Eksportet bujqësore shqiptare të vitit 2023
2023-12-01 11:15:29

Eksportet bujqësore drejt BE-së (Foto ATSH)

Eksportet bujqësore drejt BE-së (Foto ATSH)

“Ushqimet, pijet dhe duhani” përbëjnë nënsektorin që ka pasur ecurinë më premtuese të eksporteve shqiptare këtë vit. Vetëm në korrik 2023, në kulmin e sezonit turistik të verës, ky grup produktesh i rriti eksportet me gati 20 përqind.

Politikat e mbështetjes ndaj fermerëve, bujqësisë dhe zhvillimit rural, kanë  nxitur prodhimit vendas, rritjen e cilësisë dhe të standardeve për produktet “Made in Albania”, që po konkurrojnë për cilësinë e lartë edhe në tregjet me kërkesa të larta dhe me vlerë të madhe të shtuar të Evropës dhe më gjerë, si Gjermania, Austria, Spanja, etj.

Rritja e prodhimit vendas ka dhënë ndikim edhe në përmirësimin e bilancit tragtar për bujqësisë, duke shënuar rënie të importeve. Sipas INSTAT, gjatë 8-mujorit janar-gusht 2023, importet e grupmallrave “Ushqim, pije, duhan” shënuan ulje me 3.7 përqind.

Specialisti Ilir Pilku në intervistë për CMG

Specialisti Ilir Pilku në intervistë për CMG

Eksportet bujqësore janë shtuar, pavarësisht zhvlerësimit të euros ne tregun e këmbimit të Shqipërisë. Edhe pse rënia e euros ne tregun shqiptar po ndikon pak në zhvlerësimin e të ardhurave të eksportuesve shqiptarë të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale, qeveria shqiptare ka ofruar mbështetje për eksportuesit, në rast se do të lindë nevoja. Specialisti i lartë i bujqësisë, Ilir Pilku komenton këto eksporte në intervistë për Grupin  Mediatik të Kinës (CMG)

CMG: Sipas Ministrisë së Bujqësisë, eksportet bujqësore gjatë 10-mujorit janar-tetor 2023 u rritën në 46.3 miliardë lekë eksporte ose 445 mln euro, nga 41.1 miliardë lekë, ose 395 mln euro, që ishin në të njëjtën periudhë një vit më parë. Çfarë tregojnë për ju këto shifra?

Ilir Pilku: Duke gjykuar mbi realitetin e shifrave, do të thoja që ne kemi humbur tregje ndërkombëtare. Arësyeja e vetme e rritjes që unë mendoj, është se ne kemi patur një tipologji gjatë këtij viti. Kemi patur një eksport prej afërsisht 7 mijë tonë vaj ulliri. Me dhjetëra herë më shumë se në vitin 2022. Me një vlerë financiare rreth 30-35 milionë euro.

Por kjo nuk do të ndodhë më. Duhet ta themi me plot gojën që ishte një mundësi e mirë, në bazë të kushteve klimaterike, por edhe faktorëve negativë të tregjeve evropiane kryesisht, si Spanja, Italia dhe Portugalia. Prodhimi i tyre më i pakët ndikuan që ne të kemi një kërkesë më të madhe për eksportin tonë të vajit të ullirit.

Këto eksporte tonat, nga ana tjetër janë kryer në mënyrë të pastandardizuar. Duhet ta themi këtë. Pra, vaji i ullirit është eksportuar në tankerë, i paambalazhuar në shishe për t’u konsumuar në supermerkate dhe i paçertifikuar.

Eksportet bujqësore krahasuar me vitin 2022 (Foto Ministria e Bujqësisë)

Eksportet bujqësore krahasuar me vitin 2022 (Foto Ministria e Bujqësisë)

Kjo, ngaqë ishte një nevojë e momentit e tregjeve evropiane. Ndërkohë, për ato produkte që ne kemi avantazhe konkurruese dhe kemi patur vitet e e fundit një rritje të eksporteve të tyre, si për shembul, produktet e serrave, ne shohim këtë vit një rënie në eksport.

Kjo është ajo diferenca, e cila na bën të mendojmë që në politikat e tij, shteti ka nevojë për një ridimensionim të politikave për bujqësinë shqiptare, në mënyrë që të përcaktojmë avantazhet konkurruese të produkteve tona.

Kuptohet që jo me të gjitha produktet e serrave ne mund të konkurrojmë në tregjet evropiane, por të paktën ne duhet të përqëndrohemi në një numër produktesh, tek të cilat kemi avantazhe më të larta se sa fqinjët tanë.

Kemi një rritje të sipërfaqes së serave, rreth 2,100-2,200 ha. Në pesë vitet e fundit kemi patur rreth 25 përqind sipërfaqe me sera. Pra, ne duhet ta kemi sa më shumë në vëmendje këtë lloj prodhimi bujqësor, për një treg sa më të mirë dhe për një fitim të mirë të fermerëve nga shitjet e tyre.          

