Irma Gjura është këngëtare e njohur e muzikës popullore të Shqipërisë së mesme. Ajo e ka nisur rrugëtimin e saj artistik me muzikën e lehtë, për të vazhduar më pas me këngën popullore tradicionale, që e bëri të njohur për publikun e gjerë. Irma ka ruajtur me fanatizëm vlerat e muzikës së vërtetë popullore dhe çdo fundjavë këndon live për artdashësit te Kështjella Natyra e Qetë. Në një intervistë në Radio Ejani ajo tregon për rrugëtimin muzikor, emocionet kur interpreton live para publikut si dhe projektet muzikore.
Imra Gjura duke kenduar live (CMG)
CMG: Ke një karrierë të gjatë në muzikën popullore dhe prej shumë vitesh këndon live për artdashësit.
Irma Gjura: Kemi lindur me këngën dhe me këngën besoj do ta mbyllim jetën. Është kënaqësi të këndosh për dashamirësit e tu. Kush vjen te “Natyra e Qetë” përveç ambientit shijon dhe muzikën dhe është kënaqësi kur shoh që njerëzit ngelin të kënaqur. Unë çdo fundjavë këndoj këngë popullore nga të gjitha trevat.
CMG: Pse je shkëputur kaq gjatë nga skena dhe ekrani?
Irma Gjura: Është vërtetë një shkëputje shumë e gjatë dhe arsyet janë të shumta. Kur isha më e re lëvizja në diasporë, por duhet të kesh edhe anën financiare për realizimin e kngëve, sepse vetë nuk e përballon dot. Kostot për të realizuar një këngë janë të larta nëse do të nxjerrësh diçka të bukur.
CMG: Ke qëndruar gjithmonë te tabani popullor, gjë që të veçon nga mjaft artistë të tjerë. Ndjehesh mirë në këtë treg këngëtarësh ku këndoni vetëm bio folk?
Irma Gjura: Unë jam besnike e këngëve të tabanit sepse ne u lindëm dhe u rritëm me këtë muzikë, dhe kjo është një muzikë që brenda ka vijën melodike, ka tekstin dhe interpretimin dhe të vjen keq ta devijosh këtë muzikë kaq të bukur. Është vështirë të përsëriten më këngëtarët dhe kompozitorët.
Është shumë e rëndësishme sesi e ndërton një këngë dhe kënga sa më e thjeshtë të jetë dhe sa më me shpirt ta këndosh, aq më e bukur del.
CMG: Zëri juaj ka ngjyra që i shkon mjaft mirë këngës tradicionale të Shqipërisë së mesme. Të kanë krahasur me ndonjë këngëtare tjetër?
Irma Gjura: Të gjithë më kanë krahasuar me Fitnete Rexhën dhe kanë menduar se jam vajza e saj. Kur kam kënduar në spektaklin “12 në Holliwood” shumë veta më thonin se përse unë dilja me figurë dhe me zërin e Fitnetes, ku unë ju thoja se këngët i kam realizuar me vegla elektrike dhe jo me instrumenta të gjalla. Unë dhe vetë habitem se si ngjyrat e zërit tim janë kaq të ngjashme me të Fitnetes. Fitnete Rexha është një këngëtare që dhe sot unë e dëgjoj me shumë ëndje dhe pasion, është një këngëtare që mua më rrënqeth.
CMG: Ke pasur rastin ta takosh Fitnete Rexhën?
Irma Gjura: Nuk e kam takuar, por e kam idhull si këngëtare. Unë që në moshë të vogël e kam pasur pasion muzikën, por fillimisht karrierën e kam nisur si këngëtare e muzikës së lehtë. Pastaj rastësisht këndova një këngë të Shqipërisë së mesme dhe të gjithë u habitën nga zëri që ngjasonte me atë të Fitnetes. Kjo këngë më ngjiti dhe ngela te muzika popullore.
Irma Gjura me grupin muzikor gjate nje eventi (Facebook)
CMG: Mendon se spektakli “12 në Holliwood” të bëri të njohur si këngëtare për publikun e gjerë?
Irma Gjura: Në fillim unë kam dalë me grupin “Selfion”, kur kemi bërë një inçizim në RTSH dhe regjistrimet e zërit i kemi bërë në radio. Pastaj spektakli “12 në Holliwood” ishte trampolina që dola si këngëtare dhe u bëra më e njohur për publikun.
CMG: Ke kënduar një këngë popullore me Ratin “Qeleshja”, e cila sot këndohet në çdo festë familjare dhe koncerte. Si erdhi bashkëpunimi me Ratin?
Irma Gjura: Si fillim dua të falenderoj Ratin sepse ka qenë ideja e tij për këtë këngë. Ai ka qenë duke realizuar një album muzikor dhe ishte periudha që ne punonim bashkë nëpër gëzime familjare. Kështu që ai më bëri ftesë ta këndoim në duet këtë këngë sepse mendoi që më shkonte më shumë mua si këngë. Videoklipi i kësaj kënge është xhiruar në Kalanë e Krujës.
CMG: Kur vesh kostumin popullor çfarë emocioni përjeton?
Irma Gjura: Kostumi popullor ka shumë emocion. Këto ditë mbesa ime po festonte në shkollë festën e flamurit dhe u vesh me kostumin popullor të Shqipërisë së mesme. Ajo më ktheu në kujtime pas shumë vitesh kur kam dalë me kostum popullor që kam performuar në skenë.
