Kinë, hapja me nivel të lartë ofron mjedis më të mirë për investimet e huaja
2023-12-01 17:10:52

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Sivjet është 45-vjetori i zbatimit të Reformës dhe Hapjes së Kinës. Falë përpjekjeve të pandërprera, Kina tani është bërë një nga tregjet më tërheqëse për ndërmarrjet industriale të vendeve të ndryshme, të cilat kanë bërë investime të vazhdueshme në këtë treg, që ka zinxhirin më të plotë industrial në botë.

 

Në Ekspozitën e 3-të Ndërkombëtare të Importit të Kinës (CIIE) që u zhvillua në tetor 2023, Kina shpalli që do të hiqen të gjitha kufizimet për lejimin e hyrjes së investimeve të huaja në sektorin e prodhimit, me synim që të tërhiqen më shumë investime të huaja në Kinë dhe të krijohet mjedisi më lehtësues për biznesin ndërkombëtar.

 

Ky, sipas analistëve, është një sinjal i fuqishëm që Kina po i hap më shumë dhe me vendosmëri më të madhe dyert e saj, dhe do të konsolidojë më tej besimin e investitorëve të huaj te tregu kinez.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kompania amerikane “Corning” ka hapur zyrën e parë të shitjeve në Kinë në vitin 1980. Qysh nga ajo kohë, “Corning” ka bërë investime të vazhdueshme në sektorë të tillë si xhamat për ekrane e për automjete dhe pajisjet për kontrollin e lëshimit.

 

Presidentja e degës së “Corning”-ut në Kinë, Liu Zhifei, u shpreh: “Prej 40 vjetësh, kemi dëshmuar jo vetëm zhvillimin e vrullshëm të tregut kinez, i cili ka treguar elasticitet të fortë dhe gjallëri kolosale, por edhe kemi marrë pjesë në procesin e rritjes së këtij tregu të madh.”

 

Presidenti i grupit gjerman BMW në tregun kinez, Jochen Goller, u shpreh që Kina është jo vetëm tregu më i madh i BMW-së në botë, por edhe një burim i rëndësishëm inovacioni. Sipas tij, BMW-ja ka ndërtuar sistemin më të madh të kërkimit dhe digjitalizimit jashtë Gjermanisë.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Në fakt, hapja e mëtejshme në sektorin e prodhimit nuk është thjesht një vendim administrativ nga qeveria kineze, por është bazuar te gjendja konkrete e rritjes së qëndrueshme dhe të shëndetshme të investimeve të huaja në tregun gjigant të Kinës.

 

Në mes të nëntorit 2023, Ministria e Tregtisë e Kinës publikoi të dhënat, sipas të cilave në periudhën janar-tetor, janë regjistruar në Kinë 41 mijë e 947 ndërmarrje të reja me investime të huaja, 32.1 % më shumë se në të njëjtën periudhë në vitin 2022.

 

Po të shohim burimet e investimeve ndërkombëtare, Kanadaja, Britania, Franca, Zvicra dhe Holanda kanë shënuar përkatësisht rritje me 110.3 %, 94.6 %, 90 %, 66.1 % dhe 33 %.

 

Sektori i prodhimit është fusha që ka tërhequr më shumë vëmendje nga investitorët e huaj. Përdorimi real i investimeve të huaja në dhjetëmujorin e parë të vitit në këtë sektor ishte 283.44 miliardë juanë, 1.9 % më shumë se gjatë së njëjtës periudhë të një viti më parë. Ndër to, përdorimi real i investimeve të huaja në sektorin e prodhimit me teknologji të lartë ka shënuar rritje me 9.5 %.

 

Analistët janë të mendimit që sistemi i plotë industrial, përmasat e mëdha të tregut, gjallëria inovative dhe talentet e shumta janë epërsitë e veçanta të Kinës, çka jo vetëm ka tërhequr ndërmarrjet industriale të botës të vijnë për investime dhe biznes, por edhe ka ofruar një perspektivë të mirë për të ardhmen.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kryekezekutivi i kompanisë japoneze “Panasonic”, Yuki Kusumi, bëri të ditur në CIIE 2023 që kjo kompani ka zgjeruar vazhdimisht përmasat e investimeve në Kinë dhe “në tre vjetët e fundit, ka ndërtuar mbi dhjetë baza të reja në tregun kinez”.

 

Kryetari i bordit global të menaxhimit të kompanisë gjermane BASF, Martin Brudermüller, theksoi gjatë vizitës së tij në Kinë se sektori kinez i automjeteve ka kërkesa jashtëzakonisht të mëdha dhe për këtë arsye “uzinat e kompanisë BASF në Kinë po shtojnë nivelin e prodhimit dhe kjo gjendje parashikohet të vazhdojë në të ardhmen”.

 

Presidenti i grupit gjerman “Volkswagen” Ralf Brandstätter u shpreh në Forumin Botëror të Prodhimit se ai ka shumë shpresa për potencialin e kërkimit të Kinës.

 

“Uzina jonë e automjeteve elektrike në Anhui (të Kinës Lindore) do të vihet në punë. Kapaciteti maksimal mund të arrijë në 350 mijë në vit. Kjo është jo vetëm një bazë prodhimi, por edhe do të bëhet qendra jonë e re kërkimore dhe inovative në Kinë,” deklaroi presidenti i “Volkswagen” -it.

(Jiang Lei)