Klima: Do të zhvillohet në Dubai COP28, Kina fokusohet te veprimet konkrete
2023-11-29 11:13:56

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Në fund të nëntorit do të zhvillohet në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe Konferenca e OKB-së mbi Ndryshimet Klimatike (COP28). Në këtë konferencë do të bëhet rishikimi i parë pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Parisit, gjë që ka rëndësi të veçantë për sa i përket çështjes së klimës.


Zëdhënësi i MPJ-së kineze Wang Wenbin u shpreh në një konferencë për shtypin të zhvilluar në Pekin që Kina vlerëson lart rolin e Emirateve të Bashkuara në nxitjen e zhvillimit me karbon të ulët dhe të bashkëpunimit global në përballimin e ndryshimeve të klimës.


“I dërguari i posaçëm i kryetarit Xi Jinping, zv.kryeministri kinez Ding Xuexiang, do të marrë pjesë në samitin COP28. Kina do të mbështetë bashkë me të gjitha palët e tjera rolin e Emirateve të Bashkuara dhe, me rastin e rishikimit global, do të fokusohet te veprimet konkrete, te forcimi i masave mbështetëse dhe te ndërtimi i një sistemi të qeverisjes globale  të klimës të barabartë, të arsyeshëm dhe me përfitime të përbashkëta,”tha Wang. 


Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ditët e fundit, në Emiratet e Bashkuara është përuruar një central fotovoltaik i ndërtuar nga kompani kineze. Emiratet e Bashkuara që është vendi kryetar i COP28 u shpreh që ka rëndësi të madhe për zhvillimin e samitit COP28. Lidhur me këtë, Wang Wenbin vuri në dukje që ky është centrali fotovoltaik me një njësi të vetme më i madh në botë dhe është një projekt i rëndësishëm i energjisë së gjelbër në kornizën e “Një brez, një rrugë”. Sipas njoftimeve, ky central mund të furnizojë energji elektrike për 200 mijë familje dhe çdo vit mund të pakësojë me 2.4 milionë tonë lëshimin e karbonit. Kështu, në strukturën energjetike të Emirateve të Bashkuara, energjia e pastër do të zërë më shumë se 13%.


“Ne mbështesim Emiratet e Bashkuara që të zhvillojnë një konferencë të suksesshme. Kina do të vazhdojë të nxitë integrimin e thellë të ndërtimit të Rrugës së gjelbër të Mëndafshit me Agjendën për Zhvillim të Vazhdueshëm 2030 të OKB-së, do të thellojë bashkëpunimin praktik në infrastrukturën e gjelbër e energjinë e gjelbër dhe të japë kontribut më të madh për zhvillimin e gjelbër e me karbon të ulët të palëve të ndryshme,”u shpreh Wang Wenbin. 


Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres theksoi të hënën që në konferencën COP28 liderët e vendeve të ndryshme të botës duhet medoemos të ndërmarrin veprime për të dalë nga rrethi vicioz i ngrohjes globale, për të shmangur që ndryshimet klimatike të arrijnë "pikën fatale".


Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ai tha para mediave që javën e kaluar kishte parë që akulli në Antarktik po shkrin me një shpejtësi "jashtëzakonisht tronditëse", tre herë më shpejt se në fillim të viteve '90 të shekullit të kaluar. "Ndryshimet që ndodhin në Antarktik kanë jo vetëm ndikime lokale. Ne jetojmë në një botë të ndërlidhur. Shkrirja e akujve detarë do të thotë ngritje e nivelit të detit, çka do të kërcënojë drejtpërdrejt jetën dhe mjetet e jetesës së banorëve bregdetarë në mbarë botën.”


Guterres theksoi nevojën që deri më 2030 të trefishohet përdorimi i energjisë së përtëritshme, të dyfishohet efektiviteti energjