Turizmi ndikon në rritjen e sektorit të verërave
2023-11-30 11:26:36

Verëra shqiptare (Foto Into Albania)

Verëra shqiptare (Foto Into Albania)

Efekti zinxhir i numrit të lartë të turistëve shtrihet në disa drejtime, jo vetëm në njësitë akomoduese turistike dhe ato të shërbimeve, por edhe tek prodhuesit apo tregtarët e verërave. Në një intervistë për Monitor, Rigers Kaçorri nga Kantina Arbri thotë se numri i vizitorëve këtë vit ka dalë jasht çdo parashikimi çka ka sjellë ndikim pozitiv në konsumin e verës.

“Unë mendoj që dy vitet e fundit sidomos viti që po mbyllim 2023 ka qenë viti më i mirë i turizmit në Shqipëri. Pra pjesa turistike, pjesa e vizitorëve, ka ardhur çdo vit në rritje por si kjo verë kur aq shumë turistë dhe dashamirës për të shijuar produktet shqiptare, verërat ka dalë jashtë çdo lloj parashikimi. Çdo ditë ka pasur vizita nëpër kantina, kërkesa për produkt vendas, vera ka qenë shumë e mirë, kanë qenë kërkesa të vazhdueshme, sidomos në periudha, nga maji deri në Sshtator, por kjo ka vazhduar në tetor dhe nëntor. Si asnjëherë më parë, ne kemi pasur në kantinë të paktën, vetëm në periudhën e verës mbi 3500 apo 3800 të huaj, pa llogaritur ata shqiptarë.  Kjo ka qenë të paktën në kantinën tonë dhe nuk ka ndodhur më përpara, duke parë trendin gjithmonë në rritje.”

Kantina Arbri (Foto Agroturizëm)

Kantina Arbri (Foto Agroturizëm)

I gjithë ky fluks vizitorësh kërkon edhe një përgatitje më të lartë.

“Pozitiv është sektori agropërpunues, prodhimi vendas, por sidomos agroturizmi në tërësinë e vet. Këta sektorë  duhet të jenë më të përgatitur për këtë fluks, për këtë bum turistik, pra duhet që situata të menaxhohet pak më mire, sa i përket  mikpritjes, e cila ka qenë, por  me rritjen e numrit të turistëve në disa vende ose zona nuk është menaxhuar”- shprehet Kaçorri

Për menaxhim më të mirë, sipërmarrësi jep edhe  sugjerime.

“Unë mendoj që një turizëm i mirë, është një turizëm i koordinuar që do të thotë, se duhet që të shtojmë stafet dhe të punojmë me pjesën organizative. Ne kemi parë sivjet në verë që ti kishe përgatitur 2 apo 3  vizita dhe ti ke pas dhe 5 vizita gjatë kësaj kohe. Kjo  bën që të mos kesh performancë në nivelin e duhur, sepse duhet më shumë kohë në nivel organizativ, gjë që pastaj varet se cili nga subjektet apo zonat.”

Rigers Kaçorri nga Kantina Arbri  thotë se prodhuesit shqiptarë duhet të përdorin pikat e forta që i bën të dallojnë nga të tjerët.

Rigers Kaçorri(linkedin personal)

Rigers Kaçorri(linkedin personal)

“Për produktin mendoj se  një i huaj që vjen në Shqipëri, ka nevojë që përveç ushqimit të provojë diçka ndryshe dhe Shqipëria ka fatin që ka disa varietete verërash që janë shumë të mira. Realisht ka shumë kantina shqiptare që prodhojnë verëra dhe varietete autoktone dhe turisti është ai që vendos që të degustojë një produkt vendas. Sepse një Merlot që prodhohet nga Shqipëria, mund ta gjejë në Francë një francez, por verën  Kallmet e prodhon vetëm Shqipëria, e gjen vetëm këtu. Ose një Shesh të bardhë, që prodhohet nga qendra e Shqipërisë, në veri por dhe në jug të Shqipërisë nuk e gjen as në Itali, as në Spanjë, por vetëm në Shqipëri. Kjo besoj do jetë ajo arma e fortë që ne duhet të bëjmë çmos që prodhimet tona të jenë sa më të mira dhe më me standarde të BE, që dhe kur të prezantohemi jo vetëm në Shqipëri por dhe jashtë të jenë të mira, por besoj kjo gjë i ka dhënë një suport shumë të madh sektorit.”- shprehet Kaçorri.

Si në çdo sektor edhe për prodhuesit e verërave sfidat janë të shumta si mungesa e fuqisë punëtore apo zhvillimi i inovacionit.

“Sfidat janë më të vërtetë të mëdha, duke nisur nga ngrohja globale që është më e madhja jo vetëm në sektorin e verërave por dhe të gjithë sektorëve agropërpunues. Një sfidë tjetër është  forca punëtore, që duke parë që disa fshatra po boshatisen kjo është një sfidë në vete.  Sa i përket klimës, është diçka që ne duhet ta kishim menduar më përpara, sepse na ka gjetur dhe pak të papërgatitur, por po bëjmë çmos që me anë të inovacionit dhe projekteve dhe investimeve që gjithsecili nga ne, të paktën që në vreshtë të jemi sa më inovativ, sa më të plotë me pjesën e punimeve, mos ta dëmtojmë tokën, të mos bëjmë pjesën e ndotjeve siç ka ndodhur vite më para, por të kalojmë tek pjesa inovative, të investojmë në vreshtë, në makineri që nuk ndotin ambientin dhe të bëhet një punë e mirë për brezat e rinj dhe për ti futur në punë sa më shpejt dhe këto sa më shpejt do ikin dhe do marrin eksperiencat dhe besoj që një vend duhet të punojë shumë që të mbajë të rinjtë e vet.”

Verërat(businessmag)

Verërat(businessmag)

Kujtojmë që Decanter World Wine Awards 2023, një nga konkurset më të mëdha dhe me ndikim në botë i verërave, në  rezultatet për verërat më të mira për vitin 2022 e renditi Shqipërinë mes fituesve me 4 marka vere. Rreth 74.000 shishe verë u dërguan nga 57 vende në Londër për gjykim. Vera shqiptare ka marrë 4 medalje: 3 bronzi dhe 1 argjendi.