Adrian Çene-kompozim - foto Dritare.net
Shitja e pikturave vazhdon të jetë një burim i të ardhurave për artistët në mbarë botën. Ka piktura, që në tregun botëror shiten me çmime milionëshe. Ndonëse çmimi i shitjes së një vepre artistike nuk është matës i vlerës artistike të saj, prapë se prap dëshmon impaktin që ajo mund të bëjë në opinion.
Çmimi i një pikture mund të varet gjithashtu nga periudha kohore gjatë së cilës është krijuar.
Përshembull, një pikturë e bërë në shekullin e 16-të është dëshmuar se mund të kushtojë shumë më tepër sesa pikturat artistike të ditëve të sotme, shkruan Orange Carton, faqja e famshme në internet e cila shet dhe bën vlerësimin e pikturave. Sipas kësaj faqeje disa faktorë të cilët ia rrisin vlerën një pikture janë: stili, kualiteti i punës, materialet e përdorura e mbi të gjitha emri i artistit.
Ibrahim Kodra është konsideruar si piktori më i rëndësishëm shqiptar i njohur ndërkombëtarisht.Pas një karriere të gjatë artistike, Kodra ka lënë pas rreth 6 mijë vepra, të shpërndara nga muze private, koleksionistë dhe vetëm 2 mijë prej tyre janë të regjistruara dhe të dokumentuara. Pikturat e Kodrës janë mjaft joshëse për artdashësit dhe koleksionistët të cilët vrapojnë t’i kenë në pronësinë e tyre. Silvio Berluskoni zotëronte një koleksion të veprave të Kodrës me 41 punime. Një tjetër punim i postkubistit të fundit është zbuluar te shtëpia e shkrimtarit italian Dario Fo. Sot në ankande të ndryshme jashtë Shqipërisë vazhdojnë e prezantohet veprat e Kodrës, që shiten me çmime rreth 70 mijë euro.
Pashk Pervathi - Peizazh - foto fb nga vete autori
Lind Delija është padyshim piktori më i vlerësuar ndërkombëtar. Ai mund të konsiderohet si një nga piktorët më të rëndësishëm në historinë e shqipërisë. I larguar nga Shqipëria, puna e tij u shfaq fillimisht në Romë dhe atje gjendet një pjesë e madhe e punimeve të piktorit. Shumë prej tyre janë në duart e koleksionistëve dhe adhuruesve të artit të tij dhe shfaqen herë pas here në ankande. Pas vdekjes 26 të tilla u kthyen në Shkodër, qytetin e tij.
Daut Berisha është një tjetër piktor shumë i vlerësuar në perëndim. Jeta e tij artistike ishte mjaft e bujshme, veprat po ashtu dhe ato zunë vend në galeri të njohura në Paris, sikurse edhe në koleksione private. Nuk jepen detaje lidhur me shifrat me të cilat shiten këto vepra, por mjafton të themi se shumë prej tyre janë pjesë e galerive private dhe se ka një interes të madh për to.
Nga shumë pikorë shqiptar të cilët gjatë viteve të fundit kanë arritur të depërtojnë në botën perëndimore, në krye të listës, për interesimin që ka zgjuar te galeritë e kritikët ndërkombëtar të artit dhe me çmimin e pikturave të shitura, është piktori Alush Shima. Shima me veprat e tij ka hyrë në disa nga Galeritë më të rëndësishme të botës.
Peizazhe nga Alush Shima
Një nga natyrat e qeta të piktorit Shima me titull “Lulet e shpresës”, (1984, vaj mbi kanavacë), e shitur në vitin 1994 nga piktori me çmimin 17 000 dollarë, në ankandin e veprave të artit në SHBA u rishit me çmimin 1 milion dollarë. Pikturat e tij janë blerë edhe nga personalitete të njohura si Presidenti amerikan Gjorgj Bush, aktori Michael Caine, shkrimtari Ismail Kadare etj.
Pashk Përvathi është një tjetër autori i kërkuar dhe i pëlqyer në tregun e pikturës. Peizazhet dhe natyrat e qeta janë gjinitë që ai aplikon më shumë dhe njëkohësisht shet shumë prej tyre. Është ndër piktorët që jeton përmes pikturës dhe kjo flet për një pëlqyeshëmri të madhe nga publiku. Vlerat e tyre monetare mbase nuk janë me shifra marramendëse, por ai shet në mënyrë sistematike. Të gjithë duan të kenë peizazhet e tij të varura në mur, pasi dallohet për stilin etij unik.
Helidon Haliti është një tjetër artist që jeton përmes pikturës. Ai merr pjesë sistematikisht në ekspozita të rëndësishme apo bienale ndërkombëtare, gjë që i ka dhënë atij mjaft famë e sukses. Helidon Haliti është një artist vepra e të cilit kërkohet dhe shitet mirë. Është ndër ata artistë të cilët ia kanë dalë të jetojnë përmes artit të tyre.
Adrian Çene është një tjetër piktor sipas kuratorëve, është një nga më të talentuarit dhe përfaqësuesi më i spikatur i piktorëve bashkëkohorë shqiptarë. Ai godet publikun me një stil imponues shumë personal, duke përdorur forma të theksuara, shprehëse dhe paleta ngjyrash. Klientelën më të madhe e ka të huaj, eurodeputetë, ambasadorë, njerëz të pasur dhe dashamirës të artit. Çene krijon në qytetin e tij të lindjes, në Pogradec, ndërkohë që vazhdon të pëlqehet dhe të ekspozohet gjerësisht në botë.
Agron Hoti dhe Ibrahimović - oto Sot
Piktori nga Kosova Agron Hoti, ia ka dalë që të ketë klient një ndër futbollistët ikonë dhe t’ia shesë një pikturë 50 mijë euro. Piktori ia ka shitur pikturën futbollistit të njohur, Zlatan Ibrahimović. Piktura përfshin momentet më të bukura të tij kur luan futboll, të fitoreve dhe humbjeve. Piktura ka qenë e shfaqur në një sallon arti në Verona dhe ka tërhequr menjëherë vëmendjen e futbollistit i cili e ka blerë menjëherë atë.
Piktorët shqiptarë janë të shpërndarë nëpër botë. Në studiot e tyre të punës ata hedhin frymëzime penelatash dhe krijojnë vepra, të cilat herët a vonë e gjejnë rrugën për te publiku. Por në këtë treg janë të përfshirë edhe piktorë amatorë të cilët arrijnë të shesin të tregun e pikturës, jo art, por më shumë një mall. Dhe ky është dallimi mes tyre. Në më të shumtën e rasteve veprat e tyre shiten jashtë ankandeve dhe çmimet e shitjes nuk bëhen publike.
Neritana Kraja