Aktivitetet Kulturore në Shqipëri për muajin dhjetor 2023 në aplikacionin TEA
2023-12-01 11:00:42

Aplikacioni TEA, një kalendar digjital që pasqyroi gjatë vitit 2023 eventet turistike, kulturore dhe artistike që u zhvilluan në të gjitha qytetet shqiptare. Kjo risi këtë vit erdhi nga Ministria e Turizmit dhe Agjencia e Turizmit, ku nëpërmjet aplikacionit “Eventet turistike të Shqipërisë” TEA, të gjithë qytetarët shqiptarë, por edhe turistët e huaj mund të gjenin informacion rreth aktiviteteve të turizmit kulturor nëpërmjet kësaj platforme, e cila funksionon në shqip dhe anglisht. Të gjithë kanë mundësi që të shkarkojnë aplikacionin TEA (Tourism Events of Albania), falas në App Store dhe në Play Stor, e ndarë në disa kategori. Aplikacioni  solli gjatë vitit 2023 Shqipërinë turistike të kulturës, agroturizmit dhe kulinarisë, të festave lokale e festivaleve folklorike e atë të muzikës moderne, etj. Këtë vit u regjistruaran në këtë platformë mbi 1 mijë e 100 evente, që nga festat tradicionale të fshatrave malore e bregdetare deri te festat muzikore, festivalet ndërkombëtare në qytetet e ndryshme të vendit, si dhe në kryeqytetin e vendit, në Tiranë. Aktivitet kulturore që do të mbahet në Shqipëri gjatë muajit dhjetor  pasqyrohen në TEA

Art Fest

Më 6 dhjetor 2023 në qytezën e Klosit, në rrethin e Matit, fëmijët do të ndezin dritat e pemës së Krishtlindjes. Pas kësaj atmosferë të bukur bukur, do të ketë mjaft argëtim, muzikë dhe valle.

Koncerte

Më 6 dhjetor edhe në Libohovë do të ndizen dritat e pemës së Krishtlindjes dhe menjëherë pas saj, do të zhvillohet një aktivitet festiv për qytetarët.

Në rubrikën ‘Koncerte’ njoftohet se më 24 dhjetor do të mbahet një koncert festiv në sheshin Skënderbej, ku nëpërmjet një atmosferë mjaft të bukur do të festohet nga publiku kryeqytetas Krishtlindja.

Më 27 dhjetor do të zhvillohet një Koncert Gala 2023 në Teatrin ‘Skampa’ në Elbasan. Mbrëmja Gala do të mbahet me pjesëmarrjen e artistëve më të njohur të skenës shqiptare, si dhe të ftuar special që do të performojnë në spektaklin që realizohet në kujdesin e veçantë të kreut të Bashkisë së Elbasanit. Gledian Llatja.

Në rubrikën “Koncerte”, aplikacioni TEA, njofton publikun shqiptar, por edhe atë të huaj që zgjedh ta festojë mbrëmjen e ndërrimit të viteve në Shqipëri se, më 31 dhjetor në sheshin Skënderbej, do të zhvillohet një koncert i madh festiv, në pritje të vitit të ri 2024.


Festat lokale

Data 5 dhjetor shënon festën e Shën Nikollit. Në Vaun e Dejës do të mbahet një festë dhe një panair shoqëruar me muzikë live.

Më  8 dhjetor në Cakran , Fier  do të mbahet Festa e gjelit të detit. Në festë ndërthuren e elemente festive, etnokulturore, tradicionale me panairin e prodhimeve vendase. Gjeli i detit është një sukses i fermerëve të kësaj zone.

Më 20 dhjetor do të organizohet në Delvinë Festa e ullirit. Ky është një aktivitet i cili i dedikohet ullirit, që rritet dhe kultivohet në këtë qytet.

Agroturizëm dhe Kulinari

Më 23 dhjetor  do të zhvillohet në Pukë, si nismë këtë vit nga Ministria e Turizmit dhe Agjencia e Turizmit, Panairi i Krishtlindjeve.

