Altin Tila është një artist që e shpreh talentin në muzikë, si instrumentist, kompozitor, producent, Dj underground, por dhe Fashion Designer, ka realizuar me sukses disa edicione të projektit "Muzeu i Stilit". Këtë vit artisti shumëdimensional ishte pjesë e projektit "Lin Festival". Altini ka interpretuar dhe në një film artistik italo-shqiptar, në krah të aktorit italian Remo Girone. Ai e ka nisu studimin e muzikës që në moshë të vogël me instrumentin e violinçelit, por ndërkohë pëlqente më shumë kitarën, nga dëshira e madhe për muzikën rrok. Ka qenë pedagog për 17 vite në Akademinë e Arteve dhe tashmë vijon karrierën e tij artistike, gjithmonë me dëshirën për ta evidentuar trashëgiminë tonë kulturore, etno- kulturën edhe përtej kufijve të Shqipërisë. Për Radio Ejani artisti Altin Tila flet për jetën e tij artistike dhe projektet që e presin në vazhdim.
Altin Tila (Foto personale)
CMG: E nisim këtë intervistë me projektin tënd të këtij viti, edicionin e parëtë “Lin Festival”, ku ti ishe ideator, instrumentist, por edhe ke performuar. Na trego disa detaje si lindi kjo ide dhe pse pikërisht në Lin të Pogradecit?
Altin Tila: Unë e vizitoj shpesh Pogradecin dhe e kam shumë për zemër sigurisht edhe fshatin Lin, një fshat shumë i bukur e piktoresk, ndërkohë që tashmë po del në dritë edhe me gërmimet arkeologjike 8500 vjeçare, që u bënë të ditura kohët e fundit. Kisha kohë që mendoja të organizoja një festival, me përmbajtje etnografike ku të evidentojmë vlerat tona të trashëgimisë kulturore.
CMG: Ky festival erdhi nën moton “Rijetojmë trashëgiminë tonë kulturore e muzikore”.
Altin Tila: E vërtetë. Në periudhën korrik-gusht përgatita edicionin e parë të “Lin festival”, ku sollëm për dy ditë me radhë aktivitete të ndryshme, të cilat në fokus kishin muzikën tonë. Aty performova me bandën time dhe artistë të tjerë, kishte poezi, etnografi, veshje të kostumeve të zonës, gjithashtu edhe artizanat, si dhe një panair i vogël realizuar në atë fshat.
CMG: Një projekt shumë i dashur për ty dhe ky edicion i parë lindi me një dashuri të madhe, por si është të ideosh e të performosh në një festival që është krijim yt? A do të ketë vazhdimësi?
Altin Tila: Në edicionin e parë të këtij festivali ishte në fokus turizmi. Qëllimi ishte të sillnim sa më tepër vizitorë të huaj në qytetin e Pogradecit dhe kryesisht në fshatin Lin, sidomos me bum-in e fundit. Kjo ishte shtysa për ta angazhuar këtë festival në këtë vend. Shqipëria është bërë një trend për ta vizituar. Këtu solla në fokus përvec turizmit dhe muzikën tonë, rrënjët tona, muzikën qytetare dhe të vjetër shqiptare, e cila është shumë e përhapur edhe në shtetet fqinje ku jetojnë shqiptarë. Aty sollëm një program artistik shumë të pasur dhe e performuam në stilet Jazz- Funk me një band komplet akustik. Ditën e parë pati mbi 500 të huaj e në total 700 pjesëmarrës, ndërsa diten e dytë rreth 400 pjesëmarrës sepse ia dedikuam fshatit.
CMG: Ke hulumtuar për 15 vite dhe ke prodhuar muzikë të Eposit që e ke dokumentuar me 3 albume muzikore. Na trego disa detaje se pse këto albume janë formësuar me evente artistike.
Altin Tila (Foto personale)
Altin Tila: Janë formësuar në eventet që ne zhvillojmë në kuadër të ditës së trashëgimisë kulturore, ku tashmë prej 6 vitesh unë jam bashkëprodhues me “Muzeun e stilit”, e shumë të tjera. Aty risjell në fokus etnografinë, kostumet popullore, në një koncept modern. Pra unë hulumtoj trevat dhe në çdo edicion kam sjellë një trevë të re, në Korçë, Shkodër, Shqipërinë e mesme, në jug, duke e portretizuar me 3 albume tashmë, të polifonisë së muzikës së veriut dhe Shqipërisë së mesme.
CMG: Ke përzgjedhur krijimtarinë më të mirë të këtyre trevave?
