Fadil Selmani
Fadil Selmani është me orgigjinë nga Medvegja dhe prej afër katër dekadash jeton me familjen e tij në Zvicër. Ai ishte i pranishëm në Samitin e tretë të Diasporës që u mbajt para pak ditësh në Tiranë, ku morën pjesë dhe mjaft shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës. Selmani është themelues i disa shoqatave në Zvicër, ku një prej tyre është dhe shoqata humanitare “Medvegja”. Ai ka dhënë një kontribut të vyer në ruajtjen e vlerave të gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Zvicër e më gjerë. Në një intervistë për Radio Ejani Fadil Selmani flet për Samitin e Diasporës, integrimin e tij në Zvicër si dhe aktivitetet që organizohen nga komuniteti shqiptar atje.
Fadil Selmani ne interviste per CMG
CMG: Jeni pjesëmarrës për herë të tretë në Samitin e Diasporës në Tiranë. Çfarë mund të na thoni për organizimin e këtij samiti?
Fadil Selmani: Fillimisht dua të përshëndes ju dhe dëgjuesit tuaj. Unë me origjinë jam nga Medvegja, dhe kam kënaqësinë që në çdo eveniment që organizohet për çështejet kombëtare të jem prezent në Tiranë. Unë kam marrë pjesë në mjaft aktivitete në Tiranë dhe ishte kënaqësi të isha i pranishëm në Samitin e tretë të Diasporës. Dita e parë e samitit i ishte kushtuar ditës së arbëreshëve që më la mbresa, por mendoj se kanë munguar dhe arbëreshët e Zarës. Dita e dytë e samitit ishte e diasporës, ku pata fatin të takoj shumë personalitete dhe të jemi pjesë përbërëse e këtij organizimi.
CMG: Keni zhvilluar takime dhe me personalitete të ndryshme shqiptare në këtë samit?
Fadil Selmani: Edhe në këtë samit ne shfrytëzojmë rastin që të takojmë personalitete të rëndësishme, që janë takimet më të rëndësishme dhe më frytëdhënëse. Unë jam aktivist i pandalshëm pothuajse katër dekada, sepse jetoj në Zvicër prej 35 viteve dhe prej ditës së parë që unë kam shkuar në emigracion kam qenë pjesëmarrës në të gjitha organizimet. Gjithashtu jam themelues i disa shoqatave, ku më e njohura është shoqata “Medvegja” që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për kombin tonë. Kështu që unë kam qenë dhe do të jem aktiv, dhe do të tentoj që të jem gjithmonë kudo.
Fadil Selmani ne Samitin e trete te Diaspores ne Tirane
CMG: Jetoni prej afër katër dekadash në Zvicër bashkë me familjen. Si ka qenë integrimi në shtetin zviceran dhe organizimet që bëhen nga komuniteti shqiptar me banim në Zvicër?
Fadil Selmani: Në fillim emigrimi ka qenë shumë i vështirë sepse në atë kohë pak të rinj kanë emigruar. Unë kam emigruar diku nga mesi iviteve 80-të. Kështu që në atë kohë kur kam shkuar atje ka pasur pak shqiptarë në Zvicër, dhe kam pasur fatin që të integrohem mirë. Fillimisht kemi krijuar shoqatën humanitare “Medvegja” me seli në Zvicër, pastaj kemi pasur programe të ndryshme, përfshirë aty dhe shkëmbimin e studentëve. Kemi qenë në njëfarë mënyrë si një lloj ambasadori në Zvicër, ku kemi bërë punë tonë.
CMG: Mendoni se Samiti i Diasporës që organizohet çdo vit në Tiranë është një rast i mirë për shkëmbime idesh mes shqiptarëve që jetojnë në vende të ndryshme të botës?
