Para realitetit që temperaturat globale shënojnë vazhdimisht nivele rekord dhe ndikimet e motit ekstrem po rëndohen, konferenca për ndryshimet klimatike COP28 filloi më 30 nëntor në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe. Ky është një takim shumë i rëndësishëm në procesin e përballimit shumëpalësh të ndryshimeve klimatike. Në konferencën dyjavore marrin pjesë më shumë se 70 000 të ftuar, duke përfshirë krerë shtetesh ose qeverish të 167 vendeve, përfaqësues në bisedimet për ndryshimin e klimës, aktivistë, sipërmarrës, duke e bërë COP28-n konferencën më të madhe të këtij lloji.
Pavijoni i Kinës në COP28(Foto:VCG)
Ajo që bie veçanërisht në sy është se në këtë konferencë do të kryhet vlerësimi i parë i gjithanshëm për përparimet e arritura dhe mangësitë përkatëse gjatë zbatimit të Marrëveshjes së Parisit të vitit 2015.
Në këtë drejtim, Kina jo vetëm ka shprehur qëndrime pozitive, por edhe ka ndërmarrë veprime konkrete.
Ministria e Ekologjisë dhe e Mjedisit e Kinës publikoi ditët e fundit "Raportin vjetor mbi politikat dhe veprimet e Kinës për të përballuar ndryshimet klimatike 2023 ". Sipas raportit, deri në vitin 2022, intensiteti i lëshimit të karbonit në Kinë është ulur më shumë se 51 % në krahasim me vitin 2005 dhe energjia jofosile zë 17.5% të totalit të energjisë së konsumuar. Deri në gjysmën e parë të vitit 2023, vëllimi i kapacitetit të instaluar të prodhimit të energjisë elektrike me anë të energjisë së rinovueshme arriti në 1.322 miliardë kilovatë, duke zënë 48.8 % të kapacitetit të përgjithshëm të instaluar dhe duke e kaluar për herë të parë në histori atë prej qymyrgurit. Deri në fund të qershorit të vitit 2023, numri i automjeteve me energji të reja arriti në 16.2 milionë, duke zënë mbi 50 % të automjeteve me energji të reja në botë.
Ndërkohë, funksionimi i mbarë i tregut kombëtar të tregtimit të të drejtave të lëshimit të karbonit është një veprim i spikatur. Më 16 korrik të vitit 2021, tregu filloi funksionim online. Pas më shumë se dy vjet ndërtimi dhe funksionimi, janë ngritur në mënyrë të dukshme ndërgjegjshmëria dhe aftësia e ndërmarrjeve për të ulur lëshimin e karbonit, duke luajtur një rol aktiv në realizimin e objektivave të Kinës për arritjen e kulmit të lëshimit të karbonit deri në fund të vitit 2030 dhe asnjanësimin e karbonit në vitin 2060.
Përveç këtyre, si një vend i madh i përgjegjshëm në zhvillim, Kina ka qenë gjithmonë një promovuese aktive dhe praktikuese e bashkëpunimit Jug-Jug në përballimin e ndryshimeve klimatike. Vitet e fundit, përmes bashkëpunimit në ndërtimin e zonave demonstruese, zbatimin e projekteve për zbutjen dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, zhvillimin e trajnimeve etj., Kina ka ofruar ndihmë dhe mbështetje për vendet e tjera në zhvillim, sidomos vendet e vogla ishullore, vendet më të pazhvilluara, si dhe ato afrikane.
Më 16 tetorin e sivjetshëm, Kina dhe Guineja e Re Papua nënshkruan në Pekin një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin në ndërtimin e zonës së demonstrimit të lëshimit të ulët të karbonit brenda kornizës së bashkëpunimit Jug-Jug për trajtimin e ndryshimeve klimatike.
Sipas memorandumit, Kina do të ndërtojë bashkërisht me Guinenë e Re Papua zonën e demonstrimit të lëshimit të ulët të karbonit Tali, nëpërmjet ndihmave si projekti i integruar i prodhimit (1.5 MW) dhe ruajtjes së energjisë elektrike me pajisje fotovoltaike (0.5 MW), 200 komplete dritash rrugore me energji diellore, dhe pajisjeve për pastrimin e ujit të shiut, për ta ndihmuar Guinenë e Re Papua të ngrejë aftësinë për të përballuar ndryshimet klimatike.
Foto:VCG
Sipas të dhënave statistikore të Ministrisë së Ekologjisë dhe të Mjedisit, deri tani, Kina ka nënshkruar 48 dokumente bashkëpunimi me 40 vende në zhvillim, ka mbajtur gjithsej 52 kurse trajnimi në kuadër të bashkëpunimit kundër ndryshimeve klimatike Jug-Jug dhe ka trajnuar rreth 2300 profesionistë në fushën përkatëse, duke dhënë ndihmë praktike dhe duke u vlerësuar lart nga shumë vende në zhvillim.
Lidhur me COP28-in, Kina shpreson të bashkëveprojë me palët e ndryshme për të thelluar “praktikimin e përbashkët”, duke dërguar sinjal pozitiv për forcimin e bashkëpunimit.
Në vijim janë disa pika të qëndrimit të Kinës mbi këtë çështje.
