Myrteza Dimni vazhdon studimet e larta në Universitetin e Arteve në Tiranë për koreografi. Ai që në fëmijëri ka pasur pasion vallen popullore dhe ka marrë pjesë në mjaft festivale folklorike brenda dhe jashtë vendit, duke performuar në skena të ndryshme vallen tradicionale shqiptare. Myrtezai në prag të festave të nëntorit solli për publikun artdashës kavajas recitalin e tij të pestë koreografik, që këtë herë e kishte konceptuar me valle popullore nga të gjitha trevat shqiptare të titulluar “Jehona e valles shqipe”. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për realizimin e recitalit koreografik me valle popullore si dhe kënaqësinë e marrë nga publiku i qytetit të tij.
CMG: Para pak kohësh realizove recitalin tuaj të pesë koreografik, ku këtë herë me valle nga treva të ndryshme të vendit. Nga ndryshon ky recital koreografik nga të mëparshmit?
Myrteza Dimni: Ky është recital im i pestë që e titullova “Jehona e valles shqipe”, dhe jo pa qëllim zgjodha vallen popullore këtë herë meqenëse ishim në prag të festave të 28-29 nëntorit. Ngaqë nuk kisha eksperimentuar ndonjëherë me vallen popullore, mendova mos të përsërisja veten dhe të vija me një zhaner të ri, dhe me një shfaqje koreografike e cila i dedikohet valles popullore.
Valletaret e vegjel gjate nje performance (Foto personale)
CMG: Pse e titulluat recitalin “Jehona e valles shqipe”?
Myrteza Dimni: Mendova këtë titull sepse shikojmë që në vendin tonë po futen mjaft zhanre të ndryshme muzikore moderne, që po përqafohen jashtë mase nga të gjithë. Unë me mundësinë që kisha mendova që të jehonte vallja dhe muzika popullore dhe ti jepja jehonë valles popullore tek qyteti im, që ta duam folklorin dhe vallen popullore. Dihet që jemi në mes të një tregu shumë të gjerë dhe të larmishëm, por mendoj se kryesorja është folklori dhe tabani popullor.
CMG: Sa punë të është dashur për të organizuar një event të tillë, që në fakt për qytetin tuaj Kavajën është një ngjarje e madhe artistike?
Myrteza Dimni: Ky frymëzim realisht më erdhi nga festivali folklorik i Gjirokastrës që u mbajt në muajin qershor. Meqenëse ishim në prag të stinës së verës dhe fëmijët nuk i kisha në studio, me pregatitjet e këtij recitali kam filluar të merrem në fillim të shtatorit dhe përfundoi në fund të nëntorit. Pra kanë qenë rreth tre muaj punë për organizimin e këtij eventi.
Grupi i valletareve pas shfaqjes (Foto personale)
CMG: Sa e vështirë është për ty të punosh me moshat e vogla, për t’u mësuar vallen popullore tradicionale?
Myrteza Dimni: Është një emocion i veçantë të punosh me fëmijët sepse ata janë të pafajshëm, ku çdo gjë që bëjnë e bëjnë pa asnjëlloj tentative të keqe. E vështira është se ata janë të vegjël dhe jo shpeshherë e thithin direkt koreografinë dhe lëvizjen që u jep. Kjo pjesë është e vështirë, por nga ana tjetër të falin jashtë mase gëzim dhe lumturi, aq më tepër kur shikon një produkt cilësor është një kënaqësi mjaft e madhe. Unë u mundova tu jepja frymën e folklorit dhe valles popullore që mos të zhduket, por që ata ta përhapim dhe ta kultivojmë sa më shumë dhe besoj se është gjëja më e mirë që bëra në këtë shfaqje.
CMG: Si ndjehesh për kontributin artistik që ke dhënë për Kavajën, me organizimin e këtyre eventeve me kaq pasion dhe dashuri për qytetit tuaj?
Myrteza Dimni: Faktikisht mendoj se nuk kam bërë asgjë, sepse unë dhe të gjithë i detyrohemi shumë qytetit tonë. Mendoj se kam bërë detyrën, ku arrita të jap një kontribut duke bërë atë që unë di të bëj më së miri. Kënaqësia është shumë e madhe kur merr përshtypjet nga populli dhe ndjehem mjaft i lumtur.
Vajzat duke deputuar nje valle ne skene (Foto personale)
CMG: Ky recital koreografik kishte motive vallesh gjithëpërfshirëse, ku keni prekur disa nga trevat e vendit. Flasim për larminë e valleve që sollët në skenë më fëmijët?
Myrteza Dimni: Konceptin e këtij recitali e mendova të ishte si një udhëtim në Shqipëri, duke prekur nga pak të gjitha zonat, jugun, veriun, Shqipërinë e mesme, por dhe më tej duke shkuar në Kosovë dhe pak në Maqedoninë e Veriut. Kavaja është një qytet mikpritës, ku ndër vite ka pritur shumë njerëz nga qytetet e tjera, dhe në njëfarë mënyre ta gjenin veten të gjithë tek vallet e krahinës së tyre nga ata kanë origjinën, për tu ndjerë të vlerësuar.
