Prodhimi i mjaltit, faktorët që e bëjnë më pak konkurrues
2023-12-06 09:51:57

Mjalti shqiptar (Foto AgroWeb)

Mjalti shqiptar (Foto AgroWeb)

Viti 2023 ka qenë një vit i dobët për prodhimin e mjaltit, për shkak të kushteve jo të favorshme të motit. Këtë vit edhe prodhimet e frutikulturës kanë qenë në nivelet 50-60 % të prodhimit të viteve të tjera, prodhimi i rrushit rreth 30 % dhe prodhimi i perimeve rreth 60 %. Pra, nuk ka patur lule te pllenuara, që do të thotë për ekspertët se nuk janë frekuentuar nga bletët për të marrë nektar dhe polen. Në një intervistë për Radio Ejani kryetari i Bletërritësve Shqiptarë, Vitor Maluta jep arsyet se përse Shqipëria është më pak konkurruese për prodhimin e mjaltit. 

“Ndryshimet e vazhdueshme klimaterike, si thatësira e tejzgjatur gjatë verës dhe vjeshtës, apo pranvera si e sivjetshmja me reshje të shumta shiu, sidomos në kohën e lulëzimit të bimësisë si dhe dëmtimi i pyjeve dhe kullotave nga djegiet, erozioni dhe dëmtimi i ekosistemit. Po kështu ka ndikuar dhe lënia e tokave djerrë, të cilat mbulohen me barishte, shkurre dhe bimësi tjetër që nuk shfrytëzohet nga bletët. Faktorë të tjerë janë dëmtimi i sistemit të ujitjes dhe kullimit të tokës. Mos mbjellja e bimësisë mjaltëdhënëse si luledielli, soja, tërfili, levandula, sherebela etj. Përdorimi pa kriter i herbicideve dhe pesticideve në kulturat drufrutore dhe në perime, sidomos duke përdorur pesticide të dëmshme për bletët dhe në periudha të ditës kur bletët janë në kullotë dhe raste të tilla kemi patur në Sarandë, por edhe në Elbasan, etj”, u shpreh Maluta

Tjetër faktor që e bën më pak konkurruese Shqipërinë janë mbështetjet më të pakta me subvencione dhe projekte. 

Vitor Maluta (Foto personale)

Vitor Maluta (Foto personale)

“Megjithëse këtë vit u subvencionuan mbi 3000 bletërritës në shkallë vendi, vlera e subvencionimit ishte rreth 700 lekë për koshere, ndërsa në vendet e rajonit si Kosova dhe Maqedonia e Veriut ky subvencionim ka qenë 15-30 euro për koshere. Mbështetje shumë e vogël, për të mos thënë aspak nga pushteti vendor, kur në Kosovë çdo komunë planifikon në buxhetin e vitit fonde për mbështetjen e bletarisë.” 

Maluta thotë se tjetër faktor që e bën Shqipërinë më pak konkurruese janë dëmet e shumta të bletëve nga sëmundjet për shkak se nuk bëhet profilaksi e planifikuar dhe e detyruar për luftimin e këtyre sëmundjeve. Po ashtu problem mbetet futja kontrabandë e mjaltit dhe produkteve të tjera të bletarisë të falsifikuara, të cilat kanë kosto shumë të ulët prodhimi dhe shiten si produkte vendase, duke konkurruar në mënyrë të padrejtë bletarët shqiptarë. 

Sipas  kreut të Bletërritësve Shqiptarë, vendi akoma nuk ka akses në tregjet e BE-së. Sot eksportohen rreth 40-50 ton mjaltë në tregjet e huaja, kryesisht në SHBA, Kinë, Singapor, Japoni, Kosovë etj, Ndërsa emigrantët shqiptarë që jetojnë në Evropë dhe vende të tjera, mendohet se marrin çdo vit rreth 500 ton mjaltë për konsum në familjet e tyre ose për dhurata. Aktualisht Ministria e Bujqësisë po punon në nivel rajonal me vendet e CEFTA-s për të bërë të mundur hapjen e eksporteve me procedurë të thjeshtuar dhe një dokumentacion të unifikuar mes vendeve të rajonit. 

Sipas kryetarit të Shoqatës së Bletërritësve Shqiptarë, Vitor Maluta janë afro 3000 bletërritës në vend. 

“Këtë vit kanë aplikuar për subvencionim mbi 3000 bletarë, që do të thotë se të gjithë ata kanë një numër NIPT, që do të thotë se janë të regjistruar si fermerë, e për rrjedhojë janë të licencuar për prodhimin e mjaltit. Po t'i shtojmë këtij numri edhe disa të tjerë që për arsye të ndryshme nuk kanë aplikuar, atëherë kemi mbi 3000 prodhues të licencuar”-  bëri të ditur Maluta. 

Tashmë në Shqipëri  ka edhe një ligj për bletarinë. 

