Enrik Voja, një ushtarak romancier
2023-12-07 23:03:15

Enrik Voja gjate ushtrimit te punes se tij si ushtarak ( foto personale)

Enrik Voja gjate ushtrimit te punes se tij si ushtarak ( foto personale)

Enrik Voja është një profesionist dhe artist në shpirt. Për ëndrrat e tij ka luftuar tepër dhe këtë gjë e ka bërë që në moshë të vogël. Profesioni i tij fillimisht si një ushtarak pranë Forcave të Armatosura ishte obligim dhe më pas dashuria për letërsinë nuk mbeti pa u plotësuar. Ka shkruar që në moshë të vogël, por libri të cilin ai do të botonte humbi për shkak të një problemi teknik dhe më pas ai rinis ta shkruajë atë nga e para dhe mbi të gjitha e rinisi me idenë për ta ndërtuar edhe si film. Për romanin e tij “I Huaji” Enrik Voja bashkëbisedon me  Radio Ejani.

CMG: Ju jeni pjesë e Forcave të Armatosura Shqiptare, por si është ndërthurja me letërsinë?

Enrik Voja: Kam shumë vite që punoj në Forcat e Armatosura dhe mendoj se është një nga punët  që më ka rritur tepër profesionalisht dhe më ka bërë edhe më të fortë për jetën. Nëse do më duhej të flisja për veten do thoja që karakteri im është një ndërthurje ndërmjet të qenit një njeri serioz, por edhe gazmor njëkohësisht por kjo në varësi të shoqërisë.

Enrik Voja mban ne dore librin e tij ( foto personale)

Enrik Voja mban në dorë librin e tij ( foto personale)

CMG: Çfarë domethënie ka në jetën tuaj libri i parë që botoni?

Enrik Voja: Letersia në tërësi mua më ka rritur pasi i përkas një gjenerate, e cila ka qenë shumë më ndryshe se tani. Me kalimin e viteve qoftë rëndësia për librin apo leximin ka ardhur duke u ulur, ndërsa unë  jam arsimuar në të tjera vite dhe për këtë ndihem me fat. E kam kultivuar dhe e kam ruajtur si të shenjtë librin dhe dëshirën për të lexuar gjithmonë. Ky është libri i pare, por ka qenë një punë intensive e cila do të mbahet mend gjatë .

CMG: Cili është epiteti që do i vendosnit librit ?

Enrik Voja: Libri është drita që na udhëheq drejt qytetërimit

Enrik Voja dhe dashamires te librit te tij ( foto personale)

Enrik Voja dhe dashamires te librit te tij ( foto personale)

CMG: Si vendosët të publikoni romanin tuaj të parë ?

Enrik Voja:  Është histori shumë e gjatë, e kombinuar me mijëra sakrifica të përditshme. Libri në fakt ka nisur me shumë se 10 vite më parë dhe në vitin 2013 unë ndalova së shkruari, pata shumë probleme në jetën time dhe kjo më lekundi disi për të ndaluar hapat e mi. Megjithatë shumë shpejt iu riktheva pasionit tim dhe romanit, të cilin e kisha lënë peng të problemeve. Ajo që më shkatërroi më tepër ishte fakti që unë humba dorëshkrimin e parë , kompjuteri im u bllokua dhe libri, gjithçka që ishte shkruar deri në atë ditë u fshi. Por, ajo që ndodhi unë do ta konsideroja si rastësinë time me të bukur të jetës .

Në një moment fakti më takoi sërish me personazhin kryesor të librit tim  dhe unë riktheva edhe njëherë kujtimet e librit përmes figurës së tij. Katër vite më parë rinisa dhe njëherë librin tim. Libri im "I Huaji", mbart historinë e tij dhe unë iu riktheva këtij libri për ta shkruar dhe botuar sa më parë pasi historia kishte nisur që në vitet 2000

Botimi i Enrik Vojes ( foto personale)

Botimi i Enrik Vojes ( foto personale)

CMG: Përse një lexues do të donte të lexonte librin tuaj ?

Enrik Voja: Është bukur në fakt që të njohësh histori të reja. Në këtë libër nuk ka asgjë më shumë se sa një histori reale që ndoshta në një farë forme ndodh tek të gjithë. Konteksti ku vendoset historia është po ashtu shumë real , vendi është Shqipëria ndaj mund ta gjesh lehtësisht veten.

CMG: Nje ushtarak që zgjedh të shkruajë romane, si ndiheni për këtë, si ju kanë parë të tjerët ?

Enrik Voja: Ndihem  mire, por të tjerët më kanë parë me skepticizëm. Botë kemi edhe ne ushtarakët! Profesioni është diçka, ndërsa pasioni është komplet e kundërta. Unë kam pasion për librin dhe me këtë pasion do të jetoj gjithmonë.

CMG: Ju kishit dëshirë që kjo histori të ishte edhe në film, pse e latë në gjysmë këtë ide ?

Enrik Voja: Këtë ide e kisha të nxitur nga miqtë e mi, filmi filloi të vihej në jetë dhe planet për të po shkonin shumë mirë deri në momentin që kuptova se financat nuk na mjaftonin dhe aty e kam ndërprerë, ndoshta për ta rifilluar në një moment të dytë . Nuk i lë asnjëherë ëndrrat në mes!

Intervistoi  Megi Latifi