Eksportet bujqësore (Foto ATSH)

Eksportet bujqësore (Foto ATSH)

 CMG: Qeveria po nxit formalizimin e fermerëve. Kërkon që në çdo skemë ku ata aplikojnë, të jenë të rregjistruar në organet tatimore. Në gjykimin tuaj, si ka shkuar ky proces dhe a po i ndihmon ai eksportet bujqësore?

Ilir Pilku: Dua ta them me plot gojën që midis detyrave të biznesit bujqesor dhe detyrave të shtetit, biznesi bujqësor i ka kryer detyrat e tij.

Kemi 97 mijë e treqind fermerë të rregjistruar me NIPT në tatime. Është një shifër shumë e lartë, që nuk mendohej se do të arrihej. Për këtë arësye, kërkohet që edhe shteti të bëjë detyrat e veta, të rrisë buxhetin për fermerët. Kjo është ajo që unë mendoj se duhet të ndodhë.

Patjetër që ka gjithmonë hapësira për përmirësime edhe në rolin dhe aktivitetin e fermerit. Ka nevojë për përmirësime, sikurse e ka cilësuar edhe Raport Progresi i Bashkimit Evropian për Shqipërinë i vitit 2023. Kontabiliteti i fermës duhet të përmirësohet dhe të vendoset në funksion.

Kjo i takon në rradhë të parë, si template, format shtetit që ta ndërtojë dhe fermerët ta zbatojnë. Kjo është ajo që doja të thoja.  

   CMG: Ndër objektivat e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për vitin 2024, të publikuara kur doli projektbuxheti i vitit 2024 për këtë ministri, është parashikuar zgjerimi i hartës së eksporteve, ndërkohë që ju me të drejtë thoni se kemi humbur tregje. Besoj se kjo do të jetë për eksportet tona bujqësore sfida më e fortë për vitin e ardhshëm, apo jo?

Ilir Pilku: E tërë bujqësia shqiptare, në të gjithë zinxhirin e saj të vlerës, ndodhet përballë një sfide shumë të madhe. Pavarësisht kërkesës së produkteve nga tregjet evropiane, mendoj se ne sapo kemi kaluar procesin e mbikqyrjes (në anglisht “screening process”) të Kapitullit 11 të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian. Ekipi ynë në Bruksel sapo e ka kaluar këtë proces. Kemi dalë mirë dhe kemi marrë “Diplomën Bachelor”.

CMG: Urime! Vërtet ia vlen.

Ilir Pilku: Por nuk është kaq. Duhet të marrësh edhe “Master”-in. Që do të thotë se do të kalosh në një proces më të madh mbikqyrjeje. Do të kesh detyrime më të mëdha, standarde më të larta dhe do të fillojë edhe procesi i kuotave, pra i tavaneve të prodhimit për produkte të caktuara.

Prandaj dhe them se kemi nevojë të bëjmë një ripërmasim më të mirë të politikave tona bujqësore, një ristrukturim më të mirë të tyre. Kuptohet që thelbi janë standardet.

Duhet të mendojmë që do të eksportojmë tashmë jo vetëm në vendet e Ballkanit, ku jemi lider për prodhimet bujqësore në sera dhe në fushë të hapur, por edhe në tregjet perëndimore.

Kjo kërkon një angazhim shumë të madh të strukturave shtetërore, të kontrolleve dhe inspektoriateve të caktuara. Nga ana tjetër, edhe fermerët duhet të kenë parasysh që kanë një detyrim shumë të madh, për të plotësuar standardet e prodhimit.  

 

Eksportet bujqësore (Foto Koha Jonë)

Eksportet bujqësore (Foto Koha Jonë)

CMG: Buxheti i shtetit 2024 për bujqësinë, rrit me një të katërtën jo vetëm masat e ujitje-kullimit, por edhe masat për sigurinë ushqimore, për çertifikimin e produkteve dhe akreditimin e laboratorëve që i kontrollojnë ato. Si ju duket kjo qasje?

Ilir Pilku: U përballëm me një rënie të paparashikuar të buxhetit, prej 8 përqind. Duhet të kemi parasysh se kemi strategji zhvillimi të miratuara. Kemi programin e qeverisë 2021-2025, ku theksohet se duhet të kemi 70 milionë euro subvencione në vit për bujqësinë. Këtë nivel nuk e kemi arritur as në vitin 2021, as në vitin e kaluar dhe as tani në vitin 2023.

Ndërmjet strategjive zhvilluese dhe realitetit ka një diferencë të ndjeshme. Për më tepër që procesi i mbikqyrjes nga ana e Bashkimit Evropian dhe detyrimet që na lindin prej tij, kërkojnë buxhete më të mëdha.

