Foto nga Xinhua
Në tetor, Sesioni i 54-të i Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së miratoi njëzëri një projektligj të paraqitur nga Kina, Bolivia, Egjipti, Pakistani, Afrika e Jugut, Siria etj. për mbrojtjen e të drejtave ekonomike, shoqërore e kulturore nën sfondin e zgjidhjes së problemeve të pabarazisë.
Ky projektligj thekson ndikimin negativ të pabarazisë dhe diskriminimit mbi të drejtat e njeriut, me qëllim pakësimin e varfërisë ekstreme dhe sigurimin e gëzimit të të drejtave të njeriut nga çdokush, duke inkurajuar institucionet ndërkombëtare financiare të përkrahin me përparësi vendet në zhvillim.
Ky projektligj i paraqitur bashkërisht nga Kina dhe 79 vende të tjera gjeti përkrahjen e gjerë të vendeve në zhvillim, duke treguar se Kina po luan një rol edhe më të rëndësishëm në qeverisjen globale të të drejtave të njeriut. Në procesin e zhvillimit të të drejtave të njeriut, Kina është gjithmonë një kontribuuese me vlerë. Për shumë vite, ajo ka paraqitur një sërë propozimesh konstruktive, duke gjetur përkrahjen e gjerë të bashkësisë ndërkombëtare.
Për shembull, Kina e ka nxitur shumë herë Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së që të miratojë rezoluta në lidhje me zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar me përfitime të përbashkëta në këtë sferë. Njëkohësisht Kina ka marrë pjesë në një sërë konferencash pune për hartimin e dokumenteve të rëndësishme të të drejtave të njeriut të lidhura me ndalimin e torturës, mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuara etj., duke dhënë një kontribut të rëndësishëm për hartimin e këtyre dokumenteve.
Duke iu referuar shkëmbimeve dhe bashkëpunimit për të drejtat e njeriut, Kina ka krijuar sistemin e dialogut ose konsultimeve në këtë fushë me mbi 20 vende e rajone dhe organizoi Forumin e të Drejtave të Njeriut të Pekinit, Forumin e të Drejtave të Njeriut Jug-Jug etj. për të zgjeruar pandërprerë bashkëpunimin ndërkombëtar.
Kina nxit zhvillimin global të të drejtave të njeriut nëpërmjet bashkëpunimit e zhvillimit. Gjatë dekadës së fundit, nisma ”Një brez, një rrugë” e Kinës është bërë një platformë e bashkëpunimit global e mirëpritur gjerësisht. Kjo nismë është në ndihmë të vendeve partnere për nxitjen e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe realizimin e jetës së begatë.
Banka Botërore parashikoi që deri në vitin 2030, nisma “Një brez, një rrugë” do të ndihmojë rreth 7.6 milionë persona të vendeve partnere të shkëputen nga varfëria ekstreme dhe 32 milionë të tjerë të shkëputen nga varfëria e mesme.
Njëkohësisht, nën Iniciativën e Zhvillimit Global, Kina ka realizuar mbi 200 projekte bashkëpunimi, duke krijuar fondacionet e Zhvillimit Global dhe Bashkëpunimit Jug-Jug me një vëllim të përgjithshëm prej 4 miliardë dollarësh. Mbi 100 vende dhe organizata ndërkombëtare kanë shprehur përkrahjen e tyre ndaj kësaj iniciative. Njëkohësisht Kina ka nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit në këtë fushë me rreth 20 vende e organizata ndërkombëtare.
Përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB Zhang Jun u shpreh në një takim të zhvilluar në tetor se të drejtat e zhvillimit janë të drejta themelore të njeriut. Ai u bëri thirrje të gjitha palëve të forcojnë shkëmbimet dhe bashkëpunimin për të nxitur së bashku zhvillimin global dhe çështjen e të drejtave të njeriut. (Fani)