Miltiadh Pema, konkurrenti 70 vjeçar në “X-Factor Albania”
2023-12-06 10:19:12

Miltiadh Pema me bashkeshorten (Foto personale)

Miltiadh Pema ka lindur dhe është rritur në lagjen Goricë të qytetit të Beratit. Ai që në moshë të vogël ka qenë i pasionuar pas muzikës së lehtë moderne, një ëndërr që nuk e realizoi dot në rininë e tij, por sot që është afër 70 vjeç i është dedikuar tërësisht këngës. Miltiadhi është përzgjedhur midis 2500 konkurentëve të spektaklit “X-Factor Albania” dhe për të mosha është vetëm një numër sepse e ndjen veten të ri dhe me mjaft energji. Kënga për Miltiadhin është pasioni i vetëm në jetë, ku shpreson që në të ardhmen të realizojë disa këngë në bashkëpunim me kompozitorë me emër në Shqipëri. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për pjesëmarrjen në X-Factor Albania, si dhe planet e tij në lidhje me muzikën.   

CMG: Si arrite të jesh pjesë e spektaklit muzikor “X-Factor Albania?

Miltiadh Pema: Kënga ka qenë një ëndërr e imja e mbyllur në sirtar prej shumë vitesh dhe erdhi koha që këtë ëndërr ma plotësoi vetëm produksioni “X-Factor Albania”, me moderatoren Alketa Vejsiu dhe regjisorja e famshme Vera Grabocka, e cila më ka përzgjedhur midis 2500 personave dhe dua ta falenderoj shumë. Gjithashtu dua të falenderoj dhe Popi Kolën, i cili më ka mbështetur dhe ju jam mirënjohës sepse për mua janë njerëzit më të respektuar që më vlerësuan, duke më përzgjedhur në spektaklin e tyre.

CMG: Kishte kufizime moshe për t’u bërë pjesë e “X-Factor Albania” sepse tashmë je afër 70 vjeç?

Miltiadh Pema: Këtu nuk ka pasur problem mosha sepse ky spektakël pranon të gjitha moshat, por pasioni im për këngën bëri që produksioni të më vlerësojë pa marrë parasysh moshën time. Kështu që u rendita me bashkëudhëtuesit e mi në këtë spektakël. Mosha më e vogël është 18 vjeç dhe mesatarja mund të jetë 25 vjeç, ndërsa unë jam afër 70 vjeç. Unë konkurova si gjithë të tjerët dhe mosha nuk u mor fare parasysh. Kam kënduar që në moshën 6 vjeçare, por më është privuar e drejta e këngës sepse jeta kështu më ka ardhur.

CMG: Nuk ke pasur mundësi të aktivizohesh me muzikën deri tani?

Miltiadh Pema: Kam pasur mundësi të vogla, duke punuar si kitarist kur shkoja nëpër mbrëmjet e vallëzimit në shkollat e mesme dhe në koncerte të ndryshme duke luajtur me kitarë. Megjithatë arsyet ekonomike më detyruan të emigroja jashtë shtetit dhe krijova familjen. Unë kam tre fëmijë të shkëlqyer  dhe u mora më tepër me familjen sepse nuk mu dhanë mundësitë për këngën. Lëvizja ime jashtë shtetit më kufizoi pasionin, sepse do të punoja si gjithë të tjerët, duke parë anën ekonomike. Tani më erdhi mundësia për të marrë pjesë në “X-Factor” dhe e vendosa që do të marr pjesë në konkurim. Me dëshirën më të madhe dhashë kontributin tim aq sa kisha mundësi. Këtu dua të vlerësoj dhe jurinë profesioniste të kryesuar nga Maestro Zhani Ciko, Arilena Ara, Adi Krasta dhe Elhaida Dani, të cilët më vlerësuan dhe falenderuan për pjesëmarrjen.

Miltiadh Pema ne interviste per CMG

CMG: Kë ke më tepër pasion këngën apo kitarën?

Miltiadh Pema: Instrumenti është shumë i dashur sepse kam luajtur në kitarë prej kohësh dhe kam kënduar me kitarë, por kënga është mbi të gjitha dhe mbi kitarën. Unë pretendoj dhe jam drejt këngës moderne shqiptare, kam idhuj këngëtarë të famshëm shqiptarë si Luan Zhegu, Aleksandër Gjoka dhe më ngroh shumë muzika e tij, muzika moderne shqiptare dhe rroku shqiptar.

CMG: Si ke mundur ta ruash zërin dhe sot që je 70 vjeç?

Miltiadh Pema: Unë e kam kënduar këngën qëkur isha i vogël dhe kordat e zërit i kam pasur që në moshën 6 vjeçare, ku më kanë vlerësuar në shkollën fillore. Kam lindur për të kënduar, e kam ëndërr dhe ndoshta e kam trashëguar nga babai im sepse ka kënduar jashtë mase, por unë ja kam kaluar babait sepse kam një prirje për muzikën moderne.

CMG: Si e shikon të ardhmen tënde në fushën e këngës?

