Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës- porta ajrore e Jugut të Shqipërisë
2023-12-08 11:21:57

Projekti i aeroportit të Vlorës (Foto ATSH)

Projekti i aeroportit të Vlorës (Foto ATSH)

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës pritet të nisë fluturimet në muajt mars ose prill të vitit 2025. Kryeministri Edi Rama dhe Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku e kumtuan këtë lajm pak ditë më parë, gjatë vizites ne kantierin e ndërtimit të këtij aeroporti.  Aeroporti është i kategorisë 4E, një nga kategoritë më të larta në Ballkan, e cila mund të përpunojë edhe avionë transoqeanikë. 

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës në vitin e parë të operimit do të ketë pasagjerë më shumë se parashikimet. Nga parashikimi në planin e biznesit për vetëm 330 mijë pasagjerë në vitin 2025, me ritmin e rritjes së turizmit në Shqipëri, sipas ZvKryeministrjes dhe Ministrjes se Infrastruktures dhe Energjise Belinda Balluku, Aeroporti i Vlorës do të arrijë të presë për vitin 2025 më shumë se 1 milion pasagjerë.

Pista e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës do të jetë e gjatë 3.2 km me gjerësi 60 metra dhe terminali i pritjes dhe përpunimit të pasagjerëve do të ketë një hapësirë  20 mijë metër katrorë, e mjaftueshme për të përpunuar edhe 3 milionë pasagjerë në vit.

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës në vitin e parë të operimit do të ketë pasagjerë më shumë se parashikimet. Nga parashikimi në planin e biznesit për vetëm 330 mijë pasagjerë në vitin 2025, me ritmin e rritjes së turizmit në Shqipëri, sipas ZvKryeministrjes dhe Ministrjes se Infrastruktures dhe Energjise Belinda Balluku, Aeroporti i Vlorës do të arrijë të presë për vitin 2025 më shumë se 1 milion pasagjerë.

Punimet për ndërtimin e aeroportit të Vlorës (Foto ATSH)

Punimet për ndërtimin e aeroportit të Vlorës (Foto ATSH)

Aeroporti do të jetë i mbuluar me panele diellore,  duke u marrë masa që të mos krijohen probleme me reflektimet e paneleve gjatë uljes e ngritjes së avionëve  në aeroport. Panelet do të prodhojnë 5.2 megavat energji të rinovueshme, e cila do të shkojë e gjitha për nevojat e aeroportit.

Krahas punishtes së mirëmbajtjes së avionëve, Aeroporti i Vlorës do të ketë edhe Akademinë  e Pilotëve shqiptarë të aviacionit civil. Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës do ta menaxhojë autoriteti aeroportual që menaxhon Aeroportin e Mynihut në Gjermani, një ndër më të mëdhenjtë në botë. 

Sipas të dhenavë të studimit të leverdisshmërisë, Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës do ta rrisë ekonominë rajonale të Vlorës me mbi 11 përqind çdo vit, ndërsa ekonominë e Shqipërisë me mbi 0.3 përqind. Në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës eksperti i aviacionit civil Altin Progonati flet për ndërtimin e këtij aeroporti dhe impaktin që pritet të ketë në ekonominë shqiptare

CMG: U mbushën dy vjet nga nisja e ndërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Ndërtuesit janë optimistë se aeroporti do të nisë fluturimet, pra operimin, në muajt mars ose prill 2025. Po ju?

Altin Progonati: Duke patur parasysh ritmin e punimeve, si edhe firmën që po e ndërton, them se është e realizueshme.

CMG: Sot në botë ndërtohen shumë pak aeroporte të rinj nga e para.

 Altin Progonati: Po, është e vërtetë.

Eksperti i aviacionit A.Progonati në intervistë për CMG

Eksperti i aviacionit A.Progonati në intervistë për CMG

CMG: A është rasti i Vlorës shumë i rrallë në Evropë dhe më gjerë?

Altin Progonati: Rasti i Vlorës është i rrallë, por duhet patur parasysh që aviacioni civil në Shqipëri ka filluar dhe është zhvilluar shumë më pas. Bota është stabilizuar tashme me aeroportet, me nevojat që kanë, me investimet e tyre dhe ne mbetemi rast unik në aviacionin civil, pasi, të themi të vërtetën, aviacioni ynë civil ka filluar pas viteve ’90-të të fuqizohet dhe të rritet.