Së pari, të kryhet një “inventar” global duke u fokusuar në zbatimin. Vlerësimi global duhet ta marrë zbatimin si pikënisje dhe synim, të vlerësohen në mënyrë të gjithanshme dhe të balancuar përparimet dhe boshllëqet në zbatimin e Marrëveshjes së Parisit, të shkëmbehen rezultatet dhe përvojat, në veçanti mbi respektimin e fazave dhe kushteve të ndryshme të secilit vend, duke e bërë si duhet “inventarin” për mangësitë e vendeve të zhvilluara në mbajtjen e premtimeve, për të zbatuar detyrimet e tyre në uljen e lëshimit të karbonit dhe sigurimin e mbështetjes financiare, teknike dhe në krijimin e kapaciteteve, duke hequr pengesat e mëdha në bashkëpunimin ndërkombëtar për zbatimin e balancuar dhe efektiv të Marrëveshjes së Parisit.
Së dyti, të merren parasysh plotësisht shqetësimet e vendeve në zhvillim. Vendet e zhvilluara mbajnë përgjegjësi të pazëvendësueshme historike për ndryshimet klimatike globale dhe kanë aftësi reale për ta përballuar këtë problem. Vendet e zhvilluara duhet të përmbushin si duhet premtimet e tyre për të dhënë çdo vit 100 miliardë dollarë financim për vendet në zhvillim dhe të hartojnë një plan për dyfishimin e fondeve, duke dhënë kontribute më të mëdha në realizimin e objektivave të reja kolektive të financimit pas vitit 2025. Në COP28 duhet të merret një vendim i fortë, të përfundojë krijimi i mekanizmit të shpërblimeve, t’u jepet përgjigje plotësisht thirrjeve që bëjnë prej kohësh vendet në zhvillim për financim, teknologji dhe krijim të kapaciteteve.
Së treti, të nxitet në mënyrë pragmatike një transformim i gjelbër i drejtë. Përballja e ndryshimeve klimatike duhet të jetë e vazhdueshme, duke u bazuar mbi kushtet dhe aftësitë e çdo vendi. Parullat boshe, kërkesat jorealiste dhe standardet e njëjta mund të duken ambicioze, por në fakt ato minojnë procesin e ecurisë shumëpalëshe. Përballja si duhet e ndryshimeve klimatike kërkon qëndrim aktiv dhe pragmatik. Pjesëmarrësit në COP28 duhet të promovojnë një koordinim efektiv midis përballimit të ndryshimeve klimatike, zhdukjes së varfërisë, sigurisë energjetike, krijimit të vendeve të punës dhe zhvillimit ekonomik, për të çuar përpara transformimin e drejtë, drejt krijimit të shoqërisë njerëzore me lëshim të ulët karboni dhe rezistente ndaj ndryshimeve klimatike.
Foto:VCG
Së katërti, duhet bashkim dhe bashkëpunim kundrejt ndryshimeve klimatike. Multilateralizmi i vërtetë është rruga thelbësore për të trajtuar ndryshimet klimatike. Para sfidave të përbashkëta, të gjithë anëtarët e "fshatit global" i takojnë të njëjtit komunitet me fate të përbashkëta dhe vetëm përmes bashkëpunimit mund të përballohen efektivisht këto sfida. Kina propozon që të gjitha palët t'i përmbahen multilateralizmit të vërtetë dhe të braktisin masat e njëanshme të çfarëdo forme. COP28 duhet t'u përmbahet objektivave, parimeve dhe rregullimeve institucionale të Konventës Kornizë të OKB-së mbi Ndryshimet Klimatike dhe të Marrëveshjes së Parisit, të dërgojë një sinjal të fortë për të promovuar bashkëpunimin e të gjitha palëve për të garantuar përparimin e vazhdueshëm dhe të mbarë të qeverisjes klimatike globale.
COP do të thotë Konferenca e Palëve pjesëmarrëse në Konventën Kornizë të OKB-së mbi Ndryshimet Klimatike (UNFCCC), e cila u mbajt për herë të parë në Berlin në vitin 1995 dhe që zhvillohet një herë në vit. Marrëveshja e Parisit, e miratuar në konferencën e zhvilluar në vitin 2015 në Paris, konsiderohet si një arritje e rëndësishme historike në procesin e qeverisjes globale të klimës. Objektivi i saj kryesor është të mbahet nën 2 gradë celsius ngritja e temperaturës mesatare botërore brenda këtij shekulli në krahasim me nivelin para industrial, duke bërë përpjekje për ta kufizuar nën 1.5 gradë celsius. Qeveria kineze ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në arritjen, nënshkrimin, hyrjen në fuqi dhe zbatimin e Marrëveshjes së Parisit. Sekretari i Përgjithshëm i atëhershëm i OKB-së Ban Ki-moon deklaroi në shumë raste se pa përpjekjet e Kinës, nuk do të kishte Marrëveshje të Parisit.
Deri më tani, më shumë se 150 vende dhe rajone në mbarë botën kanë marrë angazhime për asnjanësimin e karbonit, duke mbuluar mbi 85% të PBB-së globale dhe mbi 80% të popullsisë botërore.