Fadil Selmani: Patjetër që kjo është diçka e mrekullueshme, ku sa më shumë të kemi kontakte të përbashkëta, sa më shumë të organizohen samite të tilla dhe sa më shumë të rrijmë dhe punojmë njëri me tjetrin, për të shkëmbyer ide dhe mendime bashkë.
Fadil Selmani gjate nje takimi
CMG: Sa i oganizuar është komuniteti shqiptar në Zvicër?
Fadil Selmani: Në Zvicër kemi fatin që jetojmë në një shtet që është jashtëzakonisht një mik i Shqipërisë me vepra, sepse Zvicra nuk bën zhurmë shumë, por ndihmon shumë. Ndërsa ne si komunitet atje nuk na pengon aspak, e kundërta Zvicra na ndihmon shumë në organizime dhe festa, duke na krijuar lehtësira. Kështu që kemi fatin që në Zvicër ka shumë shoqëri kultutore artistike, të cilat kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm për promovimin dhe ruajtjen e vlerave të kulturës sonë. Gjithashtu një punë e madhe është bërë edhe në kuadër të arsimit, Këtë vit janë organizuar dhe shumë aktivitete për festën e pavarësisë së Shqipërisë, ku dhe shoqata jonë kishte një aktivitet të tillë për këtë festë.
Kështu që ndjehemi mirë të jemi në një shtet, i cili nuk është i madh me territor, por përqëndrimi i shqiptarëve është jashtëzakonisht i madh. Mund të them me vetëdije të plotë që është një ndër komunitetet që e kanë ruajtur më së miri gjuhën, traditën dhe kulturën, të cilat kanë qenë në proporcion në të gjitha proçeset e kohës dhe do të vazhdojnë të jenë edhe në të ardhmen. Unë kënaqem kur takoj dhe shoh një rini të kulturuar. Në lagjen ku unë jetoj në Gjenevë thuajse është ekonomia botërore dhe kam fatin dhe kënaqësinë të takoj shumë të rinj që flasin gjuhën shqipe dhe me të vërtetë kemi një rini të artë. Në Zvicër ne kemi arritur që ta ruajmë gjuhën, kulturën dhe identitetin. Këta të rinj kanë një bagazh të madh, ku besoj se dy shtetet tona do të dinë ti kanalizojnë dhe tu japin hapësirën, që të vijnë këtu dhe të sjellin përvojën dhe dijen e tyre, por pse jo dhe kapitalin e tyre.
Fadil Selmani ne Ambasaden e Shqiperise ne Zvicer
CMG: Një punë e madhe është bërë për mësimin e gjuhës shqipe te brezi i ri, dhe kjo besoj është diçka mjaft pozitive.
Fadil Selmani: Një meritë shumë të veçantë ka dhe lidhja e arsimtarëve, që kanë bërë një punë të madhe. Mendoj se me kalimin e kohës duhet një sinkronizim nga dy ministritë e punëve të jashtme dhe të arsimit për të sinkronizuar çështeje, sepse pa një arsim të mirë dhe pa gjuhë nuk mund të ruhet identiteti. Në Samitin e Diasporës në ditën e arbëreshëve pata fatin të dëgjoj arbëreshët që kanë gjashtë shekuj që kanë ikur nga Shqipëria dhe arrijmë t’i kuptojmë me atë gjuhën pak të ngurtë sepse janë gjashtë shekuj, ku nganjëherë edhe gjashtë ditë jashtë vendit janë shumë, dhe ata kanë arritur ta ruajnë gjuhën dhe traditën.
Ky është një inspirim dhe një sinjal i qartë për të gjithë. Zvicra asnjëherë nuk e ka penguar ruajtjen e identitetit, çka dhe dëshmon se me pranimin e pasaportës në atë vend të sugjeron që ta ruash dhe pasaportën e origjinës, ta ruash gjuhën, kulturën sepse është një shtet i cili e ka kuptuar shumë mirë se divergjencat dhe kulturat e ndryshme janë pasuri.
Intervistoi: Gazmend Agaj