Xi Jinping takon përfaqësuesit e lartë të BE-së Michel dhe Von der Leyen
2023-12-07 17:15:58

foto nga Xinhua

foto nga Xinhua

Presidenti i Kinës Xi Jinping u takua të enjten në Pekin me presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, që do të marrin pjesë në Samitin e 24-t Kinë - BE.

Gjatë takimit, presidenti Xi Jinping vuri në dukje se, që nga fundi i vitit të kaluar, marrëdhëniet Kinë-BE kanë treguar një moment të mirë konsolidimi e zhvillimi dhe dialogët e nivelit të lartë në fushat strategjike, ekonomike e tregtare, të zhvillimit të gjelbër e të digjitalizimit kanë arritur rezultate të frytshme, duke qenë në përputhje me interesat e të dyja palëve dhe me pritshmëritë e njerëzve. Kina dhe Evropa janë dy forca kryesore që promovojnë sistemin shumëpalësh, dy tregje kryesore që mbështesin globalizimin dhe dy qytetërime kryesore që mbrojnë diversitetin. Në situatën e tanishme ndërkombëtare me trazira në rritje, marrëdhëniet Kinë-BE kanë rëndësi strategjike e ndikim global dhe janë të lidhura me paqen, qëndrueshmërinë dhe begatinë botërore. Të dyja palët kanë përgjegjësinë të sigurojnë së bashku më shumë qëndrueshmëri për botën dhe t'i japin më shumë shtysë zhvillimit, u shpreh ai.

Xi vuri në dukje se sivjet është 20-vjetori i krijimit të marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik ndërmjet Kinës e BE-së. "Në pikënisjen e re të marrëdhënieve Kinë - BE, duhet të përmbledhim përvojën historike, të kuptojmë prirjen globale, të tregojmë përgjegjësi e mençuri dhe të mbajmë pozicionin e saktë të marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik. Kina dhe BE-ja duhet të jenë partnere të bashkëpunimit me përfitim reciprok, të rrisin vazhdimisht besimin e ndërsjellë politik, të krijojnë konsensus strategjik, të konsolidojnë lidhjet e interesit, të eliminojnë të gjitha llojet e ndërhyrjeve, të forcojnë dialogun e bashkëpunimin dhe të sjellin përfitime për popujt e të dyja palëve. Ato duhet të përballojnë së bashku sfidat globale dhe të nxitin qëndrueshmërinë dhe lulëzimin e botës", theksoi kreu i shtetit i Kinës. 

foto nga Xinhua

foto nga Xinhua

Xi Jinping-u theksoi më tej se modernizimi i stilit kinez dhe integrimi evropian janë zgjedhje strategjike të bëra nga Kina e Evropa me vështrimin të hedhur drejt së ardhmes. Sipas tij, Kina dhe Evropa duhet të respektojnë dhe mbështesin njëra-tjetrën, të forcojnë ndërlidhjen e strategjive të zhvillimit dhe të arrijnë zhvillim të përbashkët. Ndërtimi i përbashkët i "Një brez, një rrugë" është një platformë e hapur që ka sjellë përfitime konkrete për më shumë se 150 vende të botës dhe popujt e tyre. “Kur u dhuroni trëndafil të tjerëve, aroma e trëndafilit mbetet në duart e tyre. Kina është e gatshme të vazhdojë të promovojë ndërtimin e përbashkët me cilësi të lartë të ‘Një brez, një rrugë’, duke përfshirë ndërthurjen me planin 'Porta globale'  të BE-së, dhe të punojë bashkërisht për të ndihmuar vendet në zhvillim të përshpejtojnë zhvillimin e tyre. Të dy palët duhet të forcojnë komunikimin dhe koordinimin brenda kornizave shumëpalëshe si OKB-ja e G20-a, t'i përmbahen multilateralizmit, të kundërshtojnë konfrontimin midis kampeve, të promovojnë zgjidhjet politike për çështjet e nxehta ndërkombëtare e rajonale dhe të zhvillojnë dialog e bashkëpunim për çështjet kryesore që lidhen me të ardhmen e njerëzimit, siç është inteligjenca artificiale, për të dhënë kontribut në përmirësimin e mirëqenies së të gjithë njerëzimit e për të përballuar sfidat globale", shtoi presidenti Xi.

foto nga CMG

foto nga CMG

Charles Michel dhe Ursula von der Leyen u shprehën që BE-ja dhe Kina janë dy forca kryesore në botë dhe janë partnere të rëndësishme ekonomike dhe tregtare të njëra-tjetrës, me fusha bashkëpunimi gjithnjë e më të gjera. Bashkëpunimi BE-Kinë është me dobi të ndërsjellë dhe i barabartë. Menaxhimi dhe zhvillimi i mirë i marrëdhënieve BE-Kinë lidhet drejtpërdrejt me interesat e popujve të të dyja palëve, si edhe me lulëzimin dhe sigurinë e botës. BE-ja u kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve me Kinën dhe nuk dëshiron të shkëputet nga Kina, por shpreson të zhvillojë marrëdhënie afatgjata, të qëndrueshme, të parashikueshme dhe të vazhdueshme me Kinën. Përfaqësuesit e lartë të BE-së shprehën shpresën që Samiti Kinë - BE t'i japë një shtysë të re zhvillimit të ardhshëm të marrëdhënieve dypalëshe. BE-ja është e kënaqur me rezultatet e dialogut të nivelit të lartë me Kinën në fusha të ndryshme këtë vit, dhe shpreson që të dyja palët do të vazhdojnë të forcojnë dialogun e bashkëpunimin në ekonomi, tregti, zhvilimin e gjelbër, digjitalizim e fusha të tjera, duke punuar së bashku për të ruajtur qëndrueshmërinë dhe sigurinë e zinxhirëve të industrisë e të furnizimit dhe duke forcuar dialogun e bashkëpunimin lidhur me ndryshimet klimatike, inteligjencën artificiale dhe çështje të tjera të rëndësishme globale që lidhen me të ardhmen e njerëzimit. 

Michel dhe Von der Leyen u shprehën në vijim që BE-ja i përmbahet politikës së "një Kine" dhe është e gatshme të komunikojë e të bashkëpunojë ngushtë me Kinën për të mbrojtur multilateralizmin, për të mbështetur qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe për të promovuar zgjidhjen e çështjeve të nxehta, si Ukraina e Lindja e Mesme, dhe në rajone të tjera.