Foto nga Xinhua
Presidenti i Kinës Xi Jinping u takua të enjten në Pekin me presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, që do të marrin pjesë në Samitin e 24-t Kinë - BE.
Xi vuri në dukje se sivjet është 20-vjetori i krijimit të marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik ndërmjet Kinës e BE-së. "Në pikënisjen e re të marrëdhënieve Kinë - BE, duhet të përmbledhim përvojën historike, të kuptojmë prirjen globale, të tregojmë përgjegjësi e mençuri dhe të mbajmë pozicionin e saktë të marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik. Kina dhe BE-ja duhet të jenë partnere të bashkëpunimit me përfitim reciprok, të rrisin vazhdimisht besimin e ndërsjellë politik, të krijojnë konsensus strategjik, të konsolidojnë lidhjet e interesit, të eliminojnë të gjitha llojet e ndërhyrjeve, të forcojnë dialogun e bashkëpunimin dhe të sjellin përfitime për popujt e të dyja palëve. Ato duhet të përballojnë së bashku sfidat globale dhe të nxitin qëndrueshmërinë dhe lulëzimin e botës", theksoi kreu i shtetit i Kinës.
Xi Jinping-u vuri në dukje më tej se të dyja palët duhet të konsolidojnë themelet e tyre politike, të këmbëngulin për ta parë njëra-tjetrën nga një perspektivë strategjike, të shfrytëzojnë plotësisht rolin udhëheqës të takimit të liderëve dhe të pesë dialogëve të nivelit të lartë, të forcojnë komunikimin strategjik, të shtojnë mirëkuptimin dhe të trajtojnë siç duhet dallimet nëpërmjet dialogut konstruktiv. Të dyja palët duhet të kenë një njohje të saktë të njëra-tjetrës, të rrisin besimin e ndërsjellë dhe t'i zhvillojnë me gjithë zemër marrëdhëniet ndërmjet tyre. Kina dhe BE-ja s'mund ta konsiderojnë njëra-tjetrën si kundërshtare për shkak të sistemeve të ndryshme, s'mund ta pakësojnë bashkëpunimin për shkak të konkurrencës dhe s'mund të përfshihen në konfrontim për shkak të dallimeve, u shpreh ai.
Xi tha gjithashtu se ekonomitë e Kinës dhe Evropës janë shumë plotësuese ndaj njëra-tjetrës dhe të dyja palët duhet të forcojnë lidhjen e interesave të përbashkët nëpërmjet një bashkëpunimi më të thellë dhe më të gjerë. Rritja ekonomike e Kinës ruan vrull të qëndrueshëm dhe pozitiv. Kina po promovon zhvillimin me cilësi të lartë e hapjen e nivelit të lartë dhe është e gatshme ta konsiderojë BE-në si partnere kyçe në bashkëpunimin ekonomik e tregtar, partnere me përparësi në bashkëpunimin shkencor e teknologjik dhe partnere të besuar në bashkëpunimin të zinxhirët industrialë dhe të furnizimit, për të pasur përfitime të ndërsjella dhe për të arritur zhvillim të përbashkët. Të dyja palët gjithashtu duhet të forcojnë shkëmbimet njerëzore e kulturore dhe të lehtësojnë shkëmbimet e personelit. (Çang Çuo)