Që nga kohërat e lashta në botën e artit, gratë ishin thjesht subjekt frymëzimi për artistët meshkuj. Edhe pse në realitet dëshmitë tregojnë se ka pasur femra piktore që nga Greqia e lashtë, kontributi i tyre në botën e artit mbeti në hije dhe nuk u njoh deri në shekullin e 16-të.
Vetëm pas periudhës së Rilindjes fillojnë të shfaqen figurat femërore. Për të mbërritur në ditët e sotme ku binomi artist-grua u forcua nga fundi i viteve 1960, në një epokë që vlerësonte ndryshimin dhe të drejtat civile. Në të njëjtën periudhë, u shfaq ajo që përkufizohet si “art feminist”.
Artistet e para femra u përpoqën të imponoheshin në skenë me veprat e tyre; me synimin për të rishkruar historinë dhe për të eliminuar stereotipet mbi dallimet gjinore, ata krijuan hapësirë në atë botë të rezervuar pothuajse ekskluzivisht për burrat.
Pikturat e realizuara nga artistet femra sillnin një këndvështrim të ndryshëm mbi shoqërinë, një këndvështrim femëror që synonte eliminimin e pabarazive gjinore dhe lirinë e shprehjes përmes formës dhe ngjyrës.
Në rubrikën tonë ne kemi radhitur 5 artiste që kanë sfiduar të gjitha paragjykimet dhe janë vendosur si piktore të talentuara që nga koha kur peneli konsiderohej pronë e meshkujve deri më sot.
Andromaqi Zengo Antoniu - Foto GA
Andromaqi Zengo Antonio
Androniqi Zengo, lindi më 26 maj të vitit 1913 ishte piktore dhe ikonografe shqiptare. Ajo ndoqi studimet e larta në “Shkollën e Arteve të bukura”, në Athinë me rezultate të shkëlqyera. Më vonë u specializua në Paris. Me mbarimin e shkollës u kthye në Shqipëri për të punuar si mësuese në Institutin femëror “Nëna Mbretëreshë “ në Tiranë. Ekspozitën e saj të parë personale me 60 punime, e hapi në vitin 1937, me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë.
Në Arkivin e Galerisë Kombëtare ruhen mbi 50 punime, portrete dhe peizazhe, midis të cilave: “Autoportret”, si dhe “Peizazh i Pogradecit”, etj. Që në moshë të re u mor me pikturimin e ikonave në kishat shqiptare. Nga punimet e saj në këtë fushë përmenden, punimet në Kishën e Drenovës, në Kishën e Ungjillizimit në Tiranë. Ajo njihet në këtë fushë nga të paktat artiste që vijuan artin e ikonografisë dhe femra e parë ikonografike.
Sofia Papadhimitri- Autoportret - foto GA
Sofia Zengo Papadhimitri
Sofia Zengo Papadhimitri konsiderohet si një nga ikonografet dhe piktoret më të mira shqiptare. Lindi më 19 mars 1915. E lindur në Dardhë, ajo mësoi fillimisht të pikturojë me të atin dhe motrat e saj pranë kishave të zonës së Korçës. Studimet e larta i kreu pranë Akademisë së Arteve të Bukura në Athinë, e drejtuar në rrugëtimin e saj nga piktorët më të njohur të kohës.
Në vitin 1941 kthehet në atdhe, ku i kërkon qeverisë së atëhershme të punonte në detyrën e mësueses së vizatimit në Shkollën Femërore të Korçës. Së bashku me të motrën, ikonografen dhe piktoren po aq të njohur, Androiniqin, çelën në Tiranë një ekspozitë të përbashkët pikture. Në vitet 1945 dhe 1947, Sofia rivjen me ekspozita të reja për dashamirësit e arteve figurative. Piktura e saj dallohen për ndërtime me plane të mëdha, për ngjyrat e ngrohta e të thella. Ndërkohë në Muzeumin Mesjetar në Korçë, gjenden 5 ikona të punuara prej saj, të realizuara me nivel të lartë artistik. I shoqi, skulptori Akile Papadhimitri, ka shërbyer si krahu i saj i djathtë, në vijim të ushtrimit të profesionit të ikonografes.
