë edhe për bashkëshorten, shoqen time të jetës Venerën, pra është një larmi ditore ku secila e përmbush jetën. Në televizione ka sfida e mysafirë të ndryshëm, të cilët ndonjëherë edhe këndojnë e duhet të interpretoj bashkë me ta, ama është me të vërtetë kënaqësi.
CMG: Gjithashtu si vokalist i grupit Nfron, keni sjellë këtë vit këngën e zhanrit heavy-metal "I abuzuar". Si erdhi kjo këngë, për çfarë flet, dhe bashkëpunimi yt me këtë grup muzikor?
Arbër Krasniqi: Kënga “I abuzuar” flet për ushtarin i cili është lënë pas dore, ky ushtar ka dhënë gjithçka çfarë ka pasur për atdhedashurinë dhe mirëqënien e popullit të tij. “N’fron” është relativisht një grup i ri, por jemi të gjithë të angazhuar, një grup artistësh të ndryshëm ku ka skulpturë, të teknologjisë informative, por mblidhemi shpesh edhe krijojmë së bashku. Së fundi jemi duke krijuar një këngë të re, për të cilën ende nuk do doja të zbuloja më shumë detaje.
CMG: Arbër, ke realizuar edhe kolonë zanore të mjaft filmave të suksesshëm, por edhe shfaqjeve teatrale, apo dokumentarë. Çfarë kujton nga këto bashkëpunime me teatrin dhe filmin? Më satisfaksion është kur realizon këngë për filmin apo për teatrin?
Arbër Krasniqi: Muzika si kompozitor të përmbush vërtet, është si të krijosh një krijesë tënden me elemente të tuat, ndjenjë e mirëqënien tënden, një sfidë shumë e bukur e sidomos gjatë shfaqjeve e filmave sepse kërkesat mund të jenë nga më të çuditshmet e më sfidueset, por ajo çfarë e kakaterizon filmin është se filmi është jetëgjatë, ndërsa shfaqjet teatrale zakonisht nuk inçizohen, ose edhe nëse inçizohen nuk janë profesionale sa të mbeten në arkiva, siç është përshembull teatri “Pallati 176”, i cili për mua është i barazvlefshëm me një film. Prandaj çdo shfaqje kam kritikuar për të pasur mundësi për të inçizuar në mënyrë profesionale që shfaqjet të mos vdesin, qoftë edhe një publikim në kanalin e youtube apo rrjete të tjera sociale ku të mundet, mjafton të mbesi në arkivë.
CMG: Cilin konsideron si çelësin e suksesit tënd artistik?
Arbër Krasniqi: Çelësi i suksesit unë mendoj që është konsistenca në pasionin e njeriut. Gjithmonë më kujtohet një fjalë e urtë greke, kur dikush ka vdekur, pyesni se; “çfarë pasioni ka pasur?”. Nëse ai ka vdekur me një pasion atëherë për atë njeri kanë pasur dhembshuri për faktin se ai njeri e ka dashur diçka në jetë. Unë si njeri jam rritur me dashurinë për artin, poezinë e filmin, ana e multimedias ka qenë gjithmonë tunduese për mua, kështu që çelësi i suksesit është konsistenca, të punosh me pasionin tënd e njerëzit vijnë. Edhe nëse nuk vijnë, artisti prap përmbushet sepse ka krijuar diçka prej shpirtit të tij, ka lënë një vulë në këtë jetë. Së fundmi ka qenë festivali i RTK( Radio Televizionit të Kosovës), që është mbajt për herë të parë festivali i muzikës dhe një krijim i imi ku tekstin, kompozimin dhe orkestrimin e kam realizuar unë dhe e ka krijuar në mënyrë perfekte këngën që këndoi këngëtarja Saranda Aliaj. Aty kemi fituar “Çmimin e orkestrës” e ky ka qenë komplimenti më i madh që spitali ka mundur të na jepte.
CMG: Vite më parë ke sjellë një duet me Arta Krasniqin, të një kënge mjaft të bukur, të cilën e ke realizuar vetë me titull "Unë e ti". A do të shohim në të ardhmen të sjellësh këngë të krijuara vetë?
Arbër Krasniqi: Arta Krasniqi është motra ime, e cila gjjthashtu ka ndjekur fakultetin dhe masterin për gjuhën angleze, por e do shumë muzikën. Ky realizim ka qenë krejtësisht spontan në studion time dhe është një prej këngëve më të ndjeshme që e kemi krijuar së bashku me Artën.
CMG: Arbër, të kam ndjekur që ke interpretuar këngë, covera të njohura të artistëve shqiptar dhe atyre të huaj. Cilën nga këngët do të veçoje? Dhe cili është artisti yt i preferuar?
