Libri i fundit i shkrimtares Yang Benfen “Douzi Zhima Cha”/ foto nga "China Daily"
Në moshën 83-vjeçare, Yang Benfen ka botuar së fundi librin e saj të katërt, “Douzi Zhima Cha” (Çaj me sojë e susam), një vepër mbi fatin e njerëzve që ka takuar në jetë, duke përfshirë fqinjin, shokun e klasës, kolegun dhe anëtarët e familjes.
Yang, e cila ka qenë fermere, kontabiliste dhe punëtore në një kompani transporti automobilash, arriti të siguronte jetesën dhe të mbështeste familjen e saj për pjesën më të madhe të jetës, pa pasur kohë për të realizuar ëndrrën e saj për të lexuar libra dhe për të marrë më shumë arsimim.
Por kur doli në pension dy dekada më parë, ajo vendosi të shkruante histori për të ëmën, si një mënyrë për të përballuar pikëllimin e humbjes së saj. Pasi i postoi tregimet e saj në internet, ato tërhoqën vëmendjen e lexuesve.
Në moshën 80-vjeçare, ajo botoi librin e saj të parë “Qiu Yuan”, i cili ka një vlerësim prej 9 pikësh nga 10 në faqen e rishikimit “Douban”. Pas suksesit të arritur, ajo botoi “Fu Mu”, “Wo Ben Fen Fang” dhe tashmë librin e fundit “Douzi Zhima Cha”, të gjitha vepra reale rreth jetës dhe vdekjes së njerëzve të zakonshëm që ajo ka takuar gjatë jetës së saj.
Ajo ka fituar një duzinë me çmime letrare, si dhe janë shtypur pothuajse 1 milion kopje të tre librave të parë.
Sipas Yang, çaji i farave të susamit është një pije tradicionale në qytetin e saj të lindjes në provincën Hunan të Kinës qendrore dhe u ofrohet gjithmonë mysafirëve. Libri i ri është si një filxhan me çaj susami që ajo dëshiron t'u ofrojë lexuesve, thotë ajo.
Yang Benfen autografoi kopjet e librit të saj “Douzi Zhima Cha” për lexuesit në qytetin Miluo të provincës Hunan të Kinës Jugore në shtator / foto nga "China Daily"
“Ajo që më intereson janë vetëm histori të njerëzve të thjeshtë, të cilët duken si pa emër. Ata kanë luftuar në përrenjtë e jetës, kanë ardhur në këtë botë dhe janë larguar në heshtje. Këta njerëz përfshijnë nënën, babanë, vëllezërit e motrat, fqinjët dhe veten time”, thotë ajo.
Libri i ri është i ndarë në dy pjesë. E para përmban histori të tre grave - një gruaje të moshuar që i pëlqen të mbledhë mbeturina, një punëtore që donte të ikte nga dhuna në familje, por nuk ia doli, dhe një fermere që humbi burrin e saj në moshë të re.
“Këto gra injorohen aq lehtë në shoqëri sa romancieret mund mos t’u kushtojnë vëmendje atyre. Por unë dua t'i përshkruaj, pasi ato përfaqësojnë jetën e vërtetë të grave të zakonshme kineze. Ato janë të gjalla dhe elastike, të formuara nga vështirësi të panumërta. Ato janë larg nga perfekte, por një papërsosmëri e tillë prek njerëzit”,- thotë Yang.
Yang Benfen në shtëpinë e saj në qytetin Nanchang të provincës Jiangxi të Kinës Jugore / foto nga "China Daily"
“Vdekja e tyre do të thotë të largohet edhe një pjesë e vetes tënde. Vdekja jo vetëm që merr jetën, por kur të dashurit e tu vdesin, ata marrin edhe një pjesë prej teje. Kur shkruaj, ndjej se impenjohem së tepërmi për të provuar t’i mbaj me vete ata që dua dhe të largoj ndjenjat e dëshpëruara të humbjes”, thotë Yang.
Pas një operacioni të dështuar në gju disa vite më parë, Yang ka pasur dhembje të shpeshta. Vetëm për disa ditë në muaj, kur dhembja lehtësohet, ajo arrin të gjejë kohën për të shkruar diçka.
Duke qenë se qetësuesit që merr kanë një efekt anësor në shikim, ato ia vështirësojnë edhe shkrimin. Por ajo ende këmbëngul të shkruajë dhe tani po shkruan për dhembjen.
“Dhembja vjen me plakjen. Është e tmerrshme dhe e gjatë. Të bën të ndihesh i pafuqishëm, por duhet ta durosh. Të largosh ndjenjat e dhembjes dhe të plakesh është një mënyrë për të rezistuar. E di që qeniet njerëzore janë të destinuara të dështojnë në një rezistencë të tillë, por duke u përpjekur kështu, ata shfaqin vlerën dhe vullnetin e tyre”,- thotë Yang