Në 10 mujorin e këtij viti, sipas të dhënave të INSTAT, Shqipëria ka shënuar ulje të eksporteve me vendet e BE-së, por rritje të tyre me vendet e rajonit dhe Kinën. Rritja e importeve me Kinën është 26 për qind, duke e bërë këtë vend, ekonominë e dytë të botës një ndër partnerët kryesorë të Shqipërisë në tregti me rritje 7.8 për qind krahasuar me vitin 2022. Kjo tregon se ka një tendencë të ekonomisë shqiptare, të biznesve, të importuesve dhe eksportuesve shqiptarë për t’iu drejtuar tregut kinez.
Analisti Bardhi Sejdarasi në intervistë për CMG
CMG: Shqipëria redukton eksportet me vendet e BE-së, i rrit me vendet e rajonit dhe Kinën, një lajm që e gjejmë në të gjitha mediat shqiptare. Nëse i referohem shifrave të INSTAT, në 10 mujorin që kaluam shënohet rritje e importeve me Kinën 26 për qind, duke e bërë këtë vend, ekonominë e dytë të botës një ndër partnerët kryesorë me rritje 7.8 për qind krahasuar me vitin 2022. Si e komentoni reduktimin e eksporteve shqiptare me vendet e BE-së dhe rritjen e tyre me vendet e rajonit dhe Kinën?
Bardhi Sejdarasi: Shifra që ju përmendët është një shifër e INSTAT-it duke marrë për bazë tregtinë me jashtë të Shqipërisë me botën. Do t’i referohesha një historiku të shkurtër të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kinës, duke u ndalur në vitin 2022.
Eksport-importet (Foto revista Monitor)
CMG: Besoj se keni parasysh këtu dhe pragun e pandemisë
Bardhi Sejdarasi: Sigurisht por viti 2022 u mbyll me një shifër spektakolare sa i përket eksporteve të Shqipërisë drejt Kinës me 67 për qind rritje. Sipas INSTAT-it Kina merr veçanërisht nga Shqipëria xeherorët, koncentrate të kromit dhe bakrit, por vlera totale e eksporteve shkoi në 9.8 miliard lekë, duke e renditur Kinën në vendin e dytë në raportet tregtare me Shqipërinë.
Ndërkohë importet janë ato që kanë një shifër rreth 9 herë më të lartë prej 77,5 miliard lekë, sipas të dhënave të vitit 2022 nga INSTAT-i.
Në vitin 2023 Kina përbën partnerin e dytë tregtar më të rëndësishëm të Shqipërisë pas Gjermanisë dhe Greqisë, që zenë respektivisht vendin e tretë dhe të katërt. Kjo tregon se ka një tendencë të ekonomisë shqiptare, të biznesve, të importuesve dhe eksportuesve shqiptarë për t’iu drejtuar tregut kinez.
Politikat që janë ndjekur në ekonominë kineze të cilat kanë stimuluar eksportet kineze ndaj vendeve të botës, përfshirë dhe Shqipërinë janë të tilla që kanë krijuar një mbikapacitet në Kinë. Këtu nuk po flas për bateritë, litiumin, makinat elektrike etj, por në tërësi për të gjitha produktet që Kina eksporton. Mbikapacitetet që janë shënuar në Kinë në muajt janar-tetor kanë dy ndikime të fuqishme: ndikimi i pare ka të bëjë me rritjen e eksporteve në një kohë që ky mbikapacitet ka ulur çmimin e eksporteve dhe kjo është favorizuese. Ndërkohë ky mbikapacitet dhe rritja e eksporteve kineze me çmime tashmë të ulura ka ndikuar shumë dhe në inflacion. Dihet që aktualisht në botë një problem i madh është inflacioni.
Këto dy element, mbikapaciteti për shkak të stimulimit të sektorëve të caktuar nga ana e qeverisë si dhe të teknologjisë që sjell vlerë të shtuar tek produktet që dalin në eksport, apo importohen nga vende të tjera.
Janë dy shembuj sinjifikativë që lidhen konkretisht me Shqipërinë. Pjesa më e rëndësishme e eksporteve kineze në Shqipëri është ajo që lidhet me makinat elektrike. Sot kemi disa kompani që kanë treg në Shqipëri, të cilat shesin makina elektrike shumë cilësore si dhe ngritjen e një sistemi të plotë të karikimit të këtyre makinave. Ne sot e kemi një treg të tillë dhe produktet janë cilësore kineze dhe shumë shpejt do të kemi një show room të këtyre produkteve.
Samiti Kinë-BE (Foto Xinhua)
CMG: Gjatë pjesëmarrjes në takimin e APEC-ut, presidenti kinez Xi Jinping theksoi se Kina është motori më i madh i rritjes globale. Parashikohet se këtë vit, kontributi i ekonomisë kineze për rritjen ekonomike globale do të arrijë në 1/3. Fondi Monetar Ndërkombëtar e ngriti parashikimin për rritjen e PBB-së kineze për vitin 2023 deri në 5.4%. Kina ka edhe një epërsi të njohur në botë: tregun. Në vlerësimin tuaj a ka prirje të bizneseve shqiptare për të qenë më të pranishme në tregun kinez
Bardhi Sejdarasi: Politika industriale e Kinës ishte në rendin e ditës së Forumit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor dhe në bisedimet midis presidentit të Kinës dhe SHBA-së, që u fokusuan në këto politika. Pavarësisht problemeve midis dy shteteve duket sikur po nis një erë e re për rritjen dhe zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik.
