Rëndësia strategjike e marrëdhënieve Kinë-BE në agjendën globale
2023-12-09 14:21:47

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, udhëtuan në Pekin për Samitin e 24-të Kinë-BE ku u takuan me Presidentin e Kinës, Xi Jinping, më 7 dhjetor 2023.  Ky është samiti i parë Kinë-BE që zhvillohet ballë për ballë që nga viti 2019 dhe vjen në një sfond ku marrëdhëniet BE-Kinë janë bërë më të komplikuara vitet e fundit, ku sfidat dhe tensionet gjeopolitike janë rritur. Por është vënë re kohët e fundit se të dyja palët shprehin gatishmërinë për të gjetur gjuhën e përbashkët, pavarësisht dallimeve të tyre. Dinamikat tregtare, gjeopolitike, perspektivat e ndryshme mbi çështje të rëndësishme nuk i kanë ndalur palët të paraqesin një aspekt më pozitiv të marrëdhënies së tyre. Dhe në fakt, edhe para se të takoheshin liderët, samiti shihej si një mundësi për të adresuar problematikat kontinentale dhe globale, për të diskutuar dhe, pavarësisht dallimeve e sfidave, fakti që dialogu po zhvillohet konsiderohet si rezultat i rëndësishëm dhe i mirëpritur nga të gjithë. Përpjekjet e BE-së për të siguruar diskutime mbi çështje të ndryshme me Kinën, duhet të shihen edhe në kontekstin e zgjedhjeve të ardhshme të BE-së (qershor 2024). Duket qartë që liderët e BE-së kanë një ndjenjë urgjence për të "kopsitur punët" para qershorit. Samiti shihet gjithashtu edhe si një moment kritik në marrëdhëniet BE-Kinë, ku të dyja palët pranojnë nevojën për të adresuar sfida të ndryshme dhe për të gjetur gjuhën e përbashkët.

Ky takim vjen pas disa ndërveprimeve të nivelit të lartë midis BE-së dhe zyrtarëve kinezë në muajt e fundit, me kryeministrin Li dhe zëvendëskryeministrin He Lifeng që vizituan vendet e BE-së. Shefi i tregtisë i BE-së, Valdis Dombrovskis, kryediplomati i bllokut, Josep Borrell, si dhe liderët e disa vendeve evropiane, vizituan Kinën si pjesë e shkëmbimeve.

 

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Fjalët e Presidentit Xi për liderët evropianë

Respekt i ndërsjellë, qëndrim të qetë, pragmatizëm dhe mendim strategjik. Këtë kërkon Kina nga partneriteti me BE-në. Në vetë fjalët e Xi mund të gjenden disa shtylla pikëpamjesh dhe drejtimesh që Pekini zyrtar i adreson Brukselit.

Bashkëpunimi me përfitim të ndërsjellë: Theksi i Presidentit Xi për të qenë "partnerë për bashkëpunim reciprokisht të dobishëm" pasqyron një qëndrim diplomatik që u jep përparësi interesave të përbashkëta mbi konfliktet. Kjo qasje bashkëpunuese është thelbësore për adresimin e sfidave globale dhe promovimin e stabilitetit.

Besimi politik dhe konsensusi strategjik: Thirrja për të "forcuar besimin politik të dyanshëm" dhe "ndërtimin e konsensusit strategjik" nënvizon rëndësinë e një themeli të fortë për marrëdhëniet diplomatike, shtetërore dhe në nivel liderësh. Kjo pasi besimi dhe qëllimet e përbashkëta strategjike janë thelbësore për lundrimin e çështjeve komplekse ndërkombëtare.

Çimentimi i çështjeve me interes të përbashkët: ideja e "çimentimit të lidhjeve me interes të përbashkët" tregon një dëshirë për të thelluar lidhjet ekonomike, politike dhe kulturore midis Kinës dhe BE-së. Kjo qasje synon të krijojë një bazë për një marrëdhënie afatgjatë dhe të qëndrueshme.

Shmangia e ndërhyrjes: Thirrja për të "qëndruar larg llojeve të ndryshme të ndërhyrjeve" sugjeron një angazhim për të trajtuar marrëdhëniet dypalëshe në mënyrë të pavarur pa ndërprerje të jashtme. Kjo i referohet shmangies së presioneve ose ndikimeve të jashtme në marrëdhënien e tyre, sidomos nga SHBA-të.

Përgjegjësitë globale: Udhëheqësit në fakt e pranuan rëndësinë globale të marrëdhënieve Kinë-BE. Njohja e roleve të tyre si "forca kryesore" në avancimin e multipolaritetit dhe mbështetjen e globalizimit thekson një përgjegjësi të përbashkët për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin global.

Momenti pozitiv në marrëdhënie: Njohja e Presidentit Xi për momentin pozitiv në marrëdhëniet Kinë-BE dhe rezultatet e frytshme të dialogut të nivelit të lartë nxjerr në pah aspektet pragmatike të marrëdhënieve.

Sfidat globale: Angazhimi i liderëve për të "bashkuar duart për të trajtuar sfidat globale" sugjeron një kuptim të përbashkët të nevojës për bashkëpunim ndërkombëtar. Kjo përfshin adresimin e çështjeve të tilla si ndryshimet klimatike, pasiguritë ekonomike dhe krizat e shëndetit publik. Xi nënvizon rëndësinë globale të marrëdhënies Kinë-BE, duke i pozicionuar të dyja entitetet si forca kryesore për multipolaritetin, mbështetës të globalizimit dhe kampionë të diversitetit.

