Rita Ora, drejtuese e spektaklit të fundvitit në Times Square në New York
2023-12-10 10:32:20

Këngëtarja me origjinë shqiptare Rita Ora do të drejtojë, por edhe do të performojë në një prej ngjarjeve më të mëdha të Vitit të Ri në ‘Times Square’. Ajo njihet në mbarë botën me hitet e saj të shumta. Artistja me famë botërore Rita Ora ka njoftuar nëpërmjet  Twitter se do të jetë performuese në një nga ngjarjet më të rëndësishme botërore të Vitit të Ri,  që organizohet në ‘Times Square’ në New York. Ajo e ndau këtë lajm nëpërmjet rrjeteve sociale me ndjekësit e saj, ku ndjehej e entuziasmuar  që do të jetë pjesë e një tradite të tillë të madhe festive. Rita Ora është shprehur: “Është nder të jem bashkë-prezantuese e mbrëmjes së Vitit të Ri ‘Rockin Eve’ me Ryan Seacrest drejtpërdrejt nga ‘Times Square’. Mos e humbisni më 31 Dhjetor në ora 8/7c në ABC”, ka shkruar 33-vjeçarja në Twitter. Marrja e përgjegjësisë si prezantuese bashkë me Ryan Seacrest, një nga figurat më të njohura televizive, në natën e Vitit të Ri për një festim të tillë spektakolar në mes të New York-ut, është padyshim një moment kulminant në karrierën e Ritës dhe dëshmi e suksesit që vijon. Priten të jenë me mijëra të pranishëm në shesh, por edhe miliona telespektatorë duke përjetuar magjinë e Vitit të Ri në një nga ngjarjet më të ndjekura në botë. Nën dritat plot shkëlqim të ‘Times Square’ dhe atmosferën e paharrueshme të  ndërrimit të viteve, Rita Ora do të sjellë dhe performancën e saj të jashtëzakonshme plot energji që e karakterizon. Ndërsa të gjithë do të numërojnë sekondat e fundit të vitit që po lëmë pas 2023, e gjithë vëmendja do jetë e përqendruar në shfaqjen e Rita Orës, që pritet të jetë një ndër kujtimet më të bukura si për publikun, por edhe për vetë artisten.  

Kenga Obsesion nga Alban Skenderaj (Foto nga instagrami)

Kantautori Alban Skënderaj  publikon këngën e re “Obsesion”, kolona zanore e filmit “5 Herë Jo”

Kantautori  shqiptar, Alban Skënderaj sapo ka publikuar projektin e tij më të ri muzikor.  Artisti ka bërë me dije se kënga “Obsesion”  është kolona zanore e filmit më të ri me titull  “5 Herë Jo” – “Obsesion”. Muzika dhe teksti janë realizuar nga vetë Alban Skënderaj, me miksim dhe masterizim nga Lorenc Aliaj. Ndërsa, producent i projektit  është kantautori i njohur Elgit Doda. Filmi “5 Herë Jo” me protagonist kryesor  Donald Veshaj dhe Bora Zemani pritet që të dalë në kinema më 13 dhjetor.

Eli Malaj dhe Nora Istrefi (Foto nga instagrami)

Nora Istrefi dhe Eli Malaj me një bashkëpunim të ri

Këngëtarja Nora Istrefi, vjen me një bashkëpunim të ri me këngëtaren Eli Malaj. Ajo i ka bërë me dije ndjekësit e saj në rrjetet sociale ku shihet  bashkë me Elin. Nora Istrefi dy javë përpara këtij lajmi, publikoi bashkëpunimin e saj me artistin Kushtrim Kelani të titulluar “ E hupa zemren tane”, këngë e cila arriti shumë klikime në kanalin zyrtar “YouTube”. Eli Malaj dy javë më parë publikoi projektin e saj solo “Publikisht”. Siç duket këngëtaret e kanë bërë me fjalë që ky është momenti për të sjellë materiale të reja në vazhdim.

Sava Lena