CMG:  A është gjë e mirë që pista e aeroportit të Vlorës do të jetë më e gjatë se ajo e Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit? Po ashtu edhe në gjerësi. Rinasi ka patur shifra rekord të numrit të pasagjerëve në vitet e fundit. A i rrisin nivelin e sigurisë dhe të standardit këto parametra kryesorë të një aeroporti?

Altin Progonati: Patjetër, sidomos në rastin e Vlorës, pista në përmasat që është deklaruar dhe që po ndërtohet, është me vërtetë një nga pistat më të mira që do të kemi në Shqipëri. Do të jetë mëse funksionale, do jetë tepër  e pranueshme edhe për kategorinë e avionëve që pretendon aeroporti i Vlorës që të tërheqë. Pra, duke futur këtu kategorinë e avionëve Boing dhe Airbus të mëdhenj. Pista të tilla janë nëpër aeroportet më kryesorë të botës, mund të them që  aeroporti i Dubait ka të njëjtën pistë, aeroporti i Mynihut ka të njëjtat përmasa piste të njërës nga pistat,  ai i Romës është  pothuajse afërsisht i njëjtë. Pra, janë aeroporte që kanë një emër në botë, në industrinë e aviacionit dhe Vlora i përafrohet këtyre.

CMG: Ju jeni shprehur dhe në dalje të tjera publike tuajat, që vendi ku është zgjedhur ndërtimi i këtij aeroporti është strategjik. Ndërkohë, në atë pjesë të Gjirit të Vlorës, terreni është pak metra nën nivelin e detit. E shton kjo vështirësinë e ndërtimit të aeroportit?

Altin Progonati: Vështirësinë e ndërtimit e shton dhe prandaj është edhe kjo kosto e saj,  sepse pista është mbushur, është ngritur në nivel. Me sa di unë, ka dalë 2.5 m  më lartë se sa niveli i terrenit. Kjo ka shtuar pak kostot, por janë kosto të rikuperueshme, duke patur parasysh kredibilitetin dhe fizibilitetin e aeroportit, si dhe kredibilitetin e firmës ndërtuese dhe shumë faktorë të tjerë që lidhen me të.

CMG: Studimi i leverdisshmërisë ka parashikuar, por edhe shumë ekonomistë të vendit janë shprehur se ekonomia e rajonit të Vlorës do të rritet me 08-11 përqind çdo vit të operimit të aeroportit dhe ekonomia e Shqipërisë me 0.3 përqind. Do të arrihen këto parashikime, sipas jush?

Altin Progonati: Po të flasim në terma ekonomike, aeroportet janë një  industri e cila sjell fitime, në momentin kur ndërtohen dhe menaxhohen në pozicionin e duhur, në rajonin e duhur dhe në mënyrën e duhur.

Aeroportet nuk përfshihen vetëm brenda atij rrethimit që ka aeroporti. Aeroporti është një industri që zgjatet edhe përtej kufijve të vetë aeroportit. Pra, le të themi që aeroporti do të shoqërohet me pika turistike, meqënëse ky aeroport do të ndërtohet afër detit. Do të shoqërohet me hoteleri e me industri te tjera, duke futur këtu edhe aktivitete brenda aeroportit dhe jashtë tij.

Pra, do të shtohet transporti, do të shtohet hoteleria, do të shtohen kafene, bare dhe aspekte të tjera që janë jashtë aeroportit, por që lidhen me aeroportin dhe nuk janë të shkëputura nga terreni ku ndodhet aeroporti. Aeroporti i Vlorë është pjesë integrale  e sistemit ekonomik të rajonit dhe Shqipërisë tashmë.

Kryeministri Rama në inspektimin e punimeve të Aeroportit të Vlorës (Foto MIE)

Kryeministri Rama në inspektimin e punimeve të Aeroportit të Vlorës (Foto MIE)

CMG: Ç’do të thotë që një aeroport ndërkombëtar i vendit të menaxhohet nga autoriteti menaxhues i Aeroportit të Mynihut?

Altin Progonati: Duke e lidhur me atë që thashë pak më parë, që industria e aviacionit civil në Shqipëri është relativisht e re, menaxhimi nga aeroporti i Mynihut është që ti merr një kompani eksperte, që është mëse e njohur në botë për menaxhimin e aeroporteve.

Ata kanë sukses të madh dhe, në mos gaboj, po menaxhojnë edhe aeroportin e Kajros dhe aeroporte të tjera në botë, që do të thotë se janë ekspertë të plotë në këtë fushë. Kjo do të thotë që janë garanci më tepër për suksesin e këtij aeroporti.

