Studentët iranianë të etur për të promovuar kulturën kineze
2023-12-06 10:25:48


Çdo vizitor në Javën e Kulturës Kineze në Universitetin e Teheranit do të mahnitej nga çaji, ushqimi, ornamentet kineze dhe figurat tradicionale të prerjes së letrës të ekspozuara, të gjitha të realizuara nga studentë iranianë të gjuhës kineze.

“Ornamentet nyje kineze plot hijeshi besohet se sjellin fat dhe shërbejnë për të larguar shpirtrat e këqij”,- deklaroi Zeinab Ghafourian, studente 19-vjeçare që studion gjuhën kineze në Institutin Konfuci të Universitetit të Teheranit.

Java e Kulturës Kineze, e cila u mbajt në hollin e Institutin Konfuci, në fund të nëntorit, kishte për qëllim prezantimin e kulturës kineze me më shumë qytetarë iranianë.  Ghafourian tha se një nga arsyet që ajo zgjodhi të studionte kinezisht është sepse ajo ka qenë e interesuar për kulturat e Azisë Lindore që nga fëmijëria. “Përveç kësaj, filmat kinezë janë bërë më të njohur”,- tha ajo.

Më e rëndësishmja, duke pasur parasysh lidhjet e mira të Iranit me Kinën, zotërimi i gjuhës kineze ofron perspektiva më të mira punësimi në tregun iranian të punës në krahasim me gjuhët e tjera, shpjegon ajo.  Mohammadreza Gholamrezaei, një tjetër student në Institutin Konfuci  në Iran, që u hap në vitin 2009, thotë se ai zgjodhi gjithashtu të mësonte kinezisht për shkak të interesit të tij për kulturën dhe historinë e këtij vendi.  Ai thotë se njerëzit e të dy vendeve, si në Iran ashtu edhe në Kinë,  kanë shumë të përbashkëta kulturore, pasi në të kaluarën kanë qenë të lidhur kulturalisht dhe ekonomikisht nëpërmjet Rrugës së lashtë të Mëndafshit.

“Duke pasur parasysh ndikimin global në rritje të Kinës, si dhe marrëdhëniet e saj miqësore dhe të zgjeruara me Iranin, të mësuarit për vendin aziatik në një mënyrë të pandërmjetësuar po bëhet i rëndësishëm”,- deklaroli Hamed Vafaei, drejtori iranian i Institutit Konfuci në Universitetin e Teheranit.

Sipas tij, studentët që studiojnë gjuhën kineze në institut do të hyjnë në sektorë të ndryshëm të shoqërisë në të ardhmen dhe do të prezantojnë më shumë iranianë në Kinë.  Duke qenë se Kina është ekonomia e dytë më e madhe në botë, një nga vendet më të populluara dhe anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, mësimi i gjuhës kineze po bëhet një domosdoshmëri, siç e kanë kuptuar shumë njerëz në mbarë botën, tha ai.

“Përveç kësaj, Irani duhet të njohë homologët e tij dhe një ndër më të rëndësishmit është Kina”,- deklaroi Vafaei, duke shtuar se Irani dhe Kina kanë ndërtuar marrëdhënie të forta politike, ekonomike dhe kulturore.

“Secili nga studentët këtu është një dritare drejt Kinës, duke ndihmuar iranianët të kenë një pamje më realiste të vendit, gjë që do të përmirësojë marrëdhëniet dypalëshe”,- tha ai.