Foto nga instagrami
Në Teatrin Metropol është vënë në skenë premiera e shfaqjes për fëmijë “Të kujt janë këpucët”. Kjo është një vepër e autorit britanik Mike Kenny, e cila na njeh me historinë e ndjeshme të rivalitetit mes dy motrave. Eldamina motra e madhe, adhuron të kërcejë si Hirushja, madje mbajti edhe këpucët e famshme prej qelqi! Por gëzimi i saj hijezohet nga xhelozia ndaj motrës së saj të vogël. Ndërsa Imelda Baglady, me një karakter unik, përcjell rrëfimin, duke ndërtuar histori rreth objekteve të saj të dashura, përfshirë një palë këpucë të veçanta, pretenduar se janë nga Hirushja. Në një moment zemërimi, Eldamina hedh këpucët e çmuara në liqen, duke shkaktuar ngjarje që ndryshojnë jetën e familjes së tyre. Udhëtimi i Eldaminës për të gjetur këpucët çon në një realizim emocionues të dashurisë për motrën e saj të vogël, duke ia dhuruar në fund këpucët e Hirushes. Në Radio Ejani flet për këtë shfaqje, përkthyesja dhe njëkohësisht regjisorja e e shfaqjes Suela Xhonuzi.
Suela Xhonuzi Regjisore (Foto nga facebook)
CMG: Ju jeni regjisorja e kësaj shfaqjeje, por njëkohësisht edhe përkthyesja e veprës së autorit Mike Kenny. Çfarë ju tërhoqi tek kjo vepër?
Suela Xhonuzi: Mike Kenny është një autor, veprat e të cilit janë vendosur edhe më herët në skenën e Teatrit Metropol. Ai shkruan shpesh për fëmijët. Kenny Është një nga autorët më të vlerësuar të dekadave të fundit në Mbretërinë e Bashkuar. Sa herë na bie në dorë një vepër e tij është me kuriozitet për të parë se ku i shkon fantazia apo çfarë mesazhesh përcjell. Autori ka gjithmonë një sens shumë të këndshëm humori dhe përcjellje mesazhesh për fëmijët, në mësimet që ata duhet t’i marrin në jetën e përditshme, përfshirë këtu edhe xhelozinë mes një motre apo vëllai, mes fëmijëve me njëri-tjetrin, rivalitetin, dëshirën për të ndarë gjërat, apo për të mbajtur për vete, duke e çuar gjithmonë në drejtimin që duhet të zgjedhë një fëmijë “i mbarë”, si e themi ne. Dëshira për të edukuar fëmijët është ajo që ka si parim kryesor teatri Metropol, sa herë që vendos shfaqje që i përket kategorisë së fëmijëve, grupmoshave të ndryshme deri në 12 apo 14 vjeç, që janë duke u orientuar në drejtimin që do të marrin në jetën e tyre, formimit të tyre, përveç asaj që mësojnë në shkollë apo nga prindërit. Vepra është shumë interesante, flet për një vajzë që ka një fantazi të shfrenuar, për të krijuar histori rreth sendeve që të gjithë prej nesh i kemi rrotull në shtëpitë tona. Është një vajzë e cila ka dëshirë që të jetë në qendër të vëmendjes dhe të sjellë atë çfarë i sjell fantazia për ta ndajë me të tjerët.
Shfaqja Te kujt janë këpucët (Foto nga instagrami)
CMG: Na tregoni disa detaje për zhvillimin e ngjarjes...
Suela Xhonuzi: Ngjarjet zhvillohen në dhomën e gjumit të një vajze të re. Audio, muzika është ajo që e shoqëron përgjatë gjithë kohës veprën, e cila zgjat 30 minuta, aq sa është edhe përqëndrimi i një fëmije për të ndjekur një ngjarje. Është një personazh shumëngjyrësh, që improvizon histori dhe improvizon edhe komunikim në telefon, që telefoni janë këpucët e shumta që ajo ka rreth e rrothull. Kemi një skenografi shumë të bukur e punuar Blegina Bezo,e cila ka sjellë një ambjent mjaft të ngrohtë, të dashur, e artistik për fëmijët dhe është pëlqyer shumë.
CMG: A ka pasur ndryshime përkthimi për shfaqje nga origjinali?
Suela Xhonuzi: Nuk kemi dalë shumë nga përkthimi, por kemi përshtatur qasjen për personazhin sepse kemi dashur që personazhi ynë në skenën e teatrit, të jetë pak më i dashur se ajo që ka përcjellë autori në veprën e tij, i cili ka përzgjedhur një personazh që jeton në një ambjent disi më të zymtë, me sende të vjetra rreth e qark dhe që tregon histori me këto vjeturina që mbledh aty -këtu. Por ne kemi dashur që të jemi më me dritë për shikuesit e vegjël dhe të japim pak më shumë dashuri dhe ngrohtësi në skenën tonë. Dhe na ka funksionuar shumë mirë kjo gjë.
Shfaqja Te kujt janë këpucët (Foto nga instagrami)
CMG: Si e kanë pritur fëmijët?
Suela Xhonuzi: Deri tani fëmijët e kanë pritur shumë mirë, ne jemi shumë të kënaqur, me gjithë qasjen dashurinë dhe afrimitetin që kanë pasur fëmijët edhe në fund të veprës. Ata janë ngjitur në skenë për të kërcyer bashkë me aktorët për të bërë foto, e për të ndarë gjithë dashurinë e tyre, e gjithë të qeshurat e tyre. Më vjen shumë mirë për këtë, është shumë bukur ta shohësh që funksionon në këtë lloj mënyre. Premiera ishte të shtunën, gjithashtu patëm shfaqje edhe të djelën në orën 11.00 në teatrin Metropol. Fëmijët e pëlqyen shumë shfaqjen dhe e kanë duartrokitur pafund aktoren kryesore Silvana Brahimataj, të cilën e falenderoj sinqerisht për gjithë dashurinë e madhe që i ka dhënë rolit, gjithë dashurinë që ka ndarë me fëmijët, ndërsa tregonte historinë e fatit që kanë pasur këpucët e Hirushes ndër vite. Po ashtu është edhe aktorja tjetër Luisa Dinellari, e cila shfaqet në fund të skenave, por ka një rol shumë domethënës, është motra e aktores kryesore, dhe është ajo që vjen dhe përcjell mesazhin që, ne duhet të ndajmë gjërat me njëri-tjetrin, pra nuk ka arsye për të pasur një rivalitet dhe një tërheqje të sendeve personale mes motrash. Shpresoj që të vijojë kështu edhe në javët në vazhdim. Shfaqja do të jetë në Teatrin Metropol për disa javë me rradhë edhe gjatë muajit janar.
Shfaqja Te kujt janë këpucët (Foto nga instagrami)
Kenny është një autor dhe dramaturg i njohur për punën e tij për audiencën e fëmijëve dhe të rinjve. Ai ka pasur një kontribut të rëndësishëm në teatrin për fëmijë dhe ka krijuar vepra që janë të njohura, për të pasur ngjarje emocionuese dhe mësime thelbësore për audiencën e tij të vogël.
Intervistoi: Sava Lena