Valletaret duke poerformuar nje valle ne skene (Foto personale)
CMG: Cilat ishin përshtypjet e publikut që ndoqi shfaqjen në sallë?
Myrteza Dimni: Përshtypjet e publikut ishin të mira dhe unë isha i lumtur. Doja të ndaja me ju emocionet që më dhuruan dy persona pas shfaqjes, ku njërin nuk e njoha të them të vërtetën, por më pëlqeu ajo se çfarë më tha. Ai tha se kishte 39 vite që nuk hynte në pallatin e kulturës, dhe pas kaq shumë kohësh tha po hyj në këtë pallat dhe ndjehem mjaft krenar që një djalë i ri ofron tabanin popullor dhe folklorin. Unë me këto fjalë u emocionova shumë sepse ishte një vlerësim për mua. Ndërsa një rast tjetër që doja ta përmendja ishte një kompozitor tashmë në pension, ku filloi ti bënte një analizë gjithë recitalit më shumë nga pjesa muzikore.
CMG: Cilat ishin sfidat për të ogganizuar një event të tillë artistik në Kavajë?
Myrteza Dimni: Ka pasur sfida sepse edhe pse ishin valle popullore u mundova të dilja pak jashtë elementeve burimore. Padiskutim që e ruajta karakterin e valles, por i dhashë pak qasje më bashkëkohore. Kjo ishte një sfidë për arsye se nuk e dija sesi do e priste publiku i qytetit, sepse ne jemi një qytet mjaft artdashës ku besoj se e njohim mjaft mirë folklorin. Kisha përshtypje se ndoshta mund të kishte edhe kritika, por faktikisht vallet qëndruan mjaft mirë tek trupat e valltarëve që janë në studion time. Mendoj se këtë sfidë e kaluam me sukses.
Myrteza Dimni pas recitalit koreografik (Foto personale)
CMG: Si ndjehen prindërit e fëmijëve kur shohin që i aktivizon në këto koncerte dhe ju përcjell traditën shqiptare?
Myrteza Dimni: Unë e kam pasion vallen popullore që i vogël, por duke menduar që fëmijët po u interesonin bashkë me prindërit, mendova që këtë lloj pasioni ta ktheja në profesion, duke u profesionalizuar në shkollat përkatësë siç është Universiteti i Arteve në Tiranë ku unë vazhdoj studimet. Shpeshherë konsultohem dhe i jam mirënjohës pafund pedagoges time Kozeta Bakiu, ku konsultohem me të sesi unë të sjellë më të mirën për fëmijët e sudios nga progesionalizmi që marr në universitet.
CMG: Kë do të falenderoje për mbështetjen që ke marrë për të realizuar recitalin tuaj koreografik me valle popullore?
Myrteza Dimni: Unë falenderues në radhë të parë u jam këtyre fëmijëve të talentuar, që janë valltarët më të mirë të qytetit përderisa arritën të përballonin një shfaqje më shumë se një orë. Padiksutim një falenderim dhe për prindërit e tyre që kontribojnë dhe falë tyre unë arrij ta mbaj studion e hapur për të sjellë gjëra të bukura. Ndërkohë që të bëhet një recital i tillë duhet dhe mbështetja financiare, ku më ka mbështetur drejtoria e kulturës që më dhanë në dispozicion sallën e e pallatit të kulturës “Mustafa Krantja”. Gjithashtu më ka mbështetur një firmë elektrike, e cila u kujdes për anën teknike, dhe për pjesën e audios dhe ndriçimit kisha kompaninë “Sotiri Sound and Light”. Në fakt kam dhe një sponsor të përgjithshmë, i cili që në hapat e mi të karrierës si koreograf më ka qëndruar gjithmonë pranë dhe më ka mbështetur. Përveç mbështetjes time ai i ka dhënë emër dhe qytetit të Kavajës, dhe e falenderoj shumë Agron Kalaja.
Valletaret duke deputuar nje valle ne skene (Foto personale)
CMG: Cilat janë projektet tuaja artistike në vazhdim?
Myrteza Dimni: Unë gjithmonë tentoj ose eksperimentoj të mos përsëris veten, por të sjell gjëra të reja. Nuk kam ndonjë projekt konkret, por që kam dëshirë të sjellë një shfaqje kontenporane ku të kishte dhe pak nuancë dramaturgjie. Kam dëshirë mjaft të madhe që ta realizoj dhe shpresoj ta sjellë për publikun e Kavajës sepse ata meritojnë shumë.
CMG: Së fundi një mesazh përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Myrteza Dimni: Unë i falenderoj të gjithë, dhe mendoj se Shqipëria ka shumë talente që duhet ti shërbejnë këtij vendi kaq të bukur dhe artdashës. Mesazhi im është që mos të largohen nga ky vend i bukur, por të kontribojnë për Shqipërinë.
Intervistoi: Gazmend Agaj