Arte Pamore

Ekspozita "Të prekësh të padukshmen", e cila vijon të mbahet te Qendra për Hapje dhe Dialog  COD në kryeqytet nisi më 2 nëntor do të vijojë të qëndrojë  e hapur deri në 30 dhjetor ,nga dita e enjte deri në të shtunë. Ekspozita nga artisti Bujar Luca, e cila përmbyll sezonin artistik në #COD, ka hapur dyert për publikun deri në fund të këtij viti.

Konkursi Ndërkombëtar i Fotografisë

Vijon të mbahet aktiviteti Konkursi Ndërkombëtar i Fotografisë dhe Videove Reels Tiranë, që ka nisur që më 9 nëntor dhe vijon deri më 12 dhjetor.

Agjencia Kombëtare e Turizmit  i fton të gjithë të bëhen pjesë e Konkursit Ndërkombëtar të Fotografisë dhe Videove Reels "Wanderlust in Albania: Photos & Reels International Competition", një garë ndërkombëtare vizuale me koncept gjithëpërfshirës, e cila do të japë këndvështrime të ndryshme të panoramës mbresëlënëse të Shqipërisë turistike, të trashëgimisë kulturore e monumentale, të bukurive që na veçojnë brenda brigjeve mesdhetare dhe jashtë tyre. Punimet e dërguara nga data 20 nëntor deri më 30 nëntor janë  në website: www.wanderlustinalbania.al

10 kategori me tematika specifike:

1. Peizazhe (natyrore, malore, bregdetare);

2. Foto panoramike (qytetet e Shqipërisë,

fshatrat turistike etj);

3. Monumente & Site arkeologjike (Monumente kulture, Kala, Amfiteatër, Muze dhe site UNESCO);

4. Folklor (etnografi, valle, ritual, traditë etj);

5. Artizanati & Zejtaria;

6. Agroturizëm & Kulinari (ushqime tradicionale, bujtina, agroturizëm);

7. Eventet e aplikacionit TEA (festivale, festa lokale, koncerte, evente artistike, ekspozita etj);

8. Ekoturizmi & Turizmi sportiv (hiking, zhytje, alpinizëm, kajak, parashutizëm, flora & fauna, shtigje, parqe etj);

9. Arkitektur (xhami, kisha, arkitekturë mesjetare dhe e re urbane);

10. Foto-reportazh (foto lajm, që rrëfen ngjarje nga jeta).


Ky konkurs do të ketë dy forma votimi, ku do të përzgjidhen nga juria ndërkombëtare 300 fotografitë dhe 100 videot reels më të mira ndërsa do të jepen çmime speciale për 30 fitues.

Dy çmime do të jepen nga votimi online, për fotografinë dhe videon reels më të mirë nga sytë e publikut. Shpallja e fituesve të konkursit do të realizohet në një mbremje të veçantë gala më 12 dhjetor.

Festivale muzikore 

Më 25 dhjetor do të mbahet një koncert me rastin e festave të fundvitit në sheshin përpara Qendrës Kulturore Lasgush Poradeci, në Pogradec. Koncerti ‘Klasik- Trio’ do të sjellë për publikun e këtij qyteti, artistët e rinj të Universitetit të Arteve, Tiranë.  

Kalendari digjital TEA  i ka dhënë mundësinë që ta vizitojnë përgjatë vitit 2023 të gjithë përdoruesve si brenda ashtu edhe jashtë vendit,  në mënyrë që kushdo që do vizitonte Shqipërinë, t’i krijohej mundësia të udhëtonte nëpër kulturën, trashëgiminë, dhe kulinarinë e pasur të vendit tonë. Nëpërmjet këtij aplikacioni të gjithë shqiptarët, por edhe turistët e huaj janë informuar për të gjitha aktivitetet që zhvillohet në qendrat kulturore të vendit, festat lokale në  natyrë, bregdet, etj, duke memorizuar kujtime të bukura nga Shqipëria dhe shijuar argëtimin nëpërmjet çdo aktiviteti që ka ofruar vendi ynë, nëpërmjet aplikacionit TEA “Eventet turistike të Shqipërisë”, një nismë  e Ministrisë së Turizmit dhe Agjencisë së Turizmit .

Sava Lena