Pekini organizoi në 7 dhjetor 2023 Samitin e 24-t Kinë - Bashkimi Evropian. Në këtë takim shumë të rëndësishëm jo vetëm për marrëdhëniet midis dy partnerëve, por edhe për mbarë botën, Presidenti kinez Xi Jinping u takua me Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, të shoqëruar nga Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell, që përfaqëson BE-në.
Sipas pikëpamjes kineze, respekti, pragmatizimi dhe mendimi strategjik, mbeten themelet e bashkëpunimit, themele që Kina i ka shprehur hapur edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara si një ftesë për të tërë vendet anëtare.
Presidenti Xi Jinping në këtë takim vuri në dukje se, “që nga fundi i vitit të kaluar, BE ka treguar një moment të mirë zhvillimi dhe konsolidimi të dialogut në nivele të larta në fushat strategjike të ekonomisë, tregtisë, ekonomisë së gjelbër, digjitalizimit, etj., dhe kemi arritur rezultate, pasi edhe interesat e të dy palëve janë të shumta dhe shpresa e njerëzve për bashkëpunimin Kinë -BE ëshë e lartë. Kina dhe Evropa janë dy entitete që promovojnë bashkëpunim shumëpalësh dhe shumëplanësh, janë tregje kryesore që mbrojnë diversitetin, etj.
BE ka rëndësi strategjike në lidhje me paqen, qëndrueshmërinë dhe zhvillimet në botë. Të dyja palët kanë shumë për të bërë së bashku për më shumë siguri për botën dhe për më shumë zhvillim për njerëzimin. Në këtë 20 vjetor të krijimit të partneriteteve të përbashkëta ne së bashku duhet (1) të përmbledhim përvojat historike, (2) të kuptojmë prirjet globale, (3) të kuptojmë se duhet të mendojmë dhe të mbajmë qëndrime të sakta strategjike, (4) të rrisim besimin e ndërsjellë politik, (5) të krijojmë konsensus strategjik, (6) të konsolidojmë dhe zgjerojmë lidhjet dhe interesat, (7) të sjellim më shumë dashuri për popujt tanë dhe (8) të përballemi së bashku me sfidat globale, duke nxitur qëndrueshmërinë dhe lulëzimin e botës”.
Xinhua
Sipas pikëpamjes kineze, modernizimi i stilit kinez dhe integrimi evropian janë zgjedhje strategjike të bëra nga Kina dhe Evropa dh për këtë Kina dhe Evropa duhet të respektojnë dhe mbështesin njëra-tjetrën, të forcojnë ndërlidhjen e strategjive të zhvillimit dhe të arrijnë zhvillim të përbashkët.
Sipas Charles Michel, “samiti është një mundësi për t’u angazhuar me Kinën në nivelin më të lartë dhe për të ndjekur marrëdhënie konstruktive dhe të qëndrueshme BE-Kinë”.
Gjendja ndërkombëtare, konfliktet rajonale, ekuilibrimi dhe reciprociteti i marrëdhënieve tregtare, ndryshimet klimatike, siguria ushqimore, shëndeti në aspektin global, gadishmëria ndaj katastrofave natyrore dhe pandemive, mbështetja e rendit ndërkombëtar shumëpalësh (bazuar në rregulla dhe reagimi ndaj risqeve ekonomike), ishin qasjet evropian në këtë samit.
Që në muajin qershor 2023, liderët e BE-së, në Këshillin Evropian zhvilluan një diskutim strategjik mbi marrëdhëniet e BE-së me Kinën dhe në atë kohë ata riafirmuan qasjen e shumëanshme të BE-së ndaj Kinës dhe angazhimin e vazhdueshëm me Kinën.
Michel në takim tha: “Sot kemi mundësinë të bëjmë një bilanc të gjendjes së marrëdhënieve tona dhe shpresojmë t’i japim një shtysë të re këtij bashkëpunimi midis Kinës dhe Bashkimit Evropian.
Ne (vendet anëtare të BE-së) jemi të bashkuar në angazhimin tonë për të ndjekur një marrëdhënie të qëndrueshme dhe reciprokisht të dobishme me Kinën, një angazhim dhe një marrëdhënie që dëshirojmë të jetë e bazuar në parimet e transparencës, parashikueshmërisë dhe reciprocitetit. Është e vetëkuptueshme se ne do të promovojmë sot vlerat tona evropiane, duke përfshirë të drejtat e njeriut dhe demokracinë. Natyrisht, ne do të mbrojmë edhe interesat tona legjitime dhe do të donim të bashkëpunonim me ju për çështje globale, si klima, shëndeti dhe, natyrisht, siguria dhe stabiliteti”.
