Sinologu kanadez Timothy Brook / foto nga “Knews”
Sinologu i shquar kanadez Timothy Brook u dekorua me Çmimin për Kontributin në Studimet Kineze 2023 të premten e kaluar në ceremoninë e hapjes të Konferencës Botërore për Studimet Kineze - Forumit të Shangait.
"Ky është një nder për të cilin nuk më shkonte assesi ndër mend para mbi pesëdhjetë vjetëve kur nisa studimet mbi Kinën si student në Universitetin e Torontos," tha Brook-u në fjalën e vet pas dekorimit. Ai tha se atëkohë familja e tij nuk kishte asnjë lidhje me Kinën dhe në rrethin e tij të miqve nuk kishte asnjë kinez. Interesi i tij për Kinën erdhi rastësisht, por Brook-u theksoi se kjo rastësi ka të bëjë me sfondin e kohës. "Në fillim të viteve '70 të shekullit të kaluar, me ngritjen e ndërgjegjësimit të globalizimit, rendi botëror pas Luftës së Dytë Botërore filloi të shpërbëhej. Brezi ynë nisi të besojë se asnjë traditë e vetme kulturore nuk është në gjendje të përballojë sfidat ekonomike, politike dhe mjedisore përpara botës dhe se do të lindte një rend i ri botëror që nuk varet nga racizmi ose nacionalizmi."
Libri i Brook-ut "Kapela e Vermeer-it: Shekulli i 17-të dhe agimi i botës globale" / foto nga "Knews"
Në vitin 1975, Timothy Brook studioi në Universitetin Fudan të Kinës si student shkëmbimi për historinë e Kinës gjatë periudhës së fundit të dinastisë Ming. Gjatë studimeve, ai zbuloi ndërveprimet midis Kinës dhe botës, që kishin zgjatur për qindra vjet, dhe ky zbulim i dha një këndvështrim akademik për shikimin e historisë kineze nga një perspektivë globale. Studimet e tij të mëvonshme fokusohen në historinë shoqërore e kulturore të dinastisë Ming, historinë moderne të Kinës dhe historinë globale. Brook ka shkruar librat si "Lutja për fuqi: Budizmi dhe formimi i shoqërisë fisnike kineze në periudhën e fundit të dinastisë Ming", "Pështjellimet e kënaqësisë: Tregtia dhe kultura në dinastinë Ming", "Kapela e Vermeer-it: Shekulli i 17-të dhe agimi i botës globale" dhe "Burimet gjeografike të historisë së dinastive Ming dhe Qing".
Sot 72-vjeçari Timothy Brook, profesor emeritus i historisë në Universitetin e Kolumbias Britanike të Kanadasë, është ndër udhëheqësit e sinologjisë në Perëndim. Prof. Brook po ushtron një ndikim gjithnjë e më të madh në Kinë, por ai thotë se nuk mund të zotërojë kurrë njohuritë e imëta si një vendës, as nuk mund ta kuptojë krejtësisht Kinën si një vendës, "megjithatë, mund të shmangem nga ndikimet e mundshme shoqërore, kulturore e fetare që mund të ushtrohen ndaj një vendësi" dhe "si i huaj, disa mendime të mia mund të ndihmojnë për të pasur njohuri më objektive dhe më të përgjithshme për Kinën, që janë jo vetëm njohuri të nisura nga Kina dhe në shërbim të Kinës, por edhe njohuri që e konsiderojnë Kinën si pjesë të botës. Në fund të fundit, kjo botë është vatra jonë e përbashkët."
Young-Seo Baik, profesor nderi i Universitetit Yonsei të Koresë së Jugut / foto nga "Chinanews.com"
Së bashku me Timothy Brook, ndanë Çmimin për Kontributin në Studimet Kineze 2023 edhe Young-Seo Baik, profesor nderi i Universitetit Yonsei të Koresë së Jugut, dhe Kishore Mahbubani, akademik i shquar i Institutit të Studimeve Aziatike pranë Universitetit Kombëtar të Singaporit.
Mbi 200 studiues nga më shumë se 60 vende e rajone të botës morën pjesë në këtë edicion të veprimtarisë mbi studimet kineze, me temën "Qytetërimi kinez dhe rruga e Kinës në horizontin global".
"Ky çmim më ka emocionuar shumë," tha Young-Seo Baik, përfaqësues i studimeve orientale bashkëkohore të Koresë së Jugut. Ai tregoi që, kur ishte në universitet në vitet '70 të shekullit të kaluar, i lindi interesi për revolucionin e Kinës, gjatë reflektimit për historinë e Koresë së Jugut, me shpresën që ta vështronte vendin e vet nëpërmjet përvojës së Kinës. Por ishte koha e Luftës së Ftohtë dhe informacionet rreth Kinës ishin shumë të kufizuara. Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Koresë së Jugut, ai filloi të propozonte "shtjellimin e Azisë Lindore", duke studiuar historinë dhe aktualitetin e Kinës nga këndvështrimi i Azisë Lindore. "Mund të ndiejmë nga afër ardhjen e kthesës së madhe globale, por do të përballojmë shumë kriza të ndërlikuara dhe të pasigurta. Prandaj, duhet të mendojmë thellësisht për kufizimet e sistemit kapitalist botëror dhe të kërkojmë mundësinë e kthesës së qytetërimit. Shpresoj se më shumë vende, përfshirë Kinën dhe Korenë e Jugut, do të respektojnë mendimet dhe përvojën e trashëguar të jetës të njëri-tjetrit, gjatë procesit të kalimit drejt 'një tjetër qytetërimi universal'," u shpreh Young-Seo Baik.
Kishore Mahbubani, akademik i shquar i Institutit të Studimeve Aziatike pranë Universitetit Kombëtar të Singaporit / foto nga gazeta "Shangai Morning Post"
"Kam bërë përpjekje për nxitjen e njohjes më të thellë të globit ndaj Kinës. Punët e mia pohohen dhe ky është një nder i madh," tha në një videofjalim Kishore Mahbubani, akademik i shquar i Institutit të Studimeve Aziatike pranë Universitetit Kombëtar të Singaporit. Si ndër ekspertët më aktivë mbi çështjet e Azisë, ai tha se në bashkësinë e përbashkët globale, e veçanërisht në vendet perëndimore, shtimi i njohjes së Kinës është një nevojë e ngutshme si kurrë më parë. "Në fakt, Kina është e gatshme që të bashkëpunojë me ShBA-në dhe vendet e tjera të mëdha për të përballuar sfidat globale urgjente."
foto nga Xinhua
Forumi mbi Studimet Kineze u krijua në vitin 2004 dhe organizohet çdo dy vjet. Studimet kineze e kanë zanafillën nga sinologjia, që studion Kinën tradicionale, por kanë përmbajtje më të larmishme dhe theksojnë analizimin dhe shpjegimin e çështjeve politike, ekonomike, shoqërore e kulturore të Kinës së sotme, ndërmjet teorive e metodave të shkencave shoqërore. Çmimi për Kontributin në Studimet Kineze u krijua në vitin 2010 dhe është çmimi më i lartë për studimet kineze në arenën ndërkombëtare. Profesorët Philip Alden Kuhn e Ezra Feivel Vogel nga Universiteti i Harvardit, profesori Michael Loewe nga Universiteti i Kembrixhit, profesoresha Ye Jiaying nga Universiteti Nankai dhe studiues të tjerë me famën botërore në këtë drejtim, janë nderuar me këtë çmim. (Wang Lei/ Artan)