Miltiadh Pema: Unë tani pretendoj më shumë dhe dua që të përgatis një këngë shumë të bukur me kompozitorë të njohur shqiptarë si Pirro Çako apo Valentin Veizi, e ndoshta edhe të tjerë. Do t’u kërkoj mbështetje për t’u paraqitur dhe në festivalin e këngës në RTSH, për të përfaqësuar veten time në muzikën shqiptare. E ndjej shumë të aftë veten dhe më duket sikur jam 19 vjeç  dhe nuk e kuptoj sesi t’i them vetes që jam 70 vjeç. Unë e këndoj këngën sikur jam 19 vjeç dhe më ka kapur një ndjesi e madhe për muzikën dhe këngën. Gjithashtu në rrugën e këngës më ka mbështetur shumë familja, bashkëshortja më ka shoqëruar në çdo event. Më kanë mbështetur dhe djali me vajzën. Djali që jeton në Suedi më ndjek gjithmonë dhe më thotë se duhet të eci përpara, sepse jam në kohën më të mirë për të kënduar. Unë nuk e kam problem fare për të konkuruar, dhe do ju bëj sfidë kujtdo që më del përpara. Gjithë boshllëku i jetës time dhe ëndrrën time që ka qenë e mbyllur në sirtar prej kohësh, të cilën regjisorja Vera Grabocka e nxorri nga ky sirtar dhe më mori në spektaklin e saj.

CMG: Dëshiron të realizosh ndonjë duet me idhujt e tu të muzikës, Luan Zhegun dhe Aleksandër Gjokën?

Miltiadh Pema: Unë kam dobësi të madhe për të dy këta këngëtarë. Kam dëshirë të bëj bashkëpunim me të dy këngëtarët dhe kjo do jetë kënaqësia ime më e madhe, sepse jam i këtij zhanri muzikor dhe më pëlqen shumë muzika e tyre.

CMG: Si ishin komentet e jurisë kur performove në skenën e X-Factor Albania?

Miltiadh Pema: Juria e këtij spektakli është në nivele shumë të larta, më falenderuan për pjesëmarrjen dhe performancën time. Zhani Ciko më duartrokiti dhe më falenderoi për pjesëmarrjen, më përgëzoi dhe më tha sikur shikonte Aleksandër Gjokën, por vetëm kapelja të mungonte. Edhe pjesëtarët e tjerë të jurisë më duartrokitën gjatë gjithë performancës time dhe më kanë falenderuar jashtë mase. Pra komentet e tyre ishin shumë pozitive për mua.

Miltiadh Pema me vajzen e tij (Foto personale)

Miltiadh Pema me djalin (Foto personale)

CMG: Si ndjehesh që realizove ëndrrën që kishte vite e mbyllur në sirtar?

Miltiadh Pema: Jam shumë i lumtur për arsye se e realizova këtë ëndërr dhe dola në ekranin e TV Klan, që për mua është televizioni më i mirë shqiptar dhe e falenderoj për mundësinë që më dha. Kjo ishte dëshira ime më e madhe që mund të arrija dhe e arrita. Unë pretendoj për më shumë në fushën e muzikës.

CMG: Ke vite që jeton në Tiranë, por origjina juaj është nga qyteti muze i Beratit. Ke nostalgji për vendlindjen tuaj?

Miltiadh Pema: Unë jam një qytetar 500 vjeçar nga lagjia Goricë e qytetit të Beratit, më njeh i gjithë qyteti dhe më kanë respektuar gjithë jetën. Jetoj në një lagje turistike, pavarësisht se tani jetoj në Tiranë, Beratin e kam nostalgji, është qyteti ku kam lindur dhe jam rritur. Jam shumë i lumtur që jam beratas dhe jam krenar për qytetin tim, sepse është nga qytetet më të bukura turistike  dhe dua ta nderoj duke kënduar këngën time moderne shqiptare.

CMG: Ke dëshirë të këndosh dhe këngë popullore qytetare beratase?

Miltiadh Pema: Unë jam i pasionuar pas muzikës moderne shqiptare dhe për këtë zhanër kam prirje. Megjithatë për Beratin do këndoj në të gjithë zhanret muzikore, duke dhënë kontributin tim në çdo kohë me këngën popullore beratase. Unë e këndoj këngën popullore beratase sepse jam nga ky qytet.

CMG: Cili është mendimi juaj për konkurentët e tjerë të spektaklit X-Factor Albania?

Miltiadh Pema: Ky spektakël ka talente të jashtëzakonshme, ku përzgjedhjet janë bërë shumë të mira. Ka të rinj dhe të reja shumë të talentuar të muzikës moderne që do të ecin shumë përpara. Unë i kam ndjekur, ndonëse ata janë mbesat dhe nipërit e mi në moshë,  i uroj fitoren më të mirit. Për mua është një vajzë shumë e mirë që quhet Kleansa, e cila është shumë e talentuar dhe këndon në mënyrë të jashtëzakonshme. E uroj Kleansën që ta fitojë këtë edicion të X-Factor Albania sepse është vërtetë një nga këngëtaret më të mira të këtij spektakli.

Intervistoi: Gazmend Agaj