Albana Vrioni dhe fuqizimi ekonomik i grave
2023-12-07 10:36:35

Grua në biznes (Foto Linkedin)

Grua në biznes (Foto Linkedin)

Përpjekjet e grave për t’u integruar në ekonomi dhe biznes janë të vazhdueshme, por ende ka shumë sfida me të cilat përballen. Në një intervistë për revistën “Monitor”, drejtuesja e organizatës “Woman on Board”, Albana Vrioni tregon se si mund të arrihet fuqizimi ekonomik i grave.

“ Do doja të thoja që përfaqësimi i gruas në borde drejtuese është me të vërtetë një sfidë dhe një domosdoshmëri e kohës sonë. Aspekti më vulnerabël nga pikëpamja e zhvillimit të gruas është pjesëmarrja e saj në tregun e punës. Nëse gruaja ka një pjesëmarrje të vogël në tregun e punës si rrjedhim i pjesëmarrjes së saj i vendimmarrjes ekonomike është më vulnerabël dhe më e pakët. Me afërsi 50% të grave që janë në tregun e punës dhe një pjesë të mirë të tyre, të angazhuara në tregun jo formal të punës, fuqia ekonomike e gruas sot është minimale. Janë vendosur kuota, janë vendosur ligje, por ajo që mbetet ende për të bërë është monitorimi i tyre. Ngritja e mënyrës se si aplikohen. Pra sistemi rregullativ është një prej tyre. Një element tjetër shumë i rëndësishëm është mbështetja që gratë marrin nga meshkujt dhe mbështetja që gratë i japin njëra- tjetrës. Këtu kemi të bëjmë me kulturat që janë të vendosura në vend të stabilizuara prej shekujsh dhe që janë shumë të vështira të adresohen.”- thotë Vrioni.

Ajo i grupon sfidat në disa kategori.

Albana Vrioni(Foto Albacademy)

Albana Vrioni(Foto Albacademy)

“Për mua nëse mund të përmbledh që gratë përballen me sfida në rrugën e tyre të fuqizimit, që janë në tre kategori. Mungesa e mbështetjes nga sistemi, mungesa e mbështetjes që marrin nga meshkujt dhe mungesa e mbështetjes që gratë marrin nga gratë e tjera.”

Si mund të përmirësohet aksesi i grave në burime financiare apo dhe në mundësitë e karrierës?

“Ka shumë mënyra për ta bërë një gjë të tillë, e para, rritja e edukimit financiar tek gratë është një masë dhe jo thjesht shkollimi në Fakultetin e Ekonomisë dhe të Financave, por përfshirja e saj në aktivitete të cilat i japin mundësinë dhe përgjegjësinë e të menduarit e mendimit financiar. Tjetra është krijimi i iniciativave mikrofinanciare. Tashmë ne duhet të shikojmë që një pjesë e mirë e pjesëmarrësve në aktivitetet e start up, krijimet inovative dhe një pjesë e mirë e tyre ua akordohet fonde mikrofinanciare. Por kam përshtypjen që ky është një nga elementët që do të rrisë më shumë ndjesinë e forcës ekonomike të gruas, unë thashë se më përpara që shikojmë që gratë përfshihen në aktivitete ekonomike dhe që kanë risk të vogël. Por diku duhet të fillojmë, duke rritur angazhimin e grave në aktivitetet që kanë riskun më të vogël, duke i mbështetur ato që të njohin më mirë, aspektet e ndërlikuara të financimit të investimit Ne do të mund të mbështesim pjesëmarrjen e tyre në aktivitete më interesante me vlerë më të lartë ekonomike dhe me në aspekt fuqizimi ekonomik më të përmirësuar.”

Woman on board (Foto Linkedin)

Woman on board (Foto Linkedin)

Sipas ekspertes duhen krijuar ekuilibrat për gratë mes familjes dhe karrierës.

“Për mendimin tim një element tjetër është krijimi i strukturave që mbështesin gruan sipërmarrëse. Unë jam nënë e tre fëmijëve, balancimi mes angazhimit tim në karrierë, angazhimit në sipërmarrje dhe në familje, është një balancim shumë delikat dhe krijimi i kushteve që e mundësojnë fokusimin në rritjen time personale, apo pjesëmarrjen time sipërmarrës është i rëndësishëm. Unë jetoj në Belgjikë dhe kam këtë mundësi. Mendoj që edhe në Shqipëri, krijimi i këtyre mundësive do të ishte një ndihmë e jashtëzakonshme për gruan. Nga ana tjetër ne do të flasim për një reformë ligjore që ka filluar në Shqipëri. Eshtë e nevojshme që të jetë shumë prezente në aksesin e gruas në burimet financiare, qoftë me krijimin dhe lehtësimin e mundësive për të gjithë transaksionet financiare, qoftë dhe krijimin e mundësive legjislative, që fuqizojnë gruan nga pikëpamja e të drejtave dhe trashëgimisë së pronësisë.”

Me rëndësi eshtë aksesi në financë.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

“Ka shumë elementë të tjerë e si qasjet e shërbimeve bankare që kërkojnë pjesëmarrjen e gruas. Unë ndjek nga afër zhvillimin ose pjesëmarrjen në arsimim në Shqipëri që të vërtetë ka një rritje të dukshme, gjithmonë ka qenë në përqasjen e familjeve shqiptare që të arsimojnë gruan, por me vite kjo nuk ka ecur përpara. Gjë që është një formë e jashtëzakonshme për të ngritur dhe për të përdorur nga pikëpamja e sjelljes së zgjidhjeve së shërbimeve bankare që e lehtësojnë pjesëmarrjen e gruas sidomos në investime. Sigurisht që kjo ka nevojë të përputhet me një edukim financiar të zhvilluar, diku teknologjia, financat,biznesi shoqëria, vendosen së bashku, por gjithashtu duhet menduar që çdo hap i madh fillon me një hap të vogël. Duke filluar me mikrokreditin dhe mundësimin e gruas që të mund të fokusojë edhe rritjen e vet në sipërmarrje, pra gjithë mbështetja që sistemi i jepet gruas, ne do të shikojmë një rritje të gruas nga pikëpamja e fuqizimit ekonomik dhe nga pikëpamja e të besuarit të gjithë sistemit financiar, me mbështetjen e gruas në investime dhe sipërmarrje që kanë vlera të lartë.”-thotë drejtuesja e organizatës “Woman on Board”, Albana Vrioni.

Fuqizimin ekonomik i grave është çelësi për rritjen ekonomike dhe reduktimin e varfërisë, por gjithashtu ndikon edhe në prosperitetin e përgjithshëm të vendit. Pjesëmarrja më e madhe e grave në politikë, në biznes, si dhe përfaqësim më të madh në shoqërinë civile është vendimtare për tejkalimin e ndarjeve brenda shoqërisë dhe krijimin e një jetë më të mirë për të gjithë, për gratë dhe burrat. Gratë përbëjnë gjysmën e popullsisë së botës, por nuk janë të përfaqësuara në mënyrë të barabartë dhe nuk e ndajnë pushtetin ekonomik, edhe pse ne të gjithë e dimë se ato janë aktore aktive dhe bartëset e ndryshimeve shoqërore, që ato ndikojnë në politikë, si dhe përparim ekonomik dhe social, paqe dhe siguri.