Krijimi i "versionit të përmirësuar" të marrdhënieve Kinë-BE
2023-12-08 16:16:33

foto nga VCG

foto nga VCG

Të enjten u zhvillua në Pekin Samiti i 24-t Kinë-BE. Gjatë takimit me presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidenti i Kinës Xi Jinping theksoi se të dyja palët duhet t'i përmbahen pozicionimit të saktë të partneritetit të gjithanshëm strategjik, të kenë një njohje të saktë për njëra-tjetrën dhe t'i zhvillojnë marrëdhëniet ndërmjet tyre me gjithë zemër. Përfaqësuesit e lartë evropianë vunë në dukje që BE-ja nuk synon shkëputjen nga Kina dhe shprehën besimin se zhvillimi i qëndrueshëm afatgjatë i ekonomisë kineze është në interes të Evropës. Sipas vëzhguesve, përballë një bote më të trazuar, Kina dhe BE-ja kanë dërguar një sinjal pozitiv për t'i trajtuar sfidat nëpërmjet dialogut dhe bashkëpunimit, gjë që ia vlen të mirëpritet.

foto nga VCG

foto nga VCG

Ky vit shënon 20-vjetorin e krijimit të partneritetit të gjithanshëm strategjik ndërmjet Kinës e BE-së dhe 25-vjetorin e krijimit të mekanizmit të Samitit Kinë-BE. Ekspertët janë të mendimit se, bazuar në koordinatat historike të marrëdhënieve Kinë-BE, ky takim ka një rëndësi të madhe si një lidhje ndërmjet së shkuarës dhe së ardhmes. Të dyja palët presin me padurim përmbledhjen e përvojave të shkëmbimit, konsolidimin e momentit të mirë të komunikimit të ngushtë të nivelit të lartë dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të ardhmen.

Si duhet parë Kina? Përgjigjja për këtë pyetje në fakt është dhënë para 20 vjetëve, që është "si partnere e gjithanshme strategjike”. Në këtë takim, presidenti Xi Jinping theksoi edhe një herë pozicionimin e saktë të marrëdhënieve Kinë-BE, duke vënë në dukje se të dy palët duhet të këmbëngulin që ta shohin njëra-tjetrën nga një perspektivë strategjike, të rrisin mirëkuptimin e besimin e ndërsjellë dhe të ndjekin parimet e mbajtjes së angazhimeve dhe të drejtësisë. "Ne nuk duhet ta pakësojmë bashkëpunimin vetëm për shkak të konkurrencës  dhe ne nuk mund të konfrontohemi vetëm për shkak të dallimeve”, shtoi presidenti Xi. Këto propozime janë të një rëndësie thelbësore për eliminimin e ndërhyrjeve dhe fokusimin në bashkëpunimin në marrëdhëniet Kinë-BE. Pala evropiane deklaroi se BE-ja i përmbahet politikës së "Një Kine" dhe është e gatshme të forcojë komunikimin dhe të shtojë mirëkuptimin me Kinën për çështjet ku ka mosmarrëveshje, me një qëndrim respekti reciprok e të hapur.

foto nga VCG

foto nga VCG

Në këtë takim, Kina shprehu gatishmërinë e saj për ta konsideruar BE-në si "partnere të trefishtë ": partnere kyçe në bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, partnere me përparësi në bashkëpunimin shkencor e teknologjik dhe partnere të besuar në bashkëpunimin për sa u përket zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit. Udhëheqësit evropianë besojnë se bashkëpunimi BE-Kinë është me dobi të ndërsjellë e të barabartë, dhe të dyja palët do të punojnë së bashku për të ruajtur qëndrueshmërinë dhe sigurinë e zinxhirëve të industrisë dhe të furnizimit.

Gjatë këtij takimi, të dyja palët ranë dakord të forcojnë komunikimin dhe koordinimin brenda kornizave shumëpalëshe, t'i përmbahen multilateralizmit, të promovojnë zgjidhjen politike për çështjet e nxehta ndërkombëtare e rajonale dhe të zhvillojnë dialog mbi ndryshimet klimatike, inteligjencën artificiale dhe çështje të tjera kryesore që lidhen me të ardhmen të njerëzimit.

Gjatë 20 viteve të fundit, përvoja e shkëmbimeve Kinë-BE tregon që, nëse të dy palët  këmbëngulin ta trajtojnë njëra-tjetrën si partnere të gjithanshme strategjike, marrëdhëniet ndërmjet tyre mund të ecin përpara dhe të ngrihen më lart. Në 20 vitet e ardhshme, Kina dhe BE-ja ende duhet t'i përmbahen njohjes së saktë dhe të krijojnë një "version të përmirësuar" të marrëdhënieve dypalëshe, duke promovuar modernizimin e stilit kinez dhe integrimin evropian. Kjo jo vetëm që do të krijojë më shumë përfitime për popujt e të dyja palëve, por edhe do të sjellë më shumë qëndrueshmëri dhe siguri në botë.   (Fang Xiaoyu/Artan)