Altin Tila: Po, të cilën e kemi portretizuar në këtë event me një sfilatë. Çdo vit kemi sjellë nga një sfilatë dhe edicioni i 6-të, këtë vit ishte në kundër të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës, ku sollëm në fokus xhubletën, me muzikë të veriut të stilizuar dhe kompozuar nga unë, bëmë edhe një performancë konceptuale, në bashkëpunim me koreografët Enada Hoxha dhe Gerti Vaso. Xhubleta erdhi në dance modern, pasi është njohur tashmë edhe nga Unesco.
CMG: Je angazhuar gjtihmonë me gjithçka që ka bërë jehonë ndërkombëtare si Lin-i së fundi, por edhe xhubleta që është njohur nga Unesco. Ke një jetë me muzikën, duke ndërthur bukur muzikën tradicionale me modernen, por si ka lindur tek ty dëshira për të bashkuar muzikën me Fashion Design?
Altin Tila: Edhe në eventin e Gjirokastrës, i cili u zhvillua vitin që shkoi, ishin dy muaj nëntor- dhjetor kur sollëm një sfilatë të mbështetur dhe të inspiruar nga kostumografia e veshjeve të qarkut të Gjirokastrës. Ishte si një kamp ku u ftuan artizanet dhe unë isha kuratori i ateliesë. E quajtëm kamp ose punëtori, pasi aty prodhuam veshje moderne, duke u inspiruar te ai qark. Për mua ishte një eksperiencë shumë unike.
CMG: Kur ka lindur tek ti kjo dëshirë për të bashkuar muzikën me fashion design?
Altin Tila: Dëshira lindi që në vitet ‘90-të në Itali. Gjithmonë mundohesha te Dj apo artistët e tjerë, t’ju propozoja një ide të re. Përherë në xhepin tim e kisha një temë shqiptare. E sillja remix ose e luaja dhe ata më pyesnin se çfarë melodie është ajo që interpretoja. Kur e pëlqenin unë ia propozoja DJ-it një këngë për ta luajtur. Dj Jano, që është shumë i famshëm në të gjithë botën, ka luajtur një remiks timin që në vitet 2000. Shpeshherë i propozoj dhe nëpër performancat që shkoj, nëpër festivale elektronike në Europë apo edhe më gjerë. Duke stilizuar muzikën sheh që muzika vjen nga një territor, nga një trevë. Duke qenë se muzika ka qenë gjjthmonë pjesë e kërcimeve, e gëzimeve dhe ajo muzikë kur propozohet në “Dance Floor” siç e quajmë tani apo vendet ku kërcenin, për paraardhësit tanë gjithmonë ishte kostumografia pjesë e rëndësishme. Unë shkoja përherë te rrobaqepëset dhe bëja ndonjë ndryshim, e kisha dëshirë nga vetja, pra të stiloja. Aty gjithmonë më dilnin elementët e shumë trevave. Shihja një imazh apo nga hulumtimi që kam bërë për veshjet popullore të vendit tone kuptova që kalojnë vitet dhe unë këtë gjë e kam pasur një pasion të fshehur. Stilizimi i etnos me rrënjët tona më ka ndihmuar për t’u hedhur edhe në fashion, kjo pastaj mori jetë me eventin “Muzeu i stilit”.
Altin Tila në intervistë për Radio Ejani
CMG: Aktivitetet e tua kanë qenë të shumta, por le të përmendim pak edhe eventin e mbajtur disa vite më parë në qytetin e Beratit, i cili ka qenë i kuruar mjaft mirë deri në detaje.
Altin Tila: Me shumë kënaqësi. Performanca ime në projektin “Alt’n Beats” mbajtur në kalanë e Beratit, ka qenë një performancë karriere. Ishte një ekstrakt i muzikës që kisha prodhuar, i stilizuar etno me elektronikën në albumet e mia. Një ekstrakt i plotë i konceptit, performancës e energjisë që sjellë folklori ynë me elektronik -beats. Aty kam performuar me kitarë dhe kam sjellë shumë tonalitete. Pak tonalitete të humbura në shekuj, ato tinguj me kitarë, gjë që muzika elektronike sot ato efekte t’i mundëson të ndërrosh shumë ngjyra. Atë koncert do ta konsideroja si koncert karriere. Një kulm që do duhej shumë kohë që ta riprodhoja sërish.
CMG: Kitara është instrumenti për të cilin ke studiuar prej vitesh që në moshë të vogël. Ke kryer studimet në Akademinë e Arteve për kitarë- klasike, si dhe ke punuar si pedagog për 17-te vite pranë këtij universiteti. A është kitara instrumenti yt i preferuar të cilin s’do ta ndaje asnjëherë?
