Foto nga VCG
Më shumë se një dekadë më parë, Bernd Ott filloi udhëtimin e tij si trajner i arsimit profesional në Kinë, kur iu kërkua të zhvillonte kurse trajnimi për punonjësit kinezë të kompanive gjermane të automobilave.
Si profesor në Universitetin e Teknologjisë në Dortmund, Ott ka qenë vazhdimisht i përfshirë në zhvillimin e arsimit profesional kinez gjatë vizitave të tij të shumta në Kinë, duke ofruar trajnime për mësuesit, duke ndihmuar punonjësit e korporatave kineze në zhvillimin profesional dhe duke publikuar materiale përkatëse edukative.
Arsimi profesional ka qenë një gur themeli për zhvillimin e Gjermanisë, një nga fuqitë prodhuese të njohura globalisht. Për Ott, futja e praktikave të avancuara të arsimit profesional gjerman në Kinë nuk është vetëm një çështje ekspertize, por është gjithashtu një instinkt. Duke punuar së bashku me “Shunde Polytechnic” në qytetin Foshan në provincën Guangdong të Kinës jugore, ai gjeti një mënyrë për të integruar konceptet gjermane të arsimit profesional, logjikën e zhvillimit të kurrikulës në fushat e të nxënit dhe metodat e mësimdhënies të orientuara drejt veprimit në kontekstin lokal.
Në vitin 2014, Departamenti i Arsimit provincial në Guangdong organizoi 20 mësues nga shkolla të ndryshme profesionale në provincë për të marrë pjesë në një program trajnimi tremujor në Dortmund, mbi konceptet gjermane të arsimit profesional dhe metodat e mësimdhënies të orientuara drejt veprimit. Ott ishte një nga folësit kryesorë gjatë trajnimit.
“Më shumë mësues të shkollës sonë kanë nevojë për këtë lloj përvoje, në mënyrë që shkolla jonë të zhvillojë edhe trajnime për metodat e mësimdhënies gjermane”, tha një nga mësuesit e “Shunde Polytechnic” që përfundoi trajnimin.
Foto nga VCG
Dy vjet më vonë, ideja u kthye në realitet. Që nga viti 2016, “Shunde Polytechnic” ka ftuar Ott-in të zhvillojë seanca të shumta trajnimi, me më shumë se 280 mësues që marrin pjesë në iniciativë.
“Arsimi profesional gjerman, veçanërisht në fushat teknike që lidhen me prodhimin, ka qenë i suksesshëm. Qyteti Foshan, si qendër prodhuese, duhet t'i referohet përvojës për të kërkuar transformimin dhe përmirësimin”,- tha Hu Jianguo, zëvendësdekani i shkollës së prodhimit inteligjent në “Shunde Polytechnic”.
Shkolla udhëhoqi një lëvizje për të zbatuar metoda mësimore të orientuara drejt veprimit. Kjo nismë përfshin ridizajnimin e mbi 100 kurseve profesionale dhe mësimdhënies në klasë në specialitete të ndryshme, duke përfshirë pajisjet mekanike, informacionin elektronik, farmaceutikë dhe kimikate, financa dhe tregti, hoteleri dhe gatim, ndër të tjera. Metodat e mësimdhënies të orientuara drejt veprimit përfshijnë sistemimin e proceseve të punës, hartimin e skenarëve të të nxënit bazuar në kompetencat e ndara profesionale dhe analizimin e përmbajtjes së secilit skenar mësimor.
Po ashtu, përfshihet krijimi i materialeve përkatëse mësimore, të tilla si fletët e detyrave të punës dhe hartat mësimore. Gjatë këtij procesi, studentët integrojnë njohuritë teorike me aktivitetet praktike për të zgjidhur problemet, gjë që thekson të mësuarit për aplikim dhe jo akumulimin e njohurive, sipas Hu.
Këtë nëntor, “Shunde Polytechnic” themeloi Qendrën e Kompetencës së Metodës së Mësimdhënies Gjermane, e cila synon të përshtatë arsimin profesional kinez me reformën e kulturës së të mësuarit përmes përmbajtjeve të reja profesionale dhe metodave novatore të mësimdhënies, sipas Ott.
Qendra shërben jo vetëm për qëllime të brendshme, por edhe për ndarjen e burimeve me shkollat bashkëpunuese në të gjithë Kinën, si Kolegji Profesional Bailie në Gansu dhe “Heilongjiang Polytechnic”. Synimi është të promovojë përafrimin e burimeve kineze të mësuesve me standardet ndërkombëtare, duke rritur aftësitë e shërbimit të arsimit profesional të Kinës për bashkëpunimin e nismës “Një brez, një rrugë”, shpjegoi Hu, duke vënë në dukje se është gjithashtu në plan edhe një bazë trajnimi në Dortmund.
“Ne besojmë se me përpjekjet tona të përbashkëta, studentët e rinj mund të fitojnë më mirë aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për sukses në një botë të globalizuar. Mezi presim të çojmë më tej bashkëpunimin kino-gjerman në lartësi të reja”,- deklaroi Bernd Schnittker, drejtor i Institutit për Trajnim dhe Karrierën.