Posteri i filmit "Wish" / foto nga China Daily
Animacionet e sotme janë një kujtesë për filmat e hershëm të studios, ndërsa mbartin një mesazh të ditëve moderne rreth ndryshimit dhe inovacionit shoqëror.
“Walt Disney Animation Studios” njihet për realizimin e filmave të animuar me kafshët që flasin. Këtë vit, ndërsa gjiganti i animacionit feston 100-vjetorin e krijimit, filmi i tij më i ri i animuar, “Wish”, flet për një dhi të veshur me pizhame të verdha.
Jennifer Lee, shefja kreative e “Disney” deklaroi gjatë një interviste me “China Daily” se nuk mund mos të buzëqeshte ndërsa kujtonte histori magjepsëse se si e konceptuan personazhin kryesor, i cili quhet Valentino.
“Shpesh përballemi me kafshë në një mënyrë shumë të mrekullueshme. Te “Frozen”, kishim një dre që erdhi në studiot tona. Dhe këtë herë, animatorët kaluan mjaft kohë duke parë dhitë e vogla që hidheshin me pizhame për “Wish””,- tha Lee, e cila është gjithashtu bashkëskenariste dhe producente ekzekutive e filmit.
Ndërsa është shfaqur në Kinë që nga 24 nëntori, në versionin Mandarin të filmit, Yu Shi, i cili së fundi fitoi popullaritet për rolin në “Creation of the Gods I: Kingdom of Storms”, që u përzgjodh si “Filmi më i mirë” në “Golden Rooster”, ishte zëri për personazhin kryesor Valentinon.
Liu Yifei / foto nga China Daily
Liu Yifei, e njohur për portretizimin e personazhit kryesor në filmin “live-action” të “Disney”, “Mulan”, ishte zëri i Ashas, e zonja e Valentinos, një vajzë e guximshme dhe me vullnet të fortë.
E ambientuar në mbretërinë imagjinare dhe magjike të Rosas, komedia muzikore fokusohet te Asha, një 17-vjeçare që jeton me familjen e saj. Ndërsa merrte pjesë në një audicion për të punuar si asistente e mbretit, një sundimtar në dukje bujar dhe zemërmirë, heroina kupton se mbreti, i cili mund të përmbushë dëshirat për qytetarët e tij përmes magjisë, në fakt ka një sekret të errët dhe qëllime të pandershme.
Vajza e zhgënjyer vrapon në pyll, duke shprehur një dëshirë të cilës i përgjigjet papritur një forcë kozmike, një top i vogël energjie pa kufi i quajtur Yll. Asha dhe Ylli, së bashku me Valentinon dhe një grup miqsh, vendosin të përballen me mbretin dhe të çlirojnë të gjitha dëshirat e qytetarëve, të cilat janë mbyllur në qindra flluska magjike.
Lee kujton se ideja për “Wish” filloi të merrte formë në vitin 2018, kur ajo punonte me Chris Buck për “Frozen 2”, një nga filmat e animuar me fitimet më të larta në botë. Projekti dyvjeçar përfshiu rreth 600 animatorë. Përgatitjet fillestare përparuan me shpejtësi.
Yu Shi / foto nga China Daily
Lee thotë se shumica e skenave kanë të bëjnë me një dëshirë, pavarësisht nëse është një protagonist që këndon një këngë për të shprehur dëshirat e tij, ose të dëshirosh një yll, ato përcjellin një koncept kolektiv - fuqia e madhe pas një dëshire është forca lëvizëse pas inovacioneve dhe ndryshimet në shoqërinë tonë.
foto nga China Daily
“Ne duhet ta nderojmë këtë. Të dëshirosh një yll, mendoj se është një deklaratë e një qëllimi. Por gjëja më e rëndësishme është që ta bësh atë punë vetë dhe të përmbushësh dëshirën tënde. Dhe, edhe nëse udhëtimi është i vështirë, ia vlen”,- thotë Lee.
Filmi i ri kombinon estetikën tradicionale të pikturave me bojëra uji të vizatuara me dorë me teknologjitë e përparuara të krijuara nga kompjuteri, duke i bërë të gjithë personazhet dhe mjediset të duken si një libër tregimesh që ka marrë jetë.
Sipas dizajnuesve të filmit, stili vizual i veçantë i “Wish” i ka rrënjët te klasikët e hershëm të studios, nga “Borëbardha dhe Shtatë Xhuxhët” e vitit 1937, te “Pinocchio” e 1940-s dhe “Bukuroshja e Fjetur” e 1959-s.
foto nga China Daily
Lee, e cila iu bashkua “Walt Disney Animation Studios” në vitin 2011 dhe ka punuar si shefe krijuese që nga viti 2018, ende e kujton qartazi ditën e parë që ajo hyri në zyrë.
“Dola nga ashensori prej parkingut dhe aty ishte një yll gjigant. Ndoshta kjo ishte simbolike se ku do të shkonim. Eca nëpër korridore dhe statujat ose fotografitë e “Winnie the Pooh” ishin kudo. U desh të ndaloja për një minutë. Isha e emocionuar sepse kishte qenë një ëndërr fëmijërie të isha pjesë e “Disney”. Pothuajse nuk mund ta besoja se isha atje. E megjithatë, në të njëjtën kohë, u ndjeva sikur isha në shtëpi”,- kujton ajo me emocion.
Gjatë dekadës së fundit, ajo është vlerësuar në një sërë filmash të suksesshëm, nga të qenit shkrimtare dhe regjisore e “Frozen” dhe një nga shkrimtaret e filmit fitues të Oskarit 2016 “Zootopia”, deri te roli i saj si producente ekzekutive e “Ralph Breaks the Internet”, që u nominua për Oskar në vitin 2018.
Kur u pyet për dëshirën e saj pas përfundimit të filmit të ri, ajo përgjigjet me buzëqeshje: “Shpresoj vërtet që ky film t'u japë njerëzve shpresë, t'i ndihmojë ata të rilidhen me atë që dëshirojnë me gjithë zemër dhe i bën ata të ndiejnë më shumë mundësi. Shpresoj që, në shumë mënyra, ky film të na kujtojë të gjitha gjërat e bukura me të cilat jemi të lidhur”.