Altin Tila: Në fillore e kam nisur me violinçel, mirëpo ishin ndryshimet e viteve ‘90-‘91 dhe unë dëgjoja rrok, e në atë kohë më pëlqente më shumë kitara. Im atë luante me kitarë, mirëpo donte që unë të dilja e të performoja nëpër koncerte sepse kam qenë shumë i talentuar në violinçel dhe më thoshte gjithmonë; “s’ke për ta mësuar kitaren, do ta mësosh vetëm për qejf”. I pata thënë që do ta lë violinçelin sepse tashmë e kam mësuar kitarën. Në atë kohë isha adoleshent dhe pata bërë debat si në shtëpi ashtu edhe në drejtori sepse nuk donin që të ikte një nxënës i mirë i shkollës. Më pas u angazhova me grupe, banda të rrokut. I kam patur madje dhe flokët e gjata. Më vonë u diplomova për kitarë, ku mbarova Liceun në Durrës. Më pas shkova në Itali ku vazhdova të merrja pjesë në shumë koncerteve me grupe jazz- rock. Më pas u ktheva në Shqipëri dhe në atë kohë pikërisht në vitin 1997 u hap dega e kitarës. Konkurova dhe fitova. Aty mbarova universitetin me medalje ari, ku më pas më mbajtën si pedagog ku kam dhënë mësim për 17 vite, deri në nivelin master. Mendoj se kam nxjerrë studentë të mirë e të talentuar që kanë fituar çmime ndërkombëtare.
CMG: Ti ke shumë kitara në studion tënde, a i ke numëruar ndonjëherë sa ke pasur gjithsej gjatë gjithë jetës tënde artistike? A ke ndonjë kitarë që të lidh një emocion i caktuar me të?
Altin Tila: Duhet të kem mbi 50 kitara. Në fakt mendoj që nja dy kitara kam bërë gabim që i kam shitur, por kam blerë disa të tjera që i kam zëvendësuar. Të stilizosh etnon, stilin e muzikës sonë, do të thotë që të kesh njohuri për një gamë të gjerë të instrumentave kordofone me tela dhe kam blerë shumë duke filluar nga çiftelia, buzuku dhe intrumenta që janë të Ballkanit. Në Akademi organizonim shpesh “Nata e kitarës”, një event shumë i veçantë e i përvitshëm. Aty kemi bërë bashkëpunime shumë të mira, ku unë u lidha me digitalb-in dhe bashkë prodhuam disa koncerte në Akademinë e Arteve dhe më gjerë. Kam qenë si kurator dhe inicues i disa eventeve shumë të bukura, gjë që vazhdon ende. Janë mbrëmjet ku propozoj muzikë shqiptare të traskiptuar nga kompozitorët tanë më të mire, e të përshtatur për kitarë dhe muzikën nga repertori latin, flamengo, kitara, amerika latine, të cilat e kanë kitarën instrumentin e tyre.
CMG: Altin, ti je një artist shumë dimensional, ku përveç muzikës, të kemi parë të interpretosh edhe në shumë filma. Një nga filmat që ka lënë gjurmë në jetën tënde artistike është ai ku ke interpretuar krah një aktori në Itali si Remo Girone, i cili në Shqipëri është shumë i njohur në rolin e Tano Karidit. Si ishte kjo eksperiencë për ty?
Altin Tila: Ishte shumë eksperiencë e bukur. Kam qenë pjesë e stafeve të prodhimit të filmit për rreth 15 vite, por jam gjendur edhe për disa role episodike. Ky ishte një rol me të vërtetë figurë sepse isha pranë tij dhe përballë një gjigandi të kinematografisë italiane. U ndjeva shumë mirë, ai i sugjeronte grupit se kur duhet të bënin dubla të tjera, por ama unë isha super. Filmi “Portreti i pambaruar", me regji të Namik Ajazit, film të cili unë e kam shijuar shumë edhe si produksion sepse ishte prodhim gjigand. Filmi u regjistrua për 4-5 muaj ku ndoshta nuk kam qenë gjatë gjithë kohës, por kam asistuar mbi 3 javë gjatë xhirimeve të këtij filmi, sepse më kanë pëlqyer shumë si profesionistët italianë, asistentët, regjia, etj. Ditën që ka ardhur Remo, filmi mori komplet një dritë tjetër. E kam shijuar shumë këtë film dhe premiera e tij është dhënë në vitin 2021. Filmi ka fituar edhe mjaft çmime ndërkombëtare.