Promovimi i Stabilitetit dhe Prosperitetit: Theksi në punën e përbashkët për "promovimin e stabilitetit dhe prosperitetit në mbarë botën" pasqyron shpresën e një vizioni të përbashkët për të kontribuar pozitivisht në qeverisjen globale dhe përputhet me idenë se fuqitë e mëdha duhet të luajnë një rol të përgjegjshëm në skenën globale. Referenca për një "pikë të re fillestare" tregon një qasje largpamëse për të ardhmen e marrëdhënieve Kinë-BE, ku Presidenti Xi thekson nevojën që Kina dhe BE-ja të punojnë së bashku për të ofruar stabilitet dhe prosperitet në nivel global. Vërejtjet e presidentit Xi përcjellin një mesazh bashkëpunimi, përgjegjësi të përbashkët dhe njohjen e rolit kryesor që Kina dhe BE-ja luajnë në peizazhin global në zhvillim.

 

Foto:VCG

Foto:VCG

Një qasje konceptuale e marrëdhënieve

Ndërsa pritet që Kina dhe Evropa kenë bashkëpunim efektiv rreth interesave të përbashkëta, është e dukshme se marrëdhëniet e Kinës me vendet evropiane dhe BE-në kanë pasur vështirësi. Por me rifillimin e shkëmbimeve dhe ndërveprimeve të nivelit të lartë ballë për ballë, atmosfera në marrëdhëniet Kinë-BE është drejtë përmirësimit. Perspektiva konjitive me tre pika për Kinën që Evropa propozoi para 4 vjetësh se Kina është një partner për bashkëpunim, një konkurrente ekonomike dhe një rival sistematik, tani është ngurtësuar dhe ka depërtuar në të gjitha politikat evropiane ndaj Kinës. Pandemia kufizoi ashpër shkëmbimet në të gjitha nivelet midis Kinës dhe BE-së, gjë që ka rritur deficitin e besimit të ndërsjellë. Më tej, administrata e Bidenit në Shtetet e Bashkuara nuk ka kursyer asnjë përpjekje për ta shtyrë Evropën të qëndrojë në krah të palës amerikane dhe të tregojë njëzëri ashpërsi kundër Kinës. Dhe pa dyshim, konflikti Rusi-Ukrainë ka përkeqësuar perceptimin e Evropës për Kinën. BE-ja, si dhe vende të ndryshme evropiane si Gjermania, janë të shqetësuara për varësinë e tyre nga tregu dhe lëndët e para kineze, kështu që dëgjohet një lumë i pafund argumentesh për shkëputjen dhe reduktimin e varësisë nga Kina. Tipari tjetër dallues i marrëdhënieve aktuale Kinë-BE është se, pavarësisht dallimeve serioze, si Kina ashtu edhe BE-ja e njohin rëndësinë e njëra-tjetrës dhe përpiqen të ruajnë dialogun e kontaktet, dhe pala evropiane deklaroi se "dera e kontaktit me Kinën duhet të jetë gjithmonë e hapur". Kohët e fundit, liderët e vendeve evropiane dhe të BE-së kanë lëshuar shumë sinjale se shpresojnë të vazhdojnë bashkëpunimin me Kinën. Kjo padyshim lidhet me situatën e re dhe konsideratat e reja në Evropë.

Ndërsa shohim përpara për perspektivat dhe zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-BE, një pikë është shumë e rëndësishme: si do të arrijë Evropa një ekuilibër në të ardhmen midis bashkëpunimit dhe konkurrencës me Kinën?  Në përgjithësi, megjithatë Evropa nuk do të ndryshojë perspektivën e saj ndaj Kinës, pritet që që të kenë bashkëpunim efektiv rreth interesave të përbashkëta, duke shpresuar se marrëdhëniet Kinë-BE do të ndalojnë së përkeqësuari dhe do të rimëkëmben. Përveç kësaj, vlen të theksohet se edhe pse "argumenti i shkëputjes" ka humbur impaktin e tij në shumë vende evropiane pas diskutimeve intensive, disa vende ndërkohë mendojnë të reduktojnë varësinë e tyre ekonomike nga Kina dhe të përpiqen të diversifikojnë zinxhirët e tyre industrialë.

Studiuesit kinezë të marrëdhënieve ndërkombëtare janë të mendimit se nëse BE-ja dhe vendet e saj anëtare mund të ruajnë një shkallë të caktuar autonomie në politikat e tyre për Kinën, ndikimi i marrëdhënieve trepalëshe Kinë-SHBA-BE në peizazhin ndërkombëtar do të rritet pa dyshim me pozitivitet.

 

Foto:VCG

Foto:VCG

Së fundmi, Samiti i 24-të BE-Kinë pasqyron ndërveprimin e ndërlikuar të konsideratave ekonomike, gjeopolitike dhe strategjike që dy palët kanë. Ndërsa sfidat vazhdojnë, vetë dialogu nënvizon njohjen se, në një botë me interesa të ndërlidhura, gjetja e frymës së përbashkët është thelbësore për stabilitetin dhe bashkëpunimin global. Ndërkohë që njihen përfitimet e mundshme të bashkëpunimit, theksi mbi lundrimin e kujdesshëm të situatave, transparenca dhe përfitimi i ndërsjellë vendosin një ton konstruktiv për palët në këtë marrëdhënie, pasi interesat e përbashkëta mbartin më shumë peshë se dallimet midis tyre.

 

Dr. Marsela Musabelliu