CMG: Aeroporti i Vlorës do të jetë edhe aeroport cargo, për avionë mallrash, edhe  pikë, ofiçinë mirëmbajtjeje për avionët. Sa e kompletojnë këto aktivitete aeroportin dhe a mund të përdoren ato për të rritur të ardhurat e tij, duke patur parasysh edhe kushtin që kemi në kontratë, që nëse në 10 vitet e para nuk arrihet një vëllim i caktuar të ardhurash, shteti ynë do të jetë i detyruar të rimbursojë?

Altin Progonati: Mesa kam parë dhe duke dëgjuar strategjinë që i ka vendosur vetes aeroporti i Vlorës, them se është mëse e arritshme. Pjesa e cargos është një ndihmesë e madhe për arritjen e të ardhurave të dëshiruara. Dhe, përveç cargos, ka edhe aktivitete të tjera, duke futur këtu fluturimet charter, duke futur këtu bizneset që do i bashkëngjiten aeroportit.

Flas ketu për duty free, për dyqanet që do hapen në terminalin e aeroportit, parkingu i aeroportit dhe vetë infrastruktura shoqëruese, që e ndihmon aeroportin të funksionojë normalisht.

CMG: Ne ndertimin e aeroportit po angazhohen rreth nje mije punetore. Sa do te jete numri i punonjesve te perhershem te aeroportit?

Altin Progonati: Aeroportet kanë nevojë për staf, sepse kanë shumë struktura brenda tyre.  Këtu dua të fus zjarrfikëset, shërbimet e sigurisë, dua të fus këtu edhe pjesën shtetërore, policinë kufitare, doganën dhe shumë agjensi të tjera, të cilat që do të  merren me aeroportin. Pra, aeroporti në vetevete do të hapë vende pune, diku tek 400-450 punonjës minimalja.

Flas në fillim, se më pas stafi do të zgjerohet. Kjo do të varet edhe nga menaxhimi që do të bëhet. Për këtë, siç thamë, jam optimist, sepse kompania që menaxhon aeroportin e Mynihut është një nga kompanitë më të mirat në botë.

CMG: Krahas ekspertëve të huaj, do të jetë shumica staf lokal?

Altin Progonati: Edhe me logjikë ekonomike, stafi duhet të jetë lokal, sepse eliminon shumë shpenzime për punëdhënësin.

Sigurisht do të jetë pak vështirë të gjesh specialistët në zonë, por specialistët trajnohen, edukohen, mësohen dhe përgatiten, që të jenë pjesë e aeroportit.

Pra, me pak investim, do të krijohet një pol i ri i specialistëve të aviacionit në Vlorë, duke marrë parasysh që  Vlora ka një traditë shumë të gjatë në aviacion.

Në mos gaboj,  fluturimet e para në Vlorë janë bërë në vitin 1914. Pastaj, në vitet 1930-të, ka qënë aerodromi i Vlorës deri vonë, por që tashmë, fatkeqësisht, është kthyer në fushë të pa përdorur.

Por edhe shkolla e aviacionit ka qënë në Vlorë, pra aviacioni luftarak shqiptar.  Kështu që Vlora ka qënë një qëndër e zëshme e aviacionit dhe më vjen shumë mirë që po kthehet përsëri në situatën ku ka qënë më parë.

CMG: Permendet shkollen e meparshme te aviacionit. Aeroporti i Vlores do te strehoje edhe nje Akademi te Piloteve Shqiptare. Si ju duket si ide, e realizueshme?

Altin Progonati: Nuk ka asgjë të parealizueshme, kur është dëshira e mirë dhe vullneti i mirë. Por, akademia ka pak vështirësi, nëse flasim për përgatitje pilotësh dhe teknikësh, që është baza e aviacionit dhe prej tyre rrjedhin edhe degët e tjera, trajnimi i pilotëve kërkon një infrastrukturë shumë të detajuar.

Nuk flasim këtu për klasa, material, pedagogë, fletore, etj., por flitet për avionë që do të trajnojnë këta pilotë, flitet për logjistikë, për karburantin që do të përdorin këta avionë, për zonat e fluturimit që iu duhen këtyre avionëve.

Të mos harrojmë që afër është aeroporti ushtarak i Kuçovës i cili  ka zonat e veta  të fluturimit dhe që mund të ndodhin përplasje të zonave të fluturimit. Të gjitha këto vendosen nga shteti dhe është shteti qe i rregullon këto gjëra. Prandaj dhe nuk ka asgjë të pamundur që nuk bëhet. Por, akademia kërkon këto detajet që thashë, por jo së është e pamundur. Nuk ka asgjë të pamundur sot.

