Kryediplomati kinez takon të dërguarit diplomatikë nga BE-ja dhe vendet anëtare të saj
2023-12-05 17:08:59

foto nga Xinhua

foto nga Xinhua

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi u takua të hënën në Pekin me të dërguarit diplomatikë në Kinë nga Bashkimi Evropian (BE) dhe vendet anëtare të tij. 

Wang, gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, tha se marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kinës dhe BE-së kanë treguar një prirje të mirë rimëkëmbjeje e përparimi të qëndrueshëm nën udhëzimin strategjik të udhëheqësve të të dy palëve. 

Duke vënë në dukje se këtë vit është 20-vjetori i krijimit të partneritetit të gjithanshëm strategjik Kinë-BE, Wang theksoi se udhëheqësit e të dy palëve do të kenë shkëmbime të thella mendimesh për çështje strategjike dhe globale lidhur me marrëdhëniet dypalëshe në samitin e 24-t Kinë-BE, do të orientojnë dhe do të planifikojnë marrëdhëniet dypalëshe, si edhe do të forcojnë besimin te këto marrëdhënie dhe do t'u japin një shtysë të re atyre.

Kina dhe BE-ja duhet të bëjnë përpjekje të përbashkëta për të siguruar suksesin e samitit dhe për t'i ngritur marrëdhëniet ndërmjet tyre në një nivel të ri me perspektiva të reja, shtoi ai. 

Kreu i diplomacisë kineze tha se marrëdhëniet Kinë-BE duhet të ndjekin tre parime. Të dy palët duhet të tregojnë respekt të ndërsjellë, të ruajnë qetësinë e të përqendrohen në bashkëpunimin pragmatik, si edhe t'i shohin marrëdhëniet mes tyre nga një perspektivë strategjike. 

Wang Yi theksoi se politika e Kinës ndaj BE-së mbetet e qëndrueshme dhe nuk do të ndryshojë për shkak të një incidenti të vetëm, pasi është në përputhje me prirjen e shumëpolaritetit të botës dhe demokratizimit më të madh të marrëdhënieve ndërkombëtare. 

Duke u bërë jehonë fjalëve të Wang-ut, kreu i delegacionit të BE-së dhe të dërguarit diplomatikë të vendeve anëtare të BE-së në Kinë thanë se Unioni është i angazhuar për zhvillimin e marrëdhënieve konstruktive e të qëndrueshme me Kinën dhe është i gatshëm t'i përmbahet respektit të ndërsjellë dhe të ruajë kontaktet e dialogun me palën kineze.

BE-ja nuk ka ndër mend "të shkëputet" nga Kina dhe shpreson të krijojë marrëdhënie me dobi të ndërsjellë dhe të ekuilibruara ekonomike e tregtare me Kinën, thanë ata, duke shtuar që samiti i ardhshëm është një dialog i rëndësishëm i nivelit të lartë midis të dy palëve, i cili do të nxitë përparimin konstruktiv të marrëdhënieve BE-Kinë. (Artan)