Agron dhe Maria Vuka
Agron dhe Maria Vuka janë vëlla e motër dhe kur i sheh nga afër kupton që mes tyre nuk ka asnjë dallim. Të dy të apasionuar pas artit dhe kulturës. Kanë punuar së bashku për të publikuar librin “Gjuha Hieroglyfike”, të cilin e cilësojnë si një zbërthim të gjuhës shqipe. Ndër të tjera ata tregojnë se sa shumë e duan Tiranën dhe sa të lidhur janë me këtë qytet. Agron Vuka përpara disa vitesh ka marrë pjesë edhe në kompeticionin “Italia’s Got Talent” ku mahniti jurinë me performancën e tij të vrapimit me hapa mbrapsht. Në studion e Radio Ejani Agroni dhe Maria rrëfejnë, jetën, karrierën dhe emocionin e botimit të librit të tyre të parë.
CMG: Agron, ju keni publikuar librin “Gjuha Hieroglyfike”, si lindi ideja për këtë libër?
Agron Vuka: Ky libër ka ardhur si një debat që unë kam pasur me veten, por edhe ata që më rrethonin të cilët flisnin për gjuhën dhe shumë gabime të saj, tek mënyra se si i shprehnin apo si i shkruanin. Kam bërë shume vite studime të mirëfillta për gjuhën për të kuptuar nëse po gaboj apo jam i drejtë në atë që po shkruaj dhe vendosa ta publikoj këtë libër i cili është një udhërrëfyes për fjalet shqipe se si duhet të jenë disa prej tyre për të mos i shqiptuar gabim.
CMG: A mund të aksesohet ky libër nga të gjithë?
Agron Vuka: Absolutisht po, madje ky është një libër i cili mund të futet edhe ne kurrikula mësimore dhe mund të jetë një libër shumë i mirë që të udhëzojë nxënësit, për fjalë që ata i dinë apo i kanë mësuar gabim. Nuk është një libër që shfletohet, por kërkon përqëndrim për t’u lexuar me vëmëndje dhe për të mësuar prej tij. Ky libër në thelb është rregull gjuhësor për të shkruar më saktë.
Agron Vuka ne Italia Got Talent
CMG: Kur e keni kuptuar që jeni i apasionuar pas gjuhëve?
Agron Vuka: Faktikisht unë këtë gjë e kam kuptuar qëkurse kam qenë ende fëmijë, pasi kam mësuar gjuhë të ndryshme dhe kjo më ka dhënë mundësinë t’i kuptoj studioj ato. Të kesh njohuri mbi shumë gjuhë të botës është që të kuptosh nga pak të gjitha kulturat.
CMG: Po gjuhën kineze keni arritur ta zotëroni?
Agron Vuka: E kam filluar disa herë ta mësoj dhe jam ende në punë e sipër për ta zotëruar si gjuhë.
CMG: Në këtë rrugëtim jo vetëm të librit por në tërësi ju ka ndihmuar shumë edhe motra juaj
Agron Vuka: Unë e kam shprehur edhe herë të tjera që pa motrën time nuk do kisha suksesin që kam sot, qoftë me librin, qoftë me jetën në tërësi pasi ajo është një udhërrëfyes në jeten time, për çdo të mirë, gabim apo sukses që unë bëj. Nëse nuk do ishte motra do duheshin edhe katër vite të tjera që të publikoja këtë libër i vetëm.
CMG:Maria Vuka, vëllai juaj ju përmend gjithnjë, cili ka qenë kontributi juaj në këtë libër?
Maria Vuka: E vërteta është që meritat i takojnë atij, por unë kam qenë gjithmonë aty për të. Kam bërë kërkimet e thelluara që ai ka dashur dhe kam redaktuar tërësisht librin. Kërkimet nuk ishin të vështira sepse unë jam juriste dhe kjo ma lehtësonte punën. Vëllai ka bërë një punë gjeniale dhe ka pasur gjithmonë një intuitë në këtë zbulim. Ka bërë disa lidhje në shpjegim që unë i quaj si gjëra të rralla. Ai di shumë gjuhë dhe kjo e ka ndihmuar.
Agron dhe Maria Vuka te ftuar ne RTSH ( foto personale)
CMG: Ju shohim gjithmonë bashkë me njër-tjetrin. Keni qenë gjithnjë të pandarë?
Maria Vuka: Ne kemi kompensuar vitet që dikur kemi qenë larg, pasi kur isha e vogël isha e ndarë prej tij dhe kur ika pranë tij nuk u ndava më kurrë pasi rikuperova kohën.
CMG: Pse do ta rekomandonit këtë libër për lexuesit?
Maria Vuka: Nuk ka një pse, por janë disa. Është një libër që të ofron kulturë dhe njohuri mbi fjalën dhe kjo është e rëndësishme. Kur isha e vogël, vëllai mi shpjegonte që në atë kohë, dhe më fuste në një botë tjetër të hieroglifeve. Vëllai im ka dhunti për këtë gjë dhe ka një intuitë të mprehtë. Shume persona flasin gjuhë të ndryshme, por ai i studion gjuhët dhe i nxjerr rregullat dhe problematikat e tyre. Kjo e ka futur në një botë të veçantë. Njeriu ka disa skema nga të cilat nuk dalim dot, ndaj unë dhe vëllai kemi skema të ndërtuara tek vetja dhe gjërat i duam të rregullta.
CMG: Përpos gjithë këtyre arritjeve, ju mbani të njëjtin stil në veshje dhe ne dukje, madje edhe stilin e flokëve e keni njësoj
Maria Vuka:Për këtë na pyesin të gjithë, thjesht e duam shumë njëri- tjetrin dhe mendojmë se ky stil më kaçurrela na shkon të dyve dhe na tregon të veçantë.
Intervistoi Megi Latifi