Frida Mavriqi ia dedikon suksesin nënën së saj
2023-12-05 10:15:47


Frida Mavriqi gjatë edicionit të lajmeve

Pas përfundimit të studimeve, Frida Mavriqi vendosi të nisë rrugëtimin e saj në media në televizionin kombëtar Vizion Plus, një eksperiencë e cila e ka rritur profesionalisht. Frida rrëfen si nisi dëshira për gazetari dhe pse e zgjodhi këtë fushë sa të bukur aq dhe sfiduese. Një nga gjërat më të bukura që ajo bën pas pune është kalimi i kohës cilësore me miqtë dhe fundjavat në vendlindjen e bukur që është Fieri. Frida ka një lidhje të ngushtë me familjen e saj dhe gjyshet, të cilat i cilëson si fanset e saj sa herë që del në transmetim.

Frida Mavriqi

CMG:  Frida të kemi shkëputur menjëherë pas dhënies së lajmeve, si është të punosh me lajmet ?

Frida Mavriqi: Është tepër sfiduese, por dhe e bukur në të njëjtën kohë. Gërshetohen një sërë elementësh, të cilët duhet të shkojnë një rritem me njëri-tjetrin. Ti duhet të jesh shumë e përgatitur për çdo gjë që ke vendosur të bësh më përditshmëri. Më e bukura e këtij profesioni është që  kurrë nuk rri pa bërë diçka të re apo pa mësuar diçka të tillë.Unë jam shumë ritmike në ditën time.

CMG: Tek dita do të ndalemi, a mund të na tregoni se si janë 24- orët tuaja? 

Frida Mavriqi: Nje ditë e imja është sa motivuese edhe e lodhshme. Për një njeri që e sheh nga jashtë mund të duket pjesë e një rutine, por në fakt është më shumë se kaq. Unë në ditë normale të javës e dua shumë gjumin përpiqem të jem e rregullt në këtë pjesë, të plotësoj orët e gjumit pasi është edhe e shëndetshme. Pastaj dita fillon normalisht dhe po normalisht vijon, përpiqem që të shkëmbej ide dhe biseda mëngjesi mbi aktualitetin e më pas të bëhem gati për lajmet.

F. Mavriqi duke raportuar në terren

CMG: A je pro miqësisë në punë dhe a ke të tillë në vendin e punës ? 

Frida Mavriqi: Po jam dakord sepse është një nga gjërat të cilat të integrojnë shumë mirë në shoqëri dhe të bëjnë pjesë të një bote të bukur Unë kam pasur fatin që mikeshë timen dhe kolege njëherësh të kem Pranvera Borakaj, më të cilën mund të them me bindje që kuptohemi vetëm me shikim. Ajo ka qenë për mua një udhërrëfyese që më është gjendur në çdo moment për të më këshilluar apo për të më thënë çfarë është e drejtë dhe e gabuar. Përtej kësaj, miqësia në punë të jep mundësinë që më asnjë moment, rrethanë apo çfarëdo lloj gjëje tjetër të ndihesh vetëm. Mua nuk më pëlqen të ndihem vetëm ndaj përpiqem që të shoqërohen me miq dhe mikesha edhe në vendin e punës. Por, duhet të ruajmë limitet patjetër për të mos cenuar integritetin brenda grupit. Pra, ne jemi sa miq edhe kolegë edhe mbi të gjitha profesionistë. Arrijmë të ndajmë mjaftueshëm mirë çfarë duhet dhe nuk duhet.

CMG: Çfarë është për ju familja?

Frida Mavriqi: Pavarësisht që koha që kaloj në familje nuk është plotësisht ajo që ata meritojnë pasi më duhet të shoh dhe angazhimet personale. Për mua mbetet një vatër e ngrohtë, e cila më mirëpret sa herë që unë dua apo kam nevojë qoftë për qejf apo qoftë për të ndarë një shqetësim. Është shumë e nevojshme që të dish në fund të ditës se ke dikë apo ke disa persona në jetën tënde që të presin në çdo rrethanë që jeta mund të të sjellë.

CMG: Çfarë mesazhi keni marrë prej nënës suaj për jetën ?

Frida Mavriqi: Nëna ime ka qenë gjithmonë e kujdesshme në rritjen time cilësore, duke ma lehtësuar rrugëtimin tim të jetës dhe duke më zbritur me këmbë në tokë. Asnjëherë nuk ka menduar kush jam unë, çfarë posti mbaj etj. Nëna ime gjithmonë ka vendosur të parën modestinë dhe mendoj që prej saj e kam të trashëguar këtë vlerë të lartë brenda vetes. Ajo ende dhe sot nëse e pyesni për mua nuk tregon që jam një njeri publik, por përkundrazi thjesht tregon se unë jam në një punë. Nëse unë në të ardhmen do të behem mami, shembulli perfekt është mami im.   CMG: Po përkëdheljet e gjyshërve si i ke përjetuar?

Frida Mavriqi: Te dyja gjyshet nga ana babit dhe mamit jetojnë. Janë shumë të ndryshme nga njëra tjetra,  por janë të këndshme dhe të dyja mendoj se janë fanset e mia, më ndjekin kudo, më komentojnë për punën etj. Gjyshet janë treguar shumë të durura për të më edukuar me vlerat e një shoqërie të mirë dhe të barabartë. 

Frida Mavriqi 

CMG: Çfarë këshille do zgjidhje t'i jepje një të riu, i cili do duhet të ndjekë edhe ëndrrën e televizionit por duhet të jetë edhe familjar i mirë ? Frida Mavriqi: Ndoshta, nuk jam njeriu i duhur për ta bërë këtë gjë. Nuk jam unë njeri që të jap tërësisht eksperiencën time, por mund të them që njerëzit që duan t'i bëjnë balancat në jetën e tyre ata thjesht munden. Në jetë e rëndësishme është të ndërtosh disa prioritete dhe më pas nëse  ju përmbahesh atyre mund të të bëhet jeta profesionale më e lehtë dhe mund të gjesh paqe edhe në familje gjithashtu. CMG:  Përveç profesionit, cilat janë pasionet tuaja ?

Frida Mavriqi: Që të flasësh për pasionet unë mendoj që duhet të provosh çdo gjë dhe më pas të kuptosh nëse dëshiron diçka apo jo. Unë do ndalem tek muzika, më tingëllon si territori im. Dua shumë të kaloj bukur dhe të dëgjoj muzikë e të kërcej. Kërcimi për popullin tonë është një pasion gati i lindur, pasi ne e ndjejmë muziken në çdo lloj forme.Muzika popullore që ne kemi është shumë e njohur dhe të gjithë e duan atë. Bëj pjesë tek njerëzit që e duan jetën përmes muzikës.

Frida Mavriqi 

CMG: Çfarë është për ju lumturia?

Frida Mavriqi: Për mua lumturia është të zgjohesh çdo ditë dhe të bësh gjërat që do, të kesh pranë njerëzit që ti do dhe çdo gjë që bën të jetë e duhura për ju. Ne duhet të dalim jashtë kornizave që të bëjmë çfarë të tjerët duan për ne, por duhet të bëjmë atë që është e mirë për ne. Koha ka treguar që njerëzit më të shëndetshëm fizikisht dhe mendërisht janë ata të cilët e duan jetën në çdo ditë të saj dhe nuk bëjnë asgjë me lodhje. Të vraposh pas gjërave të bukura nuk është e lodhshme përkundrazi. Ekrani është diçka të cilin unë e dua dhe punoj shumë për atë gjë .

Intervistoi : Megi Latifi