Duhet fonde më shumë për institucione të caktuara, për laboratorët që Ministria e Bujqësisë ka në varësi, e kështu me rradhë institucionet e saj të kërkimit shkencor. Kemi dhe një sërë ligjesh që tashmë janë përafruar me Acquis Communautaire të Bashkimit Evropian, por duhet të zbatohen.

 CMG: Cili është opinioni juaj për Paketën Fiskale 2024 për bujqësinë, e cila përjashton nga TVSH importin e kafshëve të racës së pastër për riprodhim, bletëve dhe insekteve që zëvendësojnë pesticidet?

Ilir Pilku: Është një fillim shumë i mirë. Duhet ta themi me plot gojën që është një nismë, për aq kohë sa kemi një rënie drastike të blegtorisë në Shqipëri. Kemi thënë që në fund të këtij viti do të kemi 10 milionë turistë dhe një nga arësyet pse ata vijnë, përveç peisazhit të bukur, bregdetit dhe kulturës sonë tradicionale e monumenteve historike, është edhe ushqimi ynë tradicional. Këto duhet të gjitha të lidhen zinxhir.

Unë e vlerësoj këtë pjesë të paketës fiskale. Kemi nevojë për një përmirësim racor, pse kemi rendimentin ndër më të ultit në Evropë, me vetëm 3 mijë litra qumësht për një lopë në vit, ndërkohë që mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian është 7,000-7,200 litra qumësht në vit. Paketa do të ndihmojë në këtë përmirësim racor.

Ndërkohë që përdorimi i insekteve, lufta biologjike përmes insekteve, për të mbrojtur bimën, mendoj se është një nismë e mirë. Ajo i përqaset Axhendës së Parisit 2030 për objektivin e 50 përqind më pak të përdorimit të pesticideve.     

 

CMG: Cila është problematika e sotme e mprehtë e eksporteve bujqësore? A janë dëmtuar ato nga rënia e vlerës së këmbimit të euros në tregun tonë?

 

Ilir Pilku: Patjetër që eksportet tona bujqësore janë dëmtuar nga rënia e euros. Megjithatë, unë nuk do të shikoja një ndikim të madh, pasi nuk jemi më në periudhën e Pandemisë nga Covid-19 dhe post-Pandemisë, ku kishim një vlerë të lartë të inputeve bujqësore.

Ajo që do të thoja është domosdoshmëria sot e rritjes së standardeve. Ne duhet të kalojmë në një fazë më të lartë, në lidhje me përdorimin më të kufizuar të kimikateve, mbajtjen e shënimeve në fermë dhe kryerjen e analizave të duhura, në mënyrë që të mos kemi problematika në eksportet, pra kthim të kamionëve dhe alarmi në sistemin e detektorëve në doganat e vendeve të Bashkimit Evropian për produktet tona, lidhur me praninë në një nivel të palejuar të pesticideve.

Nga ana tjetër, duhet që Ministria e Bujqësisë të forcojë dhe të shtojë gamën e preparateve dhe reagentëve që ajo përdor në laboratorët e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare(ISUV).

Instituti duhet ta themi se, bazuar në projektet që ka realizuar në kuadër të mbështetjes nga Bashkimi Evropian, sot ka nga pajisjet më moderne në laboratorët e tij.

Megjithatë, ne duhet të rrisim numrin e prepararateve të akredituara në këtë Institut. Pra, shteti jo vetëm duhet të buxhetojë fonde më shumë, por edhe duhet të jetë fleksibël, pasi reagentët kërkojnë prokurime të shpejta dhe pa reagentët e duhur, nuk kemi analiza që çertifikojnë produktet tona për në tregjet evropiane.  

CMG: Një prognozë tuajën, për ecurinë e eksporteve bujqësore gjatë këtij fundviti dhe gjatë vitit 2024.

Ilir Pilku: Unë shprehem gjithnjë me nota pozitive, sepse lexoj, studjoj dhe analizoj kërkesën e tregjeve evropiane dhe botërore, e cila është në rritje. Kushtet klimaterike, ndryshimet dhe ngrohja globale, shkrirja e akullnajave kanë bërë që toka bujqësore në botë të zvogëlohet, ndërkohë që shtimi i popullsisë ka sjellë që kërkesa nga viti në vit për produkte bujqësore të rritet me 2 përqind. Kjo është ajo ne duhet të na bëjë më të vetëdijshëm, më të zgjuar dhe më efiçientë, në mënyrë që të përfitojmë nga kërkesa e tregjeve.

Patjetër që produktet e shportës, për të cilat ne karakterizohemi, do të jenë në kërkesë gjithnjë e më të lartë. U takon politikave bujqësore shqiptare të shtetit tonë, që të vendosen në pozicion sa më të mirë, për të plotësuar nevojat e tregjeve dhe për të rritur standardet e produkteve bujqësore që ne eksportojmë.

 

Intervistoi Fatos Çoçoli