Foto nga facebook
Ka përfunduar me sukses Festivali Evropian i të rinjve, Junior Eurovision Song Contest. Në këtë edicion Shqipëria u përfaqësua nga këngëtarja 13 vjeçare Viola Gjyzeli, e cila performoi me këngën “Bota ime”, një bashkëpunim midis kompozitorit Enis Mullaj dhe tekstshkrueses Eriona Rushiti. Ishte një emocion mjaft i bukur, kur të gjitha shtetet pjesëmarëse parakaluan me flamujt kombëtarë në duar, mes të cilëve dhe Viola me flamurin kuqezi. Junior Eurovision Song Contest 2023 në këtë edicion u fitua nga përfaqësuesja e Francës, ndërsa juria vlerësoi me vendin e tetë Shqipërinë.
Viola Gjyzeli është një artiste e re e talentuar, e cila e ka nisur muzikën që në moshë të vogël, duke punuar fort e duke u vlerësuar në aktivitete për fëmijë. Tashmë puna e saj u vlerësuar me pjesëmarrjen në ‘Junior Fest 2023’ mbajtur në Tiranë, ku 13 vjeçarja Gjyzeli u vlerësua me çmimin e parë, duke fituar të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë në Festivalin Evropian të të rinjve 2023. Pas votimit të shteteve përkatëse dhe pas votimit të jurisë profesioniste, Franca arriti të fitonte çmimin e parë me këngëtaren mjaft të talentuar Zoé Clauzureme këngën “Cœur” (Zemra). Ndërsa, Shqipëria u rendit në vendin e tetë me këngëtaren Viola Gjyzeli e cila interpretoi këngën “Bota ime”.
Foto nga facebook
Ky festival u zhvillua në Nicë të Francës, ku morën pjesë 16 shtete me këngëtarë përfaqësues, zëra të rinj të fëmijëve nga mosha 9 deri 14 vjeç. Të 16 vendet konkurruese, por edhe teleshikueshit nga shtete të ndryshme të botës votuan për këngët e tyre të preferuara në dy alternativa: Ishte votimi online para spektaklit, ku bazohej në fragmente të provave, por edhe votimi online gjatë spektaklit ku të gjithë shikuesit patën mundësinë të votonin për 15 minuta pas performancës së fundit. Gjithashtu, juritë kombëtare dhe votimi online përcaktuan secila 50% të rezultatit.
Ekipi shqiptar (Foto nga facebook)
Autorja e tekstit të këngës “Bota ime”, Eriona Rushiti ka shkruar në rrjetet sociale në lidhje me këtë pjesëmarrje: “Po i shpreh dhe unë dy fjalë për këtë pjesëmarrje! Gjithçka nisi 5 vite më parë kur një piciruke plot energji, sa një kacamisër, vetëm 7 vjeçe merr për herë të parë mikrofonin e kthehet në shtëpi me trofe për të mos i ndalur më çmimet në çdo dalje të saj. E meqë na pati mbetur vetëm ‘Junior Fest’ pa fituar, i vendosëm vetes qëllimin, të bënim më të mirën tonë. Dhe punuam jo pak, por tre vite rradhazi me këtë synim. Enis Mullaj dhe Eriona Rushiti i dhuruan këngën që e çoi në eksperiencën e "një here në jetë" të Violës, vajzës me një karakter aspak të thjeshtë, një rebele e lindur, e cila na e mori shpirtin të gjithëve për të qenë krenaria e gjithë shqiptarëve, dhe jo vetëm, në natën finale të Festivalit Evropian të Këngës për Fëmijë. Rezultati i dytë më i lartë në të gjitha pjesëmarrjet e Shqipërisë në ‘Junior Eurovision’, vlerësuar si vokali më i bukur i këtij viti, me një vokal e performancë që nuk e teproj nëse e citoj "na la pa frymë".
Jam shumë krenare për Violën, për Enisin dhe Erionën, për Ergi Nune dhe Rolf Krajka, për Suelën dhe Arian Gjyzelin dhe për të gjithë ata që i dhanë Violës një copëz shpirt. Faleminderit me zemër të gjithë atyre që mbështetën” ka shkruar Eriona Rushiti.
Eriona Rushiti, Viola Gjyzeli ,Enis Mullaj (Foto nga facebook)
Historia e “Junior Eurovision Song Contest”
Ishte viti 2000, kur transmetuesi Danish Radio (Radio Daneze) realizoi një konkurs këngësh për fëmijë dhe në vitin 2002 "MGP Nordic" u mbajt së bashku me Suedinë dhe Norvegjinë. EBU e përqafoi idenë për një konkurs kënge për fëmijë, dhe konkursi i parë i këngës për “Junior Eurovision” u mbajt në vitin 2003 në Kopenhagen ku morën pjesë 16 shtete. Në atë kohë, ‘Junior Eurovision’ bazohej në argëtimin për fëmijët në mbarë Evropën. Që nga ajo kohë ajo u shndërrua në një kopje të Eurovision-it për të rritur. Mosha e lejuar për pjesëmarrje në këtë konkurs Evropian të muzikës është për fëmijët nga 9 deri në 14 vjeç. Është hera e dytë që Shqipëria në “Junior Eurovision Song Contest” përfaqësohet nga një durrsake, pasi një vit më parë ishte Kejtlin Gjata, 11-vjeçarja nga Durrësi e cila u rendit e 12-ta në kompeticionin Evropian të muzikës për të rinj dhe këtë vit Viola Gjyzeli. Për herë të parë Shqipëria nisi përfaqësimin në Amsterdam të Holandës, në Festivalin Evropian të Këngës për Fëmijë në vitin 2012, ku në"Junior Eurovision Song Contest", u përfaqësua me këngëtaren Igzidora Gjeta me këngën “Kam një këngë vetëm për ju".
Sava Lena
Foto nga facebook