Pse kërkoi Kina që të ishte politika industriale në rendin e ditës? Sepse drejtuesit e vendit kanë vendosur të përmirësojnë prodhimin, që një pjesë të mire të parave të qeverisë kineze të shkojë drejt prodhuesve industrialë më së shumti të cilët zenë peshën më të madhe.
Le të marrim një shembull që lidhet me mënyrën se si huadhënia e Bankës Qendrore të Kinës shkon drejt prioriteteve të qeverisë. Vetëm në fund të shtatorit kredia për sektorin e prodhimit, sipas politikës së qeverisë kineze u rrit me një shifër befasuese 38,2 për qind, pra në çdo 100 dollarë 38,2 për qind shërbejnë për të financuar prodhimin. Kjo është një politikë e re industriale e Kinës, e cila ndikon në marrëdhëniet me të gjithë botën.
Sa i përket produkteve apo shërbimeve shqiptare që synojnë tregun kinez ka nevojë për informacion, por kemi kompani të shumta, përveç eksporteve tradicionale siç janë minerale, por dhe produktet ushqimore si mjalti që tashmë ka zënë vend të tregun kinez. Gjithashtu mund të përmendim vajin e ullirit për të cilin po negociohet. Për shkak dhe të largësisë kompani të veçanta shqiptare po negociojnë me partnerët kinezë me synimin e bizneseve shqiptare për ta realizuar këtë bashkëpunim.
Ka disa kompani të lidhura me dhomat e tregtisë nëpër Shqipëri që po marrin informacion për tregun kinez, si dhe kompani që kanë qenë pjesë e panaireve në Kinë. Unë kam shumë besim se industritë prodhuese të vajit të ullirit, mjaltit, por dhe bimën mjekësore, si dhe verërat. Këto prodhime shqiptare ndonëse ndoshta nuk mund të plotësojnë kërkesat e mëdha të tregut kinez, por plotësojnë standardet, sepse janë me cilësi të lartë dhe duhet të jenë të mirëpritura në çdo treg.
Shkëmbimet tregtare Kinë-Shqipëri (Foto CMG)
Vendi i dytë i Kinës në raportet tregtare me Shqipërinë dhe ndryshimi i madh i Kinës nga njeri vit në tjetrin nëse i referohemi prodhimit të përgjithshëm ekonomik të Kinës që nga viti 1949. Në vitin 1952 kemi një shifër interesante të prodhimit të përgjithshëm ekonomik të vendit në 7.7 miliard euro në shifra të konvertuara. Kurse në vitin 2022 shifra arrin në 15 triliard euro, por më e dukshme është GDP për frymë, i cili në vitin 1952 ka qenë vetëm 15 euro për çdo qytetar kinez, ndërsa në vitin 2022 kjo shifër ka arritur në 11 mijë euro.
Nuk ka asnjë shtet në botë të ketë patur rritje të tilla. Pikërisht kjo rritje e madhe ekonomike dhe ky zhvillim i vrullshëm nga një vend bujqësor i prapambetur në vendin me prodhimin më të madh në botë. Ky zhvillim i madh ekonomik bazohet te këto rezultate që duhet të dihen edhe nga qeveria shqiptare, bizneset shqiptare me qëllim përfitimin nga ky treg, nga çmimet e tij, eksportet e lira. Kina ka një avantazh që ka një inflacion më të ulët dhe në këtë rast kjo ndihmon vendet që importojnë.
CMG: Ka ekzistuar një stigma ndaj mallrave kineze, duke i quajtur pa cilësi të lartë. Ju si njohës i mire i shkëmbimeve tregtare dhe sipërmarrjes në përgjithësi mendoni se ka kaluar koha e kësaj stigma? Tregu kinez ka jo vetëm qëndrueshmëri dhe cilësi të lartë si tregjet e zhvilluara, por edhe potenciale rritjeje të shpejtë si tregjet e reja. Ditët e fundit, edhe institucione të huaja financiare, si “Goldman Sachs” e “Credit Suisse”, nxorën raporte mbi ekonominë kineze për vitin 2024, ku parashikohet se ekonomia kineze do të vazhdojë prirjen e përmirësimit.
Bardhi Sejdarasi: Kjo është e hershme anakronike për mua dhe nuk besoj që ekziston një stigma e tillë tani. Mjafton të citojmë vlerësimet e agjencive të njohura ndërkombëtare dhe veçanërisht me shifrat në rritje të importeve. Nuk mund të ketë asnjë shtet apo biznes që të kërkojë të importojë produkte apo shërbime të cilat nuk kanë cilësi dhe standardin e duhur. Kina sot ka një nga standardet më të respektuara në botë që plotësojnë çdo kriter ndërkombëtar për shkak se kompanitë që punojnë në Kinë janë të certifikuara dhe një pjesë e mire e të gjithë teknologjisë kineze, e cila është në nivelet më të larta.