Altin Tila (Foto personale)
CMG: Artistin e njohur Italian Remo Girone, ne jemi mësuar ta shohim në role mafiozi, por këtë herë ai kishte një rol tjetër…
Altin Tila: Po, ishte në rolin e ambasadorit të vendit fqinj Italisë dhe ngjarjet zhvilloheshin në vitin 1980. Unë bëja rolin e funksionarit të Ministrisë së Jashtme, ku prisja ambasadorin. Vajza e tij në film, është e dashura e një shqiptari dhe kjo është histori e vërtetë. Më ka bërë përshtypje kur në një moment që po shihnim skenarin Remo më thotë: “Nuk thuhet Signor Ambasciatore, por Eccellenza, pra bëri një korigjim me të vërtetë prej gjiganti.
CMG: Nga të erdhi kjo ftesë?
Altin Tila: Mua kostumi i aktorit apo i rolit nëpër filma tashmë më rri shumë mirë. Bëra një provë dhe më thanë qe isha fiks për funksionar dhe më përzgjodhën për atë rol.
CMG: Ndalemi edhe te eksperienca jote e fundit në Ibiza, si ishte ajo eksperiencë për ty?
Altin Tila: Ibiza është ishulli i muzikantëve dhe kushdo si pushuesit, turistët, muzikantët, performuesit apo dj do të donin të shkonin të paktën një herë të performonin aty. Shpenzova 10 ditë ku kishim dy performanca, një spektakël ku isha kuratori i atij show, i cili kishte kostumografi e muzikë. Gjithçka u prit shumë mire, kam luajtur edhe pas orës 7 të mëngjesit, ku vazhdonte festa pas mesnate.
CMG: Ka pasur shumë njerëz në Ibiza?
Altin Tila: Kishte shumë njerëz dhe aty e kanë kulturë të gjithë të kercejnë, të dalin e të pinë diçka, pastaj sërish të kërcejnë e të socializohen me njëri- tjetrin. Aty ka shumë lëvizje dhe e kanë si ritual që të presin lindjen e diellit.
CMG: Duke qenë se ke një jetë shumë të pasur artistike, a ka mbetur diçka në memorien tënde që do doje ta përsërisje edhe një herë, nga eksperiencat e tua në Shqipëri, por edhe jashtë saj?
Altin Tila: Kohët e fundit kam sjellë në kompozimet e performancat e mia pak nga rroku që luaja dikur në vitet ‘90-të, të cilën po e gërshetoj si rrymë duke e sjellë një rrymë tjetër që quhet ‘Techno -metal’ dhe po e gërshetoj shumë bukur me elektronikën. Është shumë trasgresive, por në momente të duhura si ora 3-4 e mëngjesit është vërtetë e përshtatshme në clube. Kam propozuar disa këngë të muzikës tonë qytetare, të cilat i propozoj si në festivale apo lokale nate,dhe njerëzit i mirëpresin shumë mire, si për shembull këngën “Dimëroj”, apo dhe këngë të Françesk Radit. Njerëzit i duan shumë sepse kuptojnë edhe tekstin dhe kanë gjithashtu kujtime me to. Ky repertor nuk i drejtohet vetëm brezit tonë, por edhe brezit që po vjen, është bukur ta dëgjojnë fonotekën e kompozitorëve që kanë krijuar në festivalet tona.
CMG: Patjetër që ‘Pa të shkuar, nuk ka të ardhme’, dhe është bukur të identifikohemi edhe përtej kufijve me trashëgiminë tonë kulturore, si me muzikën, veshjen e gjithçka që na përket. Çfarë do shtoje së fundi në këtë intervistë?
Altin Tila: Duke pasur parasysh zhvillimet e viteve të fundit, hapjen e Shqipërisë me botën, ardhjen e shumë turistëve në vend, po kuptojmë diçka që deri dje ndoshta nuk e kuptonim shumë. Ka qenë aty e fjetur, e ceknim pak dhe e nxirrnim me eventet e ndryshme. Ne kemi shumë pasuri, në të gjitha aspektet natyrore, arkeologjike, të trashëgimisë kulturore, pra etno- kulturë, por duhet ta evidentojmë dhe gjithmonë me asnjë element të stisur, por ta risjellim me formën e saj që i rri mirë dhe natyrale. Kur t’ja stilizojmë, propozojmë apo sugjerojmë të huajve, duhet të sjellim me të vërtetë pasurinë e trashëgiminë që kemi ashtu siç është, e virgjër dhe e pastër, sepse këto 30 vitet e fundit disa artistë kanë deformuar ndoshta pa dashur folklorin tonë, gjë që nuk duhet të ndodhë sepse detyra jonë është të evidentojmë vlerat tona.
CMG: Faleminderit që ishe në këtë intervistë në Radio Ejani! Të uroj shumë suksese në gjithçka që t’i realizon!
Altin Tila: Faleminderit shumë! Fakti që gjatë gjithë kohës së intervistës isha i emocionuar, do të thotë që u ndjeva shumë mire!
Intervistoi: Sava Lena