“Po, është miratuar ligji për bletarinë. Tani është në fazën e njohjes nga Komuniteti i bletarëve, fermerëve dhe konsumatorëve. Natyrisht është një risi, pasi rregullohen me ligj shumë problematika që ishin shqetësuese më përpara. Por, është akoma shumë herët për të folur për rregullim të tregut.”- tha kryetari i Bletërritësve Shqiptarë, Vitor Maluta. 

Sa kontroll ka nga shteti për këtë produkt? 

“Si të gjitha produktet e tjera bujqësore edhe produktet e bletarisë i nënshtrohen planeve të monitorimit të cilësisë për sigurinë ushqimore.Monitorimet ose kontrollet e cilësisë janë dy llojesh, të planifikuara dhe të detyrueshme që bëhen nga Institucionet e Sigurisë Ushqimore, të cilat janë kryesisht për mbetjet produktet si metalet e rënda, antibiotikët dhe pesticidet si dhe kontrollet që bëjnë vetë bletarët apo grumbulluesit pranë AKU-së apo ISUV-it për sigurinë e tyre. Shumë më shumë kontrolle nga autoritet shtetërore dhe ligj zbatuese duhet të ketë në tregjet e lira dhe tregun informal, si për anën dokumentare dhe sigurinë ushqimore”- tha ai. 

Prodhimi i mjaltit në Shqipëri (Foto AgroWeb)

Prodhimi i mjaltit në Shqipëri (Foto AgroWeb)

Mjalti që prodhohet në Shqipëri klasifikohet sipas zonës gjeografike dhe sipas bimësisë. 

“Sipas zonës gjeografike kemi: Mjalti i Zadrimës,  në veri të Shqipërisë (rajoni i Lezhës) ku ka kushte të shkëlqyera klimaterike për bletarinë, ndaj dhe është i përhapur në të gjithë zonën. Mjalti më i njohur është ai i sherbelës, i cili vjen nga dy zona kodrinore dhe prodhohet mes muajit maj dhe qershor. Mjalti i Malit (Puka, Tropoja, Korça, Malësia e Madhe, Librazhdi, Dibra, Erseka, Kukësi, Përmeti, Skrapari etj, pra në të gjitha zonat malore të Shqipërisë). Ky është një mjaltë që ka një reputacion të lartë në Shqipëri. Prodhimi i mjaltit është një zgjidhje për shumë ferma të vogla që ndodhen në zonat malore, të cilat nuk kanë shumë mundësi që ta zgjerojnë prodhimin e tyre agrikulturor dhe të shkojnë në treg.” 

Në Shqipëri prodhohet Mjalti i gështenjave nga Tropoja, Shkodra, Malësia e Madhe, Puka, Pogradeci, Librazhdi, Korça dhe kudo tjetër ku ka masive gështenjash. Mjalti i gështenjave ka një potencial të madh suksesi në tregun e Tiranës, Elbasanit dhe Durrësit si dhe në tregun ndërkombëtar. Kemi mjaltin e Himarës. Ky mjaltë mblidhet në shpatet e Llogarasë, por edhe më tej, nga Palasa e deri në Borsh. Bimësia e zonës, pasuria e madhe e luleve dhe aromave, kombinuar me klimën detare dhe malore, e bëjnë këtë mjaltë shumë të kërkuar në të gjithë vendin. Mjalti i Përmetit, njëra nga shumë vlerat e përmetarëve është krenaria e tyre dhe kujdesi për cilësinë. Mjalti i maleve të Gjirokastrës; kullotat malore të rajonit të Gjirokastrës janë një bazë e mirë natyrale që siguron një mjaltë me vlera të shëndetshme. Mjalti i maleve dhe vargmaleve të Gjirokastrës mbulon nevojat e popullsisë përreth dhe arrin edhe tregjet e qyteteve kryesore. 

Bletari (Foto Agroweb)

Bletari (Foto Agroweb)

“Përveç klasifikimit të mjaltrave sipas rajoneve gjeografike, ka edhe një klasifikim sipas bimësisë dominuese në të cilën bletët kanë kullotur. Kështu, përveç mjaltit të gështenjave , ka edhe mjaltë akacie, sherebelë, trumzë, pishë, mareje etj. Por duhet theksuar se mjaltrat monoflore jo vetëm që janë të rrallë në Shqipëri, përveç mjaltit të gështenjës, por edhe përqindja e mjaltit nga lulja kryesore që mban emrin edhe mjalti është relativisht e ulët 51-80 %, pasi në përgjithësi kullotat monoflorë nuk e mbulojnë plotësisht një vjelje të plotë. “- shprehet Maluta. 

Maluta thekson se informaliteti na dëmton shumë pasi falsifikatoret shesin glukozë në vend te mjaltit. Glukoza ka një çmim shumë të ulët dhe bëhen konkurrentë padrejtësisht me bletarin, dëm të cilin e përjeton edhe blerësi, pra konsumatori.