Ndërkohë një pjesë e madhe e kompanive të njohura ndërkombëtare kanë funksionuar në Kinë, duke shfrytëzuar krahun e punës në këtë vend, por dhe teknologjinë. Sot nuk mund të thuash që produktet kineze nuk janë të njejta me ato amerikane apo franceze e gjermane. Sepse kompanitë amerikane, franceze dhe gjermane kanë transferuar teknologjitë dhe punojnë në Kinë.
Rritja e eksporteve dhe importeve drejt Kinës e vërteton këtë. Cilësia dhe strandardet janë faktori kryesor që e bëjnë një vend që të rritet me këtë ritëm.
Prodhimet kineze (Foto Gazeta liberale)
CMG: Jemi në bilancin e vitit 2023 dhe në pritje të vitit 2024. Cila do të ishte prognoza juaj sa i përket shkëmbimeve midis Shqipërisë dhe Kinës në fushën tregtare?
Bardhi Sejdarasi: Kina ka avancuar për një vit nga partneri i pestë tregtar në partnerin e dytë të Shqipërisë. Janë më shumë se gjysmë miliard euro që janë importuar vetëm për këtë periudhë që flasim. Nëse ndiqni shifrat e tregtisë me jashtë nëpërmjet doganave shqiptare si dhe INSTAT shikojmë që ka një trend rritës, i cili do të ndikojë në të ardhmen. Kjo për arsye se Shqipëria kërkon treg për eksportet e saj dhe ka nevojë të eksportojë kryesisht fruta perime ku tendenca shkon deri në 1 miliard euro në eksporte, por gjithashtu produktet që ofron ekonomia kineze janë atraktive për ekonominë dhe bizneset shqiptare. Nuk ka asnjë arsye që të kemi frenim. Vitet 2022 dhe 2023 kanë shënuar shifra në rritje dhe konfirmojnë këtë tendencë. Edhe vetë bizneset janë të interesuara për një treg si ai kinez, ashtu si dhe për atë europian etj.
Cilësia, çmimet që sillen me inflacion të ulët janë shumë favorizuese për ekonominë shqiptare
CMG: Turizmi tashmë është një industri më vete. Së fundmi mjaft operatorë turistikë shqiptarë kanë bërë të ditur rritjen e numrit të turistëve nga Kina në atraksionet turistike shqiptare. Mendoni se ky numër do të jetë në rritje në 2024?
Bardhi Sejdarasi: Kemi treguesit e vitit 2023 dhe nëse i referohemi tur operatorëve kemi njoftimin se gjysma e kapaciteteve turistike për vitin 2024 janë prenotuar. Një numër i madh që vjen në njësitë akomoduese është ai i turistëve kinezë dhe arsyet janë të shumta, si lehtësimi i turizmit permes heqjes së vizave, por të mos harrojmë se përgjithësisht turistët kinezë përbëjnë turistët elitarë. Këtë fluks e ndihmon dhe shtimi i linjave të fluturimit duke patur 200 deri në 300 fluturime në javë. Shqipëria është një vend atraktiv për turistët kinezë dhe meqë turizmi po bëhet pjesë kryesore e ekonomisë shqiptare do të vazhdojë trend rritës dhe në vitin që vjen.
CMG: Një ngjarje e rëndësishme është zhvilluar dje, Samiti Kinë-BE mes liderëve të të dy palëve, me synim hartimin e strategjisë së zhvillimit të marrëdhënieve të mëtejshme dypalëshe,
Bardhi Sejdarasi: Edhe pse marrëdhëniet tregtare të BE-së me Kinën janë cilësuar zyrtarisht si “shumë të pabalancuara”, BE-ja nuk dëshiron t’i shkëpusë lidhjet me fuqinë aziatike. Deficiti tregtar i bllokut shkon në deri 400 miliardë euro brenda vitit 2023. Ndërkohë bizneset e BE-së varen nga Kina për eksporte në vlerë të 230 miliardë eurove në vit. Pavarësisht mungesës së kohezionit në bllokun me 27 anëtarë, Brukseli ka qenë shumë aktiv në krijimin e politikave të reja për marrëdhëniet me Kinën.
Kina ka qenë partneri kryesor tregtar i bllokut europian në periudhën janar-korrik, me 130.7 miliardë euro importe nga Unioni dhe 246.5 miliardë euro eksporte. Samiti BE-Kinë mbetet forumi më i rëndësishëm për dialogun dypalësh midis dy aktorëve ndërkombëtarë, duke ofruar një platformë të institucionalizuar për diskutim midis politikëbërësve përkatës. Pavarësisht dallimeve, dialogu midis Kinës dhe BE-së mbetet i nevojshëm, pasi të dy ekonomitë janë ende thellësisht të ndërlidhura.
Intervistoi Eda Merepeza