Foto nga VCG
Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi shprehu të martën shpresën se Britania do të ketë një njohje të saktë të Kinës dhe do të kuptojë drejtimin e përgjithshëm të zhvillimit të marrëdhënieve kino-britanike.
Wang, gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, i tha këto gjatë një bisede telefonike me sekretarin britanik të shtetit për Punët e Jashtme, të Komunuelthit e Zhvillimit David Cameron, me kërkesën e këtij të fundit.
Kryediplomati kinez theksoi se Kina e Britania ofrojnë mundësi zhvillimi për njëra-tjetrën dhe, si dy vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbajnë përgjegjësi të rëndësishme për ruajtjen e paqes e të qëndrueshmërisë ndërkombëtare.
Sipas tij, zhvillimi i qëndrueshëm dhe i shëndetshëm i marrëdhënieve dypalëshe u shërben jo vetëm interesave themelore dhe afatgjata të të dy popujve, por ka gjithashtu rëndësi strategjike e globale për nxitjen e paqes dhe lulëzimit botëror.
Wang tha se Kina është e angazhuar me vendosmëri ndaj zhvillimit paqësor dhe ka një politikë të jashtme të vazhdueshme e të qëndrueshme. Kina mbron multilateralizmin e kundërshton ngacmimin e njëanshëm, tha ai, duke shtuar se Kina mbështet tregtinë e lirë dhe kundërshton proteksionizmin.
Zhvillimi i Kinës është një forcë në rritje për paqen botërore dhe një faktor për forcimin e qëndrueshmërisë së komunitetit ndërkombëtar. Përballë gjendjes ndërkombëtare në ndryshim të vazhdueshëm dhe sfidave botërore në rritje, Kina dhe Britania duhet të mbajnë komunikimin dhe dialogun, të forcojnë bashkërendimin dhe të thellojnë bashkëpunimin, theksoi ai.