Në arenën ndërkombëtare, së pari, Rusia dhe Ukraina janë në konflikt. Ne dëshirojmë të jemi në gjendje të diskutojmë me ju se si ta zgjidhim më mirë këtë situatë dhe të mbështesim parimet e së drejtës ndërkombëtare, së dyti, një luftë tragjike po zhvillohet aktualisht në Lindjen e Mesme. Hamasi dhe Izraeli janë në sulme dhe kundërsulme. Paqja dhe stabiliteti janë të rëndësishme kudo dhe ne shpresojmë të jemi në gjendje të punojmë së bashku për të mos shkaktuar përshkallëzim rajonal, së treti, për tensionet në rritje në ngushticën e Tajvanit dhe në Detin e Kinës Jugore, ne mbajmë qëndrimin tonë për njohjen e politikës së një Kine, së katërti, duam të vazhdojmë të punojmë me ju për ndryshimet klimatike, shëndetin global dhe sigurinë ushqimore. Marrëdhënia midis BE-së dhe Kinës është një marrëdhënie e gjerë dhe e pjekur. Ne do të donim të demonstronim hapje, transparencë dhe respekt”.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në këtë takim tha: “Marrëdhënia jonë me Kinën është komplekse dhe ne kemi përgjegjësinë për ta bërë atë të funksionojë. Ne ramë dakord se është në interesin tonë të përbashkët që të kemi marrëdhënie të balancuara tregtare. Dhe ne duhet të adresojmë sfidat në një botë me fërkime gjeopolitike në rritje. Mirëpresim bashkëpunimin e vazhdueshëm për ndryshimet klimatike dhe mjedisin, siç ilustrohet nga marrëveshja e fundit për të punuar më tej në tregtimin e emetimeve dhe ekonominë qarkulluese dhe së bashku si ekonomi të mëdha, të udhëheqim përpjekjet globale për të reduktuar emetimet e gazeve serrë duke përfshirë edhe piketat e takimit të COP28 që është duke vazhduar punimet. Ne duam që të diskutojmë qëndrueshmërinë e borxhit, sigurinë ushqimore, shëndetin dhe gatishmërinë ndaj pandemisë, biodiversitetin, ujërave, qeverisjen e oqeaneve, ndotjen plastike dhe shpyllëzimin”.
Xinhua
Në lidhje me këtë samit, Ministria Punëve të Jashtme të Kinës është shprehur disa ditë më parë se: “Kur Kina dhe Evropa zgjedhin dialogun dhe bashkëpunimin, konfrontimi në kamp nuk do të krijohet. Kur Kina dhe Evropa zgjedhin paqen dhe sigurinë, një Luftë e re e Ftohtë nuk do të mbushë. Kur Kina dhe Evropa zgjedhin hapjen dhe rezultatin fitues, do të ketë një zhvillim dhe prosperitet global”.
Në fakt, në lidhje me marrëdhëniet Kinë – Evropë, referuar edhe historisë së 23 samiteve të mëparshme, një rëndësi të veçantë marrin tre mësime të mëdha që mund të ekstraktojmë, që janë (1) respekti i ndërsjellë, (2) qëndrimi i qetë dhe pragmatik, (3) respektimi i të menduarit në mënyrë strategjike. Nëse të paktën një nga këto tre mësime cënohet, atëhere marrëdhëniet mund të dëmtohen.
Duket se aspektet e subvencioneve në të dy ekonomitë, kryesisht për automjeteve elektrike, turbinave për shfrytëzimin e energjisë së erës, teknologjive mjekësore, pajisjeve për shfrytëzimin e energjisë diellore, etj, ishin në minorancë, përballë çështjeve madhore, që u trajtuan në këtë samit, përkundër pritshmërisë së gazetarëve perëndimorë që prisnin debate të shumta dhe konfrontime politike.
Është e qartë se BE-ja nuk dëshiron të shkëputë lidhjet e forta ekonomike dhe tregtare me Kinën, e cila nga ana e saj ka patur një performancë ekonomike ekstremisht madhore përgjatë vitit 2023.
