Kinë, zhvillohet më tej hapja me nivel të lartë në Pekin dhe Shangai
2023-12-08 17:58:14

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Sivjet është 45-vjetori i zbatimit të politikës së Reformës dhe Hapjes në Kinë. Për t’u integruar më tej me standardet ndërkombëtare dhe për të nxitur zhvillimin me cilësi më të lartë, Kina ka marrë masa të vazhdueshme për hapjen në nivel të lartë në një numër më të madh sektorësh, si tregtia, shërbimet, teknologjia dhe shëndetësia.

Pekini, qytet demonstrues dhe pilot për hapjen në shërbime e të dhënat digjitale

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kryeqyteti kinez, Pekini, në fillim të dhjetorit 2023 deklaroi në një konferencë për shtypin që do të thellojë më tej hapjen e sektorit e shërbimeve dhe do të eksperimentojë me më shumë forcë si qytet pilot për tërë vendin.

Në fakt, Këshilli i Shtetit i Kinës pak kohë më parë ka miratuar projektin e mbështetjes së Pekinit për thellimin e ndërtimit të zonës demonstruese të sektorit të shërbimeve për tërë vendin (që njihet si projekti 2.0 për zonën demonstruese), çka i ka dhënë një mision të ri kryeqytetit kinez.

Zv.drejtorja e zyrës së posaçme për të dy zonat (zonës demonstruese për sektorin e shërbimeve dhe zonës pilot për sistemin bazë të të dhënave) të Pekinit, Liu Meiying shprehet që projekti 2.0 për zonën demonstruese, në bazë të Marrëveshjes së Partneritetit të Transpaqësorit (CPTPP) dhe Marrëveshjes së Partneritetit të Ekonomisë Digjitale (DEPA), është fokusuar te rregullat “në kufi” e “tej kufijve” dhe do të eksperimentojë me më shumë fuqi, duke paraqitur afro 70 masa të hollësishme.

Për ekonominë digjitale është propozuar që të mbështetet Pekini për të shtuar bashkëpunimin dhe shkëmbimet me anëtarët e DEPA-s në identitetin digjital, përfshirjen digjitale, sigurinë kibernetike, teknologjinë financiare dhe logjistikë. Lidhur me financën e gjelbër, është theksuar që duhet të nxitet hartimi dhe zbatimi i standardeve mbi financën e gjelbër dhe të eksplorohet përdorimi i standardeve që integrohen me standardet ndërkombëtare, si klasifikimi i bonove të gjelbra.

Si zona e parë pilot në Kinë për sistemin bazë të të dhënave, zona pilot e Pekinit është aktivizuar zyrtarisht në fillim të nëntorit 2023. Sipas zv.drejtorit të ekonomisë dhe informacionit të Pekinit, Wang Lei, ndërmarrjet në këtë zonë mund të marrin të parat shërbimet përkatëse digjitale, si shfrytëzimi i vlerës praktike të të dhënave, lidhja efikase me sistemin “ofrim e furnizim të dhënash”. Ndërsa në përgatitjen për megamodelin e inteligjencës artificiale, kërkimet shkencore, mjekimin klinik dhe kërkimet farmaceutike, do të zbatohet për herë të parë parimi i “portit mbrojtës”. Sipas tij, viti 2023 do të jetë faza e ndërtimit, 2024-2025 do të jetë faza e promovimit dhe 2026-2030 do të jetë faza e zhvillimit, kur kjo zonë pilot në Pekin do të bëhet zona digjitale me ndikime globale.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Shangai, qytet pilot për hapjen institucionale

Krahas Pekinit, edhe Shangai, si metropol me famë botërore, ka marrë mjaft masa pilot në hapjen e sektorit tregtar.

10 vjet më parë, në Shangai u krijua zona e parë pilot e tregtisë së lirë. Këtë herë, më 7 dhjetor 2023, Këshilli i Shtetit i Kinës publikoi “Projektin e përgjithshëm për nxitjen e hapjes institucionale me nivel të lartë të Zonës së Tregtisë së Lirë të Shangait me integrimin e gjithanshëm të rregullave tregtare me standarde të larta ndërkombëtare”, ku theksohet që, me hapjen institucionale në fushën e rregullave, rregulloreve, menaxhimit dhe standardeve, brenda Zonës së Tregtisë së Lirë të Shangait do të formohet i pari sistem rregullash dhe model mbikëqyrës që integrohet me rregullat tregtare me standard të lartë dhe do të krijohet zona demonstruese në rang kombëtar për hapjen institucionale. Në këtë zonë do të eksplorohen rrugë të reja dhe do të mblidhet përvojë e re mbi thellimin e gjithanshëm të reformës dhe zgjerimin e hapjes të Kinës.

Disa ditë më parë, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping bëri inspektim në Shangai, duke theksuar që ky qytet është pararojë e Reformës dhe Hapjes të Kinës dhe një metropol ndërkombëtar i lidhur thellësisht me tregun global, prandaj duhet të zbatojë thellimin e gjithanshëm të Reformës dhe Hapjes në një pikënisje më të lartë dhe të shtojë fuqinë e zhvillimit e të konkurrimit.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Hapja institucionale është një koncept i paraqitur në vitin 2018. Kjo do thotë që Kina po ndryshon mënyrën e saj të hapjes: nga lëvizja e mallrave dhe elementeve prodhuese në studimin, hartimin e mësimin e ndërsjellë, promovimin dhe integrimin e rregullave.

Gjatë këtyre pesë vjetëve, Kina ka arritur marrëveshje tregtare me vendet e RCEP-it dhe tani ka filluar të aplikojë për të hyrë në CPTPP dhe DEPA. Të gjitha këto kërkojnë që Kina të vazhdojë të zgjerojë hapjen në rang institucional.

Në këtë projekt të publikuar, janë paraqitur 80 masa të detajuara, të cilat mbulojnë shtatë drejtime të hapjes institucionale: përshpejtimi i hapjes së mëtejshme në tregtinë e shërbimeve; shtimi i lehtësimit për tregtinë e lirë; zbatimi për herë të parë i rregullave me standard të lartë të tregtisë digjitale; shtimi i mbrojtjes për të drejtat e pronësisë intelektuale; nxitja e reformave në blerjet qeveritare; nxitja e reformave në administrimin “tej kufirit” dhe shtimi i parandalimit e kontrollit të rreziqeve.

Ndër to, do të nxitet hapja me nivel të lartë në financë dhe telekomunikacion, do të ngrihet niveli i lehtësimit në financimin ndërkufitar, do të mbështetet ndërtimi i qendrës së menaxhimit të fondeve për kompanitë ndërkombëtare, do të përmirësohet cilësia e shërbimeve në telekomunikacion dhe do të drejtohet hapja institucionale në sektorin e shërbimeve.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Për publikimin e këtij projekti, “The Paper” komenton që kjo tregon që Reforma dhe Hapja në Kinë po shndërrohet nga niveli i politikave në nivel institucional. Publikimi i këtij projekti me masa të detajuara është nisja e vërtetë e zbatimit të konceptit “hapje institucionale”, si edhe ngritja e nivelit të hapjes së tregut kinez ndaj tregut botëror. (Jiang Lei)