Safo Marko- foto Kult Plus
Safo Marko
Safo Çela lindi në vitin 1925 dhe shte pjesë e artistëve të rëndësishëm grafistë të shekullit të XX-të në artin pamor shqiptar. Ajo kreu shkollën e mesme në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë”, Tiranë, por nuk arriti ta mbaronte vitin e fundit pasi u lidh me lëvizjen antifashiste Nacional-Çlirimtare. Pas martesës me shkrimtarin Petro Marko, u njoh si Safo Marko. Duke patur pasion pikturën Marko bashkëpunoi menjëherë pas çlirimit në disa organe të shtypit dhe të propagandës së viteve 1945-1960. Më tej rreth viteve ’70 ajo do të ishte piktore në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, Tiranë.
Artistja ka realizuar gjatë krijimtarisë së saj mbi 1000 kopertina librash si dhe ka qenë një nga piktoret kryesore ilustratore të revistave për fëmijë “Fatosi”, “Pionieri”. Në gjininë e Pllakatit ajo ka realizuar me dhjetra e dhjetra pllakate për festat popullore, për ngjarje të rëndësishme politike si festimet e ndryshme me karakter politik, social, kulturor dhe propagandistik.
Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë ruhen njëzet vepra të artistes Safo Marko. Vepra të artistes ruhen në familjen Marko si dhe nga koleksionistë të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj.
Liljana Çefa - foto Konica
Liljana Çefa
Lindi në Shkodër dhe jetën bashkë me krijimtarinë e saj i lidhi përjetësisht me këtë qytet. Pasi kreu studimet për arte figurative, çel të parën ekspozitë përsonale të sajën në vitin 1967, ekspozitë e përbërë nga 40 piktura. Ky evenimet ishte hapi i parë i një udhe në të cilën do të linte gjurmë me dhjetra të tjera.
Një fakt interesant është se nga viti 1962 deri në vitin 1990, punimet e saj kanë qenë pjesë e të gjitha ekspozitave që ka organizuar Galeria Kombëtare. Përpos tyre, ka marrë pjesë në ekspozita të çelura nga Galeritë e Francës, Italisë, Turqisë, Kinës, Kosovës dhe Malit të Zi.
Përpos ekspozitave, ajo ka punuar dhe vijon të punojë si mësuese pikture. Piktorë të shumtë të dy brezave të fundit kanë kaluar ndër duart e saj.
Lumturi Blloshmi - Autoportret - GA
Lumturi Blloshmi
Piktorja Lumturi Blloshi lindi në Tiranë në vitin 1944. Jeta e saj u trondit që në fëmijëri, kur ajo ishte vetëm 2 muajshe dhe babai i saj u rrëmbye pa lënë gjurmë nga sistemi i asaj kohe për fatin e tij nuk u mësua më asgjë. Kjo ndikoi në qasjen e sistemit ndaj familjes dhe vetë Lumturisë si “armiq të popullit”, apo edhe në karrieren e saj në vitet e mëvonshme. Gjatë vitit ’74, Lumturisë nuk iu rinovua leja për krijimtari artistike nga “Lidhja e Shkrimtarëve”, gjë që çoi në një ndërprerje pothuajse 10-vjeçare të karrierës së saj si piktore. Megjithatë, artistja arriti t’i shmanget presionit të kohës duke u fokusuar tek tematikat që kishin në qendër peisazhin dhe natyrat e qeta. Në fillim të viteve ’90, Blloshmi bëhet pjesë e atyre artistëve shqiptarë që i dhanë frymëmarrjen e parë artit modern dhe postmodern. Ajo ishte ndër të parët që përdori performancën dhe instalacionin në Shqipëri. Lumturi Blloshmi shpesh nga kritika është vlerësuar si "Frida Kahlo" shqiptare.
Neritana Kraja