Europa thyen barrierat ideologjike në marrëdhëniet me Kinën!
2023-12-07 14:48:37

Një delegacion i fraksionit të CDU-së në Bundestagun gjerman ka bërë javën e shkuar një vizitë në Republikën Popullore të Kinës. Ajo që bie në sy lidhet me faktin se ky delegacion, i përbërë nga katër deputetë të kësaj force politike konservative gjermane, gjatë vizitës në Pekin ka zhvilluar takime dhe bisedime vetëm ose kryesisht në drejtorinë e lidhjeve me jashtë të Partisë Komuniste Kineze. Në fakt pati vetëm një takim në ambasadën gjermane dhe në Kongresin e Popullit Kinez, ndërkohë që pjesa tjetër e aktivitetit të këtij delegacioni u zhvillua pranë Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Partisë në pushtet. Ishte drejtori i këtij Komiteti, Liu Jianchao, ai që udhëhoqi bisedimet me deputetët gjermanë të kryesuar nga deputeti i CDU-së, Johann Wadephul. Jianchao shihet si një personalitet i formuar, sepse ka mbaruar studimet në Oxford dhe e njeh shumë mirë politikën dhe diplomacinë perendimore.

Wadephul ishte i vetëdijshëm se bisedimet në Komitetin Qendror të PKK-së janë më të frytshme për marrëhëniet kino-gjermane. Aty hartohen strategjitë dhë politikat e jashtme kineze. Ai tha se nga bisedimet me Partinë Komuniste fitohet më shumë domethënie. Kjo, sepse, sipas tij, është i qartë roli saj themelor në marrëdhëniet midis të dy vendeve. Por a do të thotë kjo se në Europë po kapërcehen pengesat ideologjike në marrëdhëniet e përgjithshme, sidomos në ekonomi, me Republikën Popullore të Kinës?

Në Kinë është zhvilluar koncepti i konkurrencës në ekonominë botërore të tregut e për pasojë politikat kineze kanë evituar gjithnjë e më shumë ndikimin e ideologjisë në aspekin e zhvillimit të ekonomisë së tregut. Ishte kjo rrugë zhvillimi që i dha Kinës rol kryesor në tregtinë botërore, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Megjithë kthesën e madhe të Pekinit në marrëdhëniet e tij ekonomike me botën e sidomos me Europën dhe SHBA-të, këto të fundit vijuan ta paragjykojnë, ndonjëherë me arsye, por shumë herë pa arsye, politikën kineze në fushën e tregut. Pikënisje ishin kritikat për “ndërhyrjen e shtetit në konkurencën ekonomike kineze me vendet e tjera”! Por vizita e deputetëve të CDU-së në Bundestag dhe përpjekja e tyre për të vënë në lëvizje nismat e marra për lidhjet e mëtejshme ekonomike midis dy vendeve përmes komunikimit me Partinë Komuniste na dëshmon se europianët po fillojnë të lëvizin nga pragmatizmi. Wadephul kritikoi qëndrimin e ministres së vendit të tij për Punët e Jashtme, Baerbock, sa i përket kritikave të saj publike për të drejtat e njeriut dhe çeshtjet e sigurisë kur tha se “Nuk e shoh të domozdoshëm përdorimin e stilit të ministres së Jashtme që këto çeshtje t’i bëjë publike”.

Vizita e përfaqësuesve të zgjedhur të CDU-së në opozitë ndoshta nuk vlerësohet si sinjal i determinimi i afrimit të mëtejshëm të Kinës me Gjermaninë dhe vendet e Bashkimit Europian. Por ky veprim është shumë domethënës. Kristiandemokratët gjermanë kanë udhëhequr Gjermaninë në shumicën dërmuese të kohës në tridhjetë vitet e fundit, që prej Helmut Kohl deri të Angela Merkel. Opozita gjermane ka peshë specifike po aq sa vetë partia kryesore në pushtet në Gjermani. Ndërkohë ministrja e Jashtme, Baerbock i përket partisë Gryne të koalicionit të sotëm. Për këto arsye unë e shoh shfaqjen dhe qëndrimin e fraksionit opozitar gjerman si një sinjal të qartë të dëshirës dhe përpjekjeve europiane e jo vetëm gjermane, për të krijuar një hapësirë të re të marrëdhënieve ekonomike në botë, siç është ajo me Republikën Popullore të Kinës.

Sinjali tjetër ka të bëjë me faktin se nuk do të duhet që dallimet konceptuale dhe ideologjike të pengojnë bashkëpunimin ekonomik, në tregti dhe në investime. Kapërcimi i pengesave të tilla shihet si domosdoshmëri tashmë edhe në anën tjetër, në vendete BE-së. Në gjithë këtë klimë pozitive ka ndikuar roli neutral i Pekinit në konfliket dhe krizat aktuale në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme. Maturia dhe qëndrimi korrekt i Kinës ndaj këtyre dy vatrave të konfliktit ka rritur besimin e partnerëve ndaj Republikës Popullore të Kinës. Kjo do të thotë se ky besim përkthehet në më shumë intensitet të marrëdhënieve, sidomos ekonomike, midis të të dy palëve. “Ne qëndrojmë fort në përpjekjet tona për të gjetur më shumë shanse dhe interesa të përbashkëta në bisedime”, u shpreh Wadephul dhe përcaktoi edhe qëllimin e vizitës, kur tha se “Ne si parlamentarë të ekonomisë më të madhe në botë (Europës) duam që këto marrëdhënie t’i zhvillojmë më tej”.

Natyrisht që kjo vizitë me më pak ose aspak paragjykime për Kinën vjen pas takimit të presientit të Kinës, Ji Jinping me presidentin amerikan, Joe Biden, në mesin e nëntorit të shkuar. Vizita e deputetëve gjermanë ndërkohë u zhvillua në Pekin në një kohë vendimtare për marrëdhëniet kino-europiane.