CMG: Do ketë rrezik, në gykimin tuaj, për një konkurrencë, mes Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit, i cili tashmë po mbingarkohet, sidomos me parkingun e avionëve, me aeroportin e ri të Vlorës?  

Altin Progonati: Këtu duhet një menaxhim i mirë dhe tepër i kujdesshëm, sepse aeroporti i Rinasit, siç dhe ju e përmendët po mbingarkohet tashmë pasi janë shtuar dy kompani low cost, të cilat kanë sjellë një numër të caktuar avionesh, që janë të stacionuar në Rinas.

Me sa di, kompania me kosto të ulët WizzAir ka flotën  të stacionuar me 11 avionë në Tiranë, Rinas. Kompania RyanAir do të bëjë të njëjtën gjë. Të mos harrojmë se kemi kompaninë Air Albania, kompaninë tonë flamurmbajtëse, pasta është AlbaWings. Këto janë kompani aktualisht të stacionuara në Rinas, në Tiranë.

Këta avionë duan edhe mirëmbajtjen e tyre dhe në aeroportin e Rinasit nuk mund të bëhet mirëmbajtja e avancuar.

Mirëmbajtja e thjeshtë bëhet para dhe pas çdo fluturimi, por po flas për pjesën kur avionet futen në hangar dhe u shërbehet, u bëhen punimet e motorrit si dhe u bëhen punimet e detajuara që ne i themi  në aviacion “AIC”.

Për këto punime duhet edhe  liçensë nga fabrika që prodhon avionin dhe teknikët të jenë të përgatitur dhe të çertifikuar. Çertifikimi është pjesë shumë e rëndësishme.

Unë e shikoj të mundur këtë. Atëhere, shteti duhet të bëjë një menaxhim të këtyre resurseve, të avioneve dhe kompanive që vijnë. Kompania menaxhuese duhet të ofrojë Vlorën. Dhe duhet të jetë kompania që do të menaxhojë aeroportin, e cila do merret eksluzivisht me këtë pjesë.

Departamenti i marketingut i aeroportit do të merret me këtë pjesë, që të ofrojë sa më shumë kompani të tilla.  Nuk e kam përmendur ndonjëherë, por Aeroporti i Vlorës do të ketë një zonë për avionët charter. Jo vetëm charter që sjellin pasagjerë, por edhe aviona privatë, që ne i themi “general aviation”, të cilët do të parkohen në aeroport dhe do të qëndrojnë aty.

CMG: Ju e përmendët pak më përpara, por a jeni ju besimplotë që treguesit financiarë të këtij aeroporti, shumë të rëndësishëm për ekonominë e Vlorës, por edhe të Shqipërisë, do të realizohen?

Altin Progonati: Po të bëj një analizë të thjeshtë. E para, Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës ndodhet në një nga zonat më të populluara të Shqipërisë.

Pra, kemi qytetin e Vlorës, qytetin e Beratit, qytetin e Lushnjës dhe të Fierit, të cilët jane rreth e rrotull aeroportit në distanca shumë të afërta.  Banorët e këtyre zonave do të preferojnë të zgjedhin aeroportin e Vlorës në vend të atij të Rinasit, për të shkuar kudo në botë.

E dyta, aeroporti i Vlorës ndodhet shumë afër pjesës më të bukur bregdetare, flas për bregdetin e Jugut të Shqipërisë. Do të jetë porta ajrore e Jugut.

Po ashtu, edhe hapja e Tunelit të llogarasë, së shpejti, do e afrojë shumë Jugun e vendit me aeroportin. Kjo do të sjelli prapë prurje të madhe të turistëve, që duan të frekuentojnë Jugun.

Gjithashtu, kanë rol këtu edhe strategjite që do të zgjedhë kompania menaxhuese, duke futur tranzitin e fluturimeve. Pra, një avion që vjen nga Europa dhe shkon në Lindjen e Largët, mund të ndalojë në aeroportin e Vlorës. dhe me pas të vazhdojë për në destinacionin tjetër.

Kështu që edhe tranziti do të jetë shumë i rëndësishëm për të ardhurat e aeroportit. Pra, unë e shikoj objektivin financiar të Aeroportit mëse të arritshëm.

 

Intervistoi Fatos Çoçoli