Është një emocion shumë i bukur se kemi veshje popullore vërtetë shumë të bukura. Kostumi popullor e plotëson këngën dhe je vërtetë në karakter, si në veshje ashtu dhe interpretim.
CMG: Fëmijët tuaj apo dhe mbesat e kanë trashëguar këngën nga ju?
Irma Gjura: Unë do kem shumë dëshir t’ua transmetoj, që ta ruajmë këtë traditë, sepse kemi një traditë aq të bukur, kemi vlera të bukura dhe të mira që të vjen keq t’i humbasim. Do kisha shumë dëshirë që këngën t’ja trashëgoja jo vetëm mbesave, por gjithë brezit të ri.
CMG: Ka disa spektakle muzikore që organizohen në Shqipëri. Ti nuk ke pasur dëshirë të marrësh pjesë në to, apo nuk ke marrë ftesa?
Irma Gjura: Të them të drejtën dëshira është shumë e madhe dhe e them me zemër që më ka qarë zemra, por nuk kam marrë ftesa.
CMG: Prej 11 vitesh këndon live çdo fundjavë te “Natyra e Qetë”, ku punon me instrumentistë profesionistë si Dritan Baftjari dhe Adrian Demiri. Si ndjehesh me këtë grup muzikor?
Irma Gjura: Falenderoj Zotin që punoj me këta muzikantë sepse ata nuk janë vetëm të talentuar, por janë djem shumë të mirë. Nuk është e rëndësishme të jesh vetëm muzikant i mirë, por ne duhet të gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe kur e kemi këtë krijohet harmonia në grup që dhe puna të dalë e bukur.
CMG: Bashkëpunoni me njëri-tjetrin për përzgjedhjen e repertorit të këngëve?
Irma Gjura: Ne shkëmbjemë mendime me njëri-tjetrin, gjejmë ato këngë që vërtetë jemi të aftë t’i realizojmë. Këngët janë të gjitha të bukura, por duhet të zgjedhësh ato këngë që të shkojnë. Gjithashu mundohemi të përzgjedhim dhe këngë nga trevat e tjera, një repertor që ne arrijmë ta përcjellim bukur te publiku.
Irma Gjura (CMG)
CMG: Si je ndjerë duke kënduar për 11 vite rresht në të njëjtin ambient?
Irma Gjura: Këtu ndjehem si në shtëpinë time, sepse është gjuha e përbashkët, harmonia me pronarin e lokalit, me grupin muzikor dhe klientelën. Mundohem të përshtatem dhe t’i respektoj të gjithë për të patur dhe një jetëgjatësi në një vend pune. Deri tani jam shumë e kënaqur me gjithë stafin.
CMG: Sa rëndësi i kushton paraqitjes?
Irma Gjura: Duhet patjetër dhe paraqitja e jashtme se ti mund t’i kënaqësh me zërin njerëzit, por paraqitja dhe rregulli janë të rëndësishme.
CMG: Kanë qenë dasmat pjesë e aktiviteteve tuaja muzikore?
Irma Gjura: Dasmat kanë qenë pjesë deri para dy vitesh ndërsa tani ka rënë fluksi, por do i pranojmë të gjitha.
CMG: Ke në plan për të realizuar ndonjë këngë të re?
Irma Gjura: Dëshira është shumë e madhe, por nëse do të bëj një këngë të re duhet të ketë tabanin popullor brenda. Pra të sjellësh diçka të bukur, por që të jetë në ujërat e tabanit, të ketë jetëgjatësi dhe të mbetet si këngë.
CMG: Sa e vështirë ka qenë për ty si këngëtare që ta ruash këngën popullore të pastër në këtë treg të vështirë këngëtarësh?
Irma Gjura: Sado që këndon me shpirt dhe mundohesh t’ja përcjellësh bukur publikut është pak e vështirë, sepse jo të gjithë kuptojnë apo e vlerësojnë. Mendoj se kemi një brez tonin që akoma e adhurojnë këngën tradicionale dhe vijnë enkas për ne. Duhet të punojë më shumë edhe media, për të promovuar këngëtarët me vlera të muzikës popullore, sepse të gjitha kombet njihen nga tradita, kultura dhe arti.
CMG: Cili është emocioni që përjeton kur këndon live?
Irma Gjura: Sa herë këndoj live zemra më dridhet.
Irma Gjura ne interviste per CMG
CMG: Ke ndonjë këngë përzemër që dëshiron ta interpretosh në çdo mbrëmje?
Irma Gjura: Është pak e vështirë t’i veçoj sepse të gjitha këngët janë shumë të bukura. Të gjitha këngët janë bërë aq me ndjenjë, prandaj kanë vite që i rezistojnë kohës sepse është shpirti brenda.
CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në vazhdim?
Irma Gjura: Kam dëshirë të sjell disa këngë që flejnë në sirtar, ku e kam diskutuar dhe me kolegët për t’i risjellë këto këngë për publikun se kanë tekst të mrekullueshmë dhe melodi të bukur.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe adhuruesit tuaj.
Irma Gjura: I përshëndes të gjithë dhe meqënëse po vjen fundiviti ju uroj festa sa më të bukura dhe ardhtë një vit sa më i mbarë, plot shëndet dhe bereqet.
Intervistoi: Gazmend Agaj