Nga "blerja e peshkut me kupon" te "blerja nga e gjitha bota"
2023-12-06 10:17:30

Para 45 vjetëve, me fillimin e reformës së shitjes së produkteve detare, qyteti Guangzhou i provincës Guangdong të Kinës Jugore hodhi hapin e parë për reformën e prodhimeve bujqësore. Në atë kohë, Guangzhou u bë qyteti i parë që zgjidhi vështirësinë e "ngrënies së peshkut". Ndërsa tani përbërësit ushqimorë nga e gjithë bota kthehen në gatime të shijshme në tryezat e banorëve të Guangzhou-t dhe specialitetet e Guangzhou-t eksportohen gjithashtu në mbarë botën.

Në Guangzhou, para Reformës dhe Hapjes, nuk ishte e lehtë të gjeje peshk. 75-vjeçarja Guan Ruwei u tha gazetarëve se gjatë periudhës së ekonomisë së planifikuar, edhe banorët e Guangzhou-t që jetonin në zonat bregdetare s'mund të hanin lehtësisht peshq. Guan Ruwei tha se në atë kohë duhej të përdorje kuponë për të blerë peshk. Secili kishte dy kuponë peshku në muaj dhe mund të blinte vetëm rreth gjysmë kilogram peshk në muaj. Për shkak të furnizimit shumë të vogël, ndonjëherë edhe sikur të kishe kupon, s'mund ta blije peshkun. Prandaj në atë kohë shumë qytetarë shkonin në treg rreth orës 5 të mëngjesit për të qëndruar në radhë, duke pritur hapjen e tregut të peshkut.

Në vitin 1985, tregu i produkteve ujore në Guangzhou u liberalizua plotësisht dhe blerja e peshkut me kuponë u bë një gjë e së kaluarës. Peshqit nga i gjithë vendi "notuan" në Guangzhou dhe oferta e tregut ishte jashtëzakonisht e bollshme, duke e bërë Guangzhou-n qendrën e shitblerjes së prodhimeve ujore të Kinës.

Porti Nansha, që ndodhet në grykëderdhjen e Lumit të Perlave, është një ndër portet më të ngarkuara në botë. Anijet nga e gjithë bota vijnë e shkojnë këtu dhe mallrat qarkullojnë.

Foto nga VCG

Pranë portit Nansha ndodhet Projekti i Zinxhirit Frigoriferik të Qendrës Ndërkombëtare të Logjistikës Nansha, që është projekti më i madh i Kinës në fushën e zinxhirit frigoriferik. Ky "frigorifer" i madh jo vetëm ofron garancinë për ushqimet e banorëve të Zonës së Madhe të Gjirit, por edhe ka hapur një faqe të re të shitblerjes së ushqimeve të zinxhirit frigoriferik.

Wu Weijia, një ndër përgjegjësit e Projektit të Zinxhirit Frigoriferik Nansha, është nga Guangzhou dhe i pëlqejnë ushqimet e ndryshme. Ai është shumë krenar që puna e tij është e lidhur ngushtësisht me ushqimet e tavolinës së bashkëqytetarëve të vet. Wu tha: “Ky 'frigorifer i madh' ka shumë ushqime nga vende të ndryshme të botë, si peshku rrip nga Brazili, pangasi i Vietnamit, karkalecat e bardhë nga Ekuadori, duriani i Tajlandës dhe qershitë e Kilit. Këto ushqime kanë përshkuar dete për të ardhur deri këtu e nga këtu shkojnë në tryezat e banorëve të thjeshtë. Mund të them se banorët e Guangzhou-t mund të gjejnë ushqimet e mbarë botës këtu. Njëkohësisht, më shumë ushqime kineze, si jiaozi-të e qoftet me mish viçi, nga këtu shkojnë në vende të ndryshme të botës.

Foto nga VCG

Wu tha se, si një bazë logjistike gjithëpërfshirëse e zinxhirit frigoriferik në port, Projekti i Zinxhirit Frigoriferik Nansha ofron shërbime logjistike gjithëpërfshirëse të zinxhirit frigoriferik me "një ndalesë" nga zhdoganimi në shpërndarje, gjë që mund të shkurtojë në mënyrë efektive distancën e hyrjes së produkteve në treg dhe garanton sigurinë, cilësinë dhe freskinë e produkteve, si edhe mund të ulë çmimet e produkteve dhe të plotësojë më mirë nevojat e njerëzve për përmirësimin e konsumit.

Nëpërmjet shërbimeve me "një ndalesë", shpejtësia e zhdoganimit të frutave të importuara është ngritur 20 %. Pas zhdoganimit, brenda një ore, mallrat e zinxhirit frigoriferik arrijnë në të gjitha krahinat e Zonës së Madhe të Gjirit Guangdong - Hong-Kong - Makao dhe brenda 24 orësh mund të arrijnë në qytetet e mëdha të mbarë Kinës.

Në vitin 2022, vlera e mallrave të importuara nëpërmjet zinxhirit frigoriferik në Zonën e Portit Nansha ishte 22.74 miliardë juanë, me një rritje prej 81.9 % në krahasim me vitin 2021. Në gjysmën e parë të këtij viti, vlera e mallrave të importuara nëpërmjet zinxhirit frigoriferik në Portin Nansha i tejkaloi 13.8 miliardë juanët, nga të cilat vlera e frutave të importuara ishte afro 8 miliardë juanë. Porti Nansha është bërë porti më i madh i importit të qershive dhe durianëve në Kinë.

Foto nga VCG

Tani më shumë frigoriferë të vegjël të familjeve në Kinë mbushen nga "frigoriferi i madh" Nansha. Nga "blerja e peshkut me kupon" deri te "blerja nga e gjitha bota" tregohet procesi i ngritjes së nivelit të jetesës të banorëve të Guangzhou-t dhe përkushtimi i tyre ndaj Reformës dhe Hapjes.

Më shumë se 150 rrugët e tregtisë së jashtme të Portit Nansha arrijnë në më shumë se 100 vende dhe rajone anembanë botës. Vëllimi vjetor i trafikut i Aeroportit Ndërkombëtar "Baiyun" të Guangzhou-t vazhdon të renditet i pari në vend e po ashtu fluksi i udhëtarëve në Stacionin Hekurudhor Jugor të Guangzhou-t është ndër më të mëdhenjtë në vend. Vëllimi i tregtisë elektronike ndërkufitare ka zënë vendin e parë në Kinë për nëntë vjet radhazi...

Guangzhou, qyteti tregtar me histori mijëravjeçare, po luan rol të rëndësishëm për lidhjen midis Kinës e botës. (Çang Çuo)