Buxheti 2024 në bujqësi, prioritetet
2023-11-29 11:36:57

Ministrja Denaj (bujqesia.gov fb)

Ministrja Denaj (bujqesia.gov fb)

Buxheti i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për vitin 2024 është parashikuar të jetë 14.18 miliardë lekë dhe sipas përfaqësuesve të qeverisë mbështet ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme për bujqësinë shqiptare. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj thekson se buxheti 2024 për bujqësinë mbështet 9 programe zhvillimore në të gjithë sektorët e saj si për: Rritjen e pagave; Zgjerimin e hartës së eksporteve për bujqësinë, blegtorinë e peshkimin; Përmirësimin e infrastrukturës së Ujitje-Kullimit;Fuqizimin e sigurisë ushqimore; Rritjen e Financimit nga Skema Kombëtare e Mbështetjes; Menaxhimin e qëndrueshëm të tokave bujqësore përmes digjitalizimit; Këshillimin dhe rritjen e asistencës për fermerët”.

Në një intervistë për mediat Ministrja e Bujqësisë e nis nga ndryshimet që ka pësuar skema e mbështetjes së fermerëve ndër vite, për të treguar fokusin e vitit që vjen.

“Nevojat gjithmonë në rritje edhe në raport me skemën nacionale kanë çuar në efektivitet të skemës. Ne kemi pasur në 2014 një skemë të drejtpërdrejtë me 1 miliardë lekë dhe mbështesnim 8 mijë fermerë, ndërsa sot kemi 5.2 miliardë lekë dhe mbështesim 65 mijë fermerë. Sigurisht që po të ketë më shumë do mbështesja por ka edhe një nevojë tjetër të kuptohemi. Gjatë kësaj periudhe është formalizuar shumë ekonomia në raport me niptin e fermerëve, por ne duam të shkojmë në ndërmarrje dhe prandaj flasim për bashkim operatorësh. Nëse flasim për skema që ndihmojnë bashkimin e operatorëve, nëse materializohet si produkt i rëndësishëm, mund të shkojë për projektbuxhetin afatmesëm, por jemi duke e parë si një produkt për ta vendosur në tavolinën e qeverisë përgjatë vitit tjetër.”- tha Denaj

Buxheti bujqesi (bujqesia.gov.al)

Buxheti bujqesi (bujqesia.gov.al)

Denaj shprehet e kënaqur me buxhetin e vitit të ardhshëm.

“Unë jam e kënaqur që çdo vit flasim për rritje të të ardhurave të përgjithshme dhe këtij viti nuk do t’i mungonin dhe jam shumë e bindur, që duke menduar nga vijnë të ardhurat, nuk vijnë nga taksat, dhe fakti që miradministrimi po jepte rritje dhe ekonomia në rritje janë dy tregues shumë të mirë që këdo ministër. Ndërkohë flasim për shpenzime buxhetore, të cilat fokusohen në masën e 35% në shtresa sociale, flasim për të paktën rritje unë e përmenda 400 miliardë lekë rritja e pagave sepse mos të harrojmë, të punësohesh sot dhe të paguhesh denjësisht me një pagë mesatare siç e ka deklaruar kryeministri Rama, në 900 euro dhe me këtë aspektin e administratës publike, konsolidohet dhe vendosja e një buxheti prej 400 milionë dollarësh është i rëndësishëm, por dhe fakti që punonjësit të ndjehen mirë.”

Qëndrimeve kritike për rritje të taksave në paketën e re fiskale, Denaj i përgjigjet me fakte duke i mohuar.

“ Nëse flasim me buxhet shifrat janë aty. Unë po të marr paketën fiskale dhe nuk ka asnjë rritje taksash edhe pse nga FMN ishin parashikuar disa TVSH në arsim, mjekësi, të cilat ishin parashikuar që në planin e rritjes në afat mesëm. Ne thamë nuk jemi në atë orientim sepse duhet të shikojmë produktet gradualisht, kemi 0 rritje të taksave në raport me produktet të cilat opozita i sjell në vëmendje sepse i ka lexuar në një raport, por nuk i ka lexuar në atë që është projekt buxhet. Në raport me bujqësinë ne morën disa lehtësi dhe unë jam shumë e kënaqur por duhet të garantoj që miradministrimi fiskal është dhe duhet të jetë në fokus të administratës tatimore dhe kjo vlen në këtë projektbuxhet.”

Në intervistën për Klan News, Ministrja Denaj tha se në fokus të qeverisë janë edhe pensionet.

“ Pensionistët nuk kanë marrë më pak vëmendje por është një produkt indeksimi. Unë më parë duke qenë ministre financash kam folur që duke patur një numër të konsiderueshëm të pensionistëve të cilët arrijnë në 717 mijë dhe duke menduar që skema kontributeve dhe sa kanë paguar më para dhe aq do të marrin, gradualisht sipas një formule. Ne duhet të mendojmë sot se sa duhet të jetë pensioni nesër dhe sa do të jetë bazë mbi të cilën paguhen të ardhurat e skemës, janë më të vogla dhe buxheti i shtetit subvencionon një pjesë të konsiderueshme të skemës. Indeksimi është formula për të mos iu kthyer një formule që duhet të bënte reformën e 2014 nga e para. Në vitin më të vështirë pas pandemisë, kemi indeksuar në 2022, në 9.5 %, në momentin që u rrit inflacioni, e kaluam dy herë indeksimin.”

Menaxhimi kanaleve (bujqesia.gov fb)

Menaxhimi kanaleve (bujqesia.gov fb)

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se  në buxhetin e vitit 2024 parashikohen 250 milionë euro për indeksimin e pensioneve. Për të patur stabilitet në skemën e pensioneve, Ministrja Denaj thekson mirëadministrimin fiskal. Një rol në këtë drejtim kanë edhe  tregu I pensioneve private.

“ Tregu privat i pensioneve është një shtyllë e rëndësishme që vë njëfarë konkurrence, por nuk është ajo ku numri më i madh i pensionisteve apo i forcës së punës sot që të kthehet nesër në pensionistë të ndikohej, ndërkohë është një shtyllë e rëndësishme që zhvillon tregun. Ne duhet të kuptojmë që të gjithë të punësuarit në Shqipëri, dhe sa më shumë zhvillojmë ekonominë, dhe rrisim punësimin dhe në ekonominë rurale ku është sektori më informal që ekziston. Pashë shifrat dhe sa është rritur paga mesatare në sektorin e ekonomisë bujqësore, dhe kishte shkuar në 8 vite nga 32 mijë lekë, në 41 mijë lekë pra tregon që vetëm paga minimale e ka çuar drejt rritjes, ose është e nënpaguar ose ne ankohemi për mosgjetjen e punëtoreve në fushë do të thotë që kemi bërë diçka gabim dhe këtu nuk dua të kritikoj asnjë sipërmarrës, por dua t’i ftoj të mos ankohen dhe që të paguhesh është detyrim dhe të kesh mundësi ta mbash atë biznes shumë gjatë dhe të kesh mundësi që atë punë, të mos ta lësh për ta marrë dikush tjetër, por ta shijosh vetë.”- theksoi Denaj.

Në buxhetin e vitit që vjen janë parashikuar edhe  2.55 miliardë lekë për menaxhimin e infrastrukturës së ujitje-kullimit me fokus përmirësimin e ujitjes në rreth 8000 hektarë tokë bujqësore; rehabilitimin dhe ndërtimin e 10km argjinatura kryesisht në lumenj, për mbrojtjen nga gërryerja dhe përmbytja e tokave bujqësore dhe investime emergjente në mbrojtjen e digave.