Industria fason e prekur nga mbiçmimi i lekut. Kërkohet kompensim për euron
2023-12-04 10:45:44

Industria fason (Foto gazeta Monitor)

Industria fason (Foto gazeta Monitor)

Shoqata Pro-Eksport Albania, përfaqësuese e kompanive fason të tekstileve dhe këpucëve, ripërsëritën kërkesën për marrjen e masave nga institucionet shqiptare, pasi sektori po kalon një situatë alarmante. Përfaqësuesit e prodhuesve fason përmes një konference për mediat kanë ngritur edhe një herë alarmin për humbjet që kanë si pasojë e rënies së vlerës së euros dhe largimet e punëtorëve. Sipas tyre, së pari kjo pasqyrohet me rënien e eksporteve. 

“Këtu keni një pjesë të anëtarëve të kryesisë ose më mirë të themi po ta llogarisim në peshën e punonjësve që kanë përllogariten në rreth 1500-1700 punonjës, apo sipërmarrës që kanë të punësuar 1700 punonjës. Sektori Manifakturë i veshjeve dhe këpucëve i përbërë me mbi 75 mijë të punësuar tashmë prej  shumë muajsh po vuan një efekt shumë të rëndë dhe bumerang që po i ndodh. Në radhë të parë kjo ndodh për shkak të kursit të këmbimit si dhe mospreokupimi i qeverisë, e cila shikon në optikën makroekonomike. Ne kemi një humbje në rreth 50 punonjës në ditë që largohen nga puna në sektorin tonë. I jemi drejtuar Ministrisë së Financave dhe ministrit Mete, si dhe ministrive dhe institucioneve të tjera përgjegjëse, për mirëmbajtjen ose për uljen në tavolinë të dialogut të përbashkët, për të gjetur një zgjidhje të këtyre problematikave që janë të brendshme, të ekonomisë shqiptare, nuk janë të ndikuara, nga efektet jashtë vendit tonë.”- u shpreh drejtuesi i Pro-Eksport Albania.

Manifaktura (Foto Gazeta Sot)

Manifaktura (Foto Gazeta Sot)

Pavarëisht shkresave të nisura tek organet kompetente, bizneset thonë se nuk ka pasur reagim.

“Situata e eksporteve nga muaji mars 2023 ka pothuajse rënie dyshifrore çdo muaj dhe kjo vjen edhe për shkak të rënies së pajustifikuar ose nga mbiçmimi i lekut. Patjetër indiferenca e Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë të këtyre muajve dhe anashkalimi i problematikave dhe letrave të adresuara të shumta që ne kemi dërguar si Proeksport Albania, pra përfaqësues i vetëm i këtij sektori, rëndojnë akoma më shumë dhe na bëjnë të mendojmë që sot jemi të vetëm, pa asnjë konsultim, pa asnjë tavolinë teknike dhe pa asnjë dritare apo një dritë të ndezur në fund të tunelit. Flitet shumë për klimën e biznesit që është shumë e rëndësishme, por klima e biznesit në këtë moment që po flasim për sektorin tonë të manifakturës së këpucëve është shumë e rëndë dhe kjo rëndesë vjen nga shkaqet e brendshme. Ajo çfarë kemi kërkuar është reagimi i Ministrisë së Financave ndaj letrave të adresuara nga ana jonë që datojnë nga fillimi i shtatorit. Kemi çuar një analizë konkrete të bërë nga studiues dhe ekspertë të mirëfilltë ekonomikë shqiptarë, por edhe shqiptarë që jetojnë në vendet e huaja që na kanë ndihmuar për të bërë një analizë të tillë ku kemi adresuar kush janë shkaqet, por nga ana tjetër kemi dhënë mendimin tonë për zgjidhjet për sektorin tone”.

Si taksapagues të rregullt, perfaqësues të bizneseve të manifakturës thonë se kërkojnë të paktën dialog për të kaluar më pas tek zgjidhja e problemit.

“E dyta është vazhdimi i dialogut sepse ky dialog që në muajin prill- maj ka ndaluar. Biznesi është shumë dinamik dhe si i tillë nuk mund të presë që makina e rëndë burokratike e institucioneve të vazhdojë me këtë ritëm, që qëndron në vend dhe nuk po lëviz. Pika më kryesore që mund ta bëjë këtë sektor të konkurueshëm sepse po humbasim konkurueshmërinë në krahasim me vendet e tjera ballkanike, e bën paketa manifakturë, e cila është mbi 3 vite në tavolinat dhe sirtarët e Ministrisë së Financave dhe institucioneve të tjera. Nuk ka asnjë lloj reagimi dhe dëshire politike jo vetëm për të aplikuar, sepse ne nuk po kërkojmë lëmoshë, nuk po kërkojmë asgjë më shumë se ajo çfarë na takon si taksapagues të këtij vendi, si sipërmarrës që punësojmë mbi 75 mijë njerëz, që zë mbi 40% të të gjithë eksporteve Made in Albania. “- tha  kryetari i ProEksport Albania, Edvin Prençe.

Konferencë e industrisë fason (Foto Gazeta Si)

Konferencë e industrisë fason (Foto Gazeta Si)

Ky sektor ka një anë pozitive shumë të rëndësishme që nuk e ka çdo biznes pasi punëson kategorinë më pak të shkolluar, që nuk gjejnë dot punë në industri të tjera dhe kryesorja, shtrihet në zona të thella rurale.

“Nuk po pretendojmë gjëra të pabëshme, por dialogu konstruktiv do të mund të çojë në një zgjidhje të këtij ngërçi dhe të shpëtojë këto vende pune, sepse në të kundërt përtej mbylljes së bizneseve do të kemi më të rëndë impaktin social, që do ketë mbyllja e bizneseve tona. Impakti social do të thotë që ne jemi shtrirë në të gjithë Republikën e Shqipërisë, në zona rurale, ku nuk ka ndonjë zhvillim tjetër ekonomik përveç sektorit tone. Lind pyetja ] çfarë do bëhet me këta njerëz kur formimin professional dhe të gjithë trajnimin profesional e kanë falë bizneseve tona dhe pa asnjë ndihmë nga institucionet përgjegjëse.”

Shtrenjtimi i kostove ka detyruar bizneset e sektorit të kërkojnë rritje të çmimeve, të cilat në shumicën e rasteve nuk janë pranuar nga klientët europianë, që u janë drejtuar vendeve te tjera Ballkanike si Maqedoni e Veriut, Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë  ose vendeve të Afrikës Tunizi, Marok dhe Egjipt.