Pekini u vizitua gjatë vitit 2023 nga krerët më të lartë të shteteve kryesore të BE-së, në takime të njëpasnjëshme, në të cilat u tregua dukshëm se Kina përbën një fuqi kryesore në glob, jo vetëm në aspektin ekonomik.
Ministria e Jashtme e KInës
Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Zv/President i Komisionit Evropian, gjatë vizitës së tij të fundit në Kinë në tetor 2023, deklaroi: “BE është e përkushtuar për të menaxhuar marrëdhëniet me Kinën në mënyrë të përgjegjshme dhe konstruktive” dhe edhe pse marrëdhëniet me Kinën mund të jenë të “ndërlikuara”, pas të dy palët kanë “ndryshime”, samiti paraqet “një rast për të pasur një diskutim të sinqertë”.
Kina dominon tregjet ndërkombëtare me produkte cilësore. BE është partneri më i madh tregtar i Kinës. Bilanci tregtar midis Evropës dhe Kinës në vitin 2022 ishte rreth 850 miliardë dollarë. Tregtia midis dy vendeve llogaritet në më shumë se 2 miliardë euro në ditë. Qeveria kineze ka shtuar përpjekjet për të rigjallëruar rritjen e qëndrueshme të ekonomisë, me politika fiskale proaktive, duke ulur normat e interesit, nxitur konsumin, hequr kufizimet për blerjet e shtëpive dhe blerjen e makinave në tregun e brendshëm, përshpejtimin e projekteve të infrastrukturës dhe lehtësimin e kontrollit të kapitalit, për të tërhequr akoma dhe më shumë investimet e huaja, etj. Kjo ka bërë që Kina për 13 vite me radhë të ruajë pozicionin e saj si fuqia më e madhe industriale në botë, ndërsa për të gjashtin vit radhazi, është vendi që ka volumin më të madh të tregtisë së mallrave.
BE-ja dhe Kina janë dy forca kryesore në botë dhe partnere të rëndësishme ekonomike dhe tregtare. Fushat e bashkëpunimit po zgjerohen gjithnjë e më shumë dhe kjo kërkon një menaxhim sa më të mirë të këtyre marrëdhënieve afatgjata, të qëndrueshme, të parashikueshme dhe të vazhdueshme në ekonomi, tregti, zhvillimin e gjelbër dhe ndryshimet klimatike, digjitalizim, sigurinë e zinxhirëve të industrisë dhe të furnizimit, inteligjencën artificiale dhe çështje të tjera të rëndësishme globale që lidhen me sotmen dhe të ardhmen e njerëzimit dhe në lidhje me këtë, Presidenti i Kinës, Xi Jinping tha: “Kur u dhuroni trëndafil të tjerëve, aroma e trëndafilit mbetet në dorë. Kina është e gatshme të vazhdojë të promovojë ndërtimin e përbashkët me cilësi të lartë të projektit transnacional “Një brez, një rrugë”, duke përfshirë edhe ndërthurjen me planin e BE-së, të quajtur “Porta globale”, duke punuar bashkërisht për të ndihmuar vendet në zhvillim të përshpejtojnë zhvillimin e tyre, duke forcuar komunikimin dhe koordinimin brenda kornizave shumëpalëshe si OKB-ja e G20-a, duke ju përmbajtir multilateralizmit, kundërshtimit të konfrontimin midis kampeve, promovimit të zgjidhjeve politike për çështjet e nxehta ndërkombëtare e rajonale dhe zhvillimit dialogut dhe bashkëpunim për çështjet kryesore që lidhen me të ardhmen e njerëzimit dhe për të dhënë kontribut në përmirësimin e mirëqenies së të gjithë njerëzimit e për të përballuar sfidat globale”.
Ky samit vjen pas takimit Biden-Xi Jinping më 15 nëntor 2023 në San Francisco, që pritet të sjellë relaksim dhe ripërmasim në rritje të marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike SHBA-Kinë, gjithashtu, përpara samitit, Kina njoftoi se do të ofronte përkohësisht hyrje pa viza për qytetarët nga pesë vende evropiane - Franca, Gjermania, Spanja, Italia dhe Holanda, ndërsa Lituania tha javën e kaluar se Pekini kishte hequr barrierat tregtare të vendosura ndaj mallrave lituaneze.