Zbulohet dizajni i anijes me energji bërthamore
2023-12-08 11:18:13

Foto nga sohu.com

Foto nga sohu.com

Kina ka zbuluar një dizajn konceptual për atë që mund të bëhet anija më e madhe e kontejnerëve me energji bërthamore në botë.

Anija, e cila ende nuk është emërtuar, do të ketë kapacitetin për të mbajtur 24,000 kontejnerë standardë. Me fjalë të tjera, do të jetë në gjendje të mbajë më shumë se 1 miliard kuti “iPhone” të “Apple”.

 

Dizajni konceptual, i realizuar nga kantieri i anijeve Jiangnan i Korporatës Shtetërore të Ndërtimit të Anijeve të Kinës në Shangai, u publikua të martën, me hapjen në qytet të ekspozitës katërditore “Marintec China 2023”.

Dizajni i anijes fitoi një certifikatë aprovimi në parim nga “DNV”, një nga shoqëritë kryesore të klasifikimit në botë.

 

Një studiues në kantierin detar të Jiangnan, i cili kërkoi të identifikohej vetëm si Hu, i tha “China Daily” të mërkurën se ideja për një anije kontejnerësh me energji bërthamore ishte rezultat i përpjekjes së kantierit detar për të kërkuar zgjidhje të energjisë së pastër.

 

"Ndërtuesit e anijeve në mbarë botën kanë qenë nën presion të madh nga bizneset e anijeve, investitorët dhe ambientalistët për të gjetur zgjidhje më të pastra të karburantit. Është e natyrshme që ne të marrim parasysh energjinë bërthamore",- tha ai.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Sipas statistikave të industrisë, operacionet e transportit detar përbëjnë rreth 3 për qind të emetimeve globale të gazeve serrë. Organizata Ndërkombëtare Detare është zotuar vazhdimisht të reduktojë emetimet e shkaktuara nga bizneset e transportit detar.

 

Hu tha se anija do të përdorë teknologjinë e reaktorit të kripës së shkrirë të gjeneratës së katërt, që ka një nivel shumë të lartë të sigurisë operacionale. "Dizajni i përgjithshëm bazohet në ato të anijeve tona të kontejnerëve. Inxhinierëve do t'u duhet vetëm të modifikojnë fuqinë dhe sistemet e tij shtytëse për t'iu përshtatur energjisë bërthamore",- tha ai.

 

Në një njoftim për shtyp të botuar të martën, kantieri i Jiangnan tha se përveç avantazheve të sistemit të saj bërthamor, anija do të ketë gjithashtu shpejtësi të lartë, kontrolle të lehta dhe më shumë hapësirë për kontejnerë. Sipas ekspertëve të teknologjisë bërthamore, një reaktor që funksionon me  kripë të shkrirë është një lloj reaktori bërthamor, në të cilin si ftohësi kryesor ashtu edhe karburanti janë përqendrime kritike të një materiali të zbërthyer të tretur në kripën e shkrirë.

 

Foto nga sohu.com

Foto nga sohu.com

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike tha se reaktorë të tillë janë konsideruar si një zgjidhje e avancuar premtuese për shkak të përfitimeve të ndryshme që lidhen me ta. Këta reaktorë mund të funksionojnë në temperatura më të larta, gjë që çon në rritjen e efikasitetit në prodhimin e energjisë, sipas agjencisë. Presionet e ulëta të funksionimit brenda një reaktori me kripë të shkrirë mund të zvogëlojnë rrezikun e një thyerjeje të madhe dhe humbjes së ftohësit si rezultat i një aksidenti, duke rritur kështu sigurinë e reaktorit.

Gjithashtu, ato gjenerojnë më pak mbetje radioaktive të nivelit të lartë dhe dizajni i tyre nuk kërkon karburant të ngurtë, duke eliminuar grumbullimin dhe nevojën për asgjësim, tha agjencia.

 

Aktualisht, e vetmja anije mallrash me energji bërthamore në shërbim aktiv në botë është “Sevmorput” e Rusisë, e cila u ndërtua në vitin 1988.