Arbër Krasniqi: Coverat apo këngët që i rikëndoj janë një rimendim e riinterpretim sesi unë i kam ndjerë. Gjithmonë thonë që coveri nuk mund të jetë kurrë më i bukur sesa versioni origjinal, por unë mendoj se jo çdo herë pajtohem me këtë për faktin se, që kur e këndon një këngë të ndjerë, e ke kuptuar thelbin e tekstit dhe krijimin melodik përkrahë tekstit, atëherë mundesh t’ja japësh një ngjyrim tëndin, që nuk e bën as më të mire e as më të keqe karshi versionit origjinal. Thjesht është një interpretim tjetër apo multivers tjetër që e krijon për të njëjtën këngë. Kështu që me shumë kënaqësi i këndoj këngët e artistëve shqiptarë edhe të huaj pa dashur t’i specifikoj, por do doja të thoja që definitifisht në gjuhën tonë shqipe kemi këngë shumë të bukura.
CMG: Ti interpreton mjaft bukur, si baladat, këngët rrok, etj, por cili është zhanri yt i preferuar, dhe ku fle më mirë vokali yt?
Arbër Krasniqi: Vokali im fle më mirë në muzikën rrok edhe zhanrat e saj, rrok- baladat, Classic-Rock etj. Unë flej më mirë aty ku teksti flet, pavarësisht zhanrit, por ajo që më bën për vete gjithmonë është një tekst i mirë i gërshetuar me një vijë melodike të bukur.
CMG: Me cilin artist do doje të sillje një bashkëpunim?
Arbër Krasniqi: Si fëmijë jam rritur me këngët e Ardit Gjebreas, albumi i tij që përmban këngën “Jon” si edhe këngë të tjera si “Gjethe shtatori”, “I thua jo” etj. Janë këngë plot shpirt e emocion, por kemi edhe në Kosovë grupe shumë të mira të viteve ‘70, ‘80, ‘90 si grupi Gjurmët, 403, BB Poqi, e shumë e shumë grupe të tjera që kanë lënë gjurmë të përhershme në gjuhën shqipe. Fatmirësisht shumë të tilla kam pasur fatin ti njoh e të jem në skenë me ta në koncerte të ndryshme. Prej këngëtarëve të vendit me Ardit Gjebrean ndoshta do të ishte një duet shumë i bukur.
CMG: Si artist, si e sheh tregun muzikor në ditët e sotme?
Arbër Krasniqi: Tregu muzikor në trojet shqiptare në përgjithësi është treg i vogël dhe fatkeqësisht dominon shumë komercialja, për shkak se kultura është stepur në klube nate e kafeteri dhe këto janë vende komerciale, e si pasojë e kësaj edhe muzika si e tillë serviret. Fatkeqësia më e madhe është që nuk ka mbështetje dhe përkrahje të mjaftueshme për të sjellë më shumë vlera në pah si nga ana e medias ashtu edhe pjesa e kulturës lokale apo edhe kombëtare, ku mund t’i jepej hapësirë më shumë vlerave të artit të shkruara, zanore dhe të filmuara.
CMG: Cilat janë objektivat e tua për të ardhmen?
Arbër Krasniqi: Objektivat e janë të njëjta, nëse e do një gjë qoftë ajo familjare apo profesionale, nëse këmbëngul, nëse ofron dashuri dhe e realizon po ashtu me dashuri dhe pasion atëherë ai është objektivi. Anglezët e kanë një shprehje:”Enjoy the moment” “Shijoje momentin”. Mjafton procesi i krijimit, i të qenurit me familje dhe miq të mirë që të ofrojnë pozitivitet, mendoj që këto janë objektivat që njeriut i duhen. Ne vazhdimisht jetojmë në një udhëtim mendor për të ardhmen duke menduar sot për nesër, të nesërmen për pasnesër, por momentin shumë pak e jetojmë. Ajo që insistoj te vetja ime është të shijoj momentin, e të përjetoj e shijoj edhe një krijim apo skenë të vogël të publikut. Mund të jenë edhe vetëm 30 persona duke të dëgjuar, por ato 30 janë shpirtra që kanë ardhur e po duan të marrin diçka prej teje. Kështu që ajo çfarë unë mendoj, mishërimi me të tashmen dhe përqafimin e lumturisë momentale.
CMG: Cili plani yt më i afërt artistik?
Arbër Krasniqi: Plani më i afërt artistik jam në proces duke krijuar në studio këngë të ndryshme, është një që e kam shumë për zemër. Por nuk do doja të zbuloja më shumë sepse është një mega projekt, i cili do të vijë edhe me një videoklip ku ka për të dalë një temë shumë e thellë, ka të bëj me disa tragjedi shqiptare që ndodhin vazdimisht. Vetëm kaq dua të zbuloj sepse është në përfundim e sipër dhe në intervista të tjera do të flasim për këtë.
CMG: Çfarë do doje të shtoje për lexuesit tanë?
Arbër Krasniqi: Të gjithëve ju dëshiroj lumturi, qetësi në zemrat tuaja dhe rehati kur të flejnë gjumë, që të marrin energji për të nesërmen. I them ta shijojnë jetën dhe ta duan njëri-tjetrin sepse kjo ka rëndësi në jetë. Faleminderit për intervistën, u kënaqa vërtetë shumë dhe shpresoj që sado pak t’i kemi argëtuar dhe shtyrë drejt mendimeve pozitive, të gjithë ata që e dëgjuan apo e lexuan këtë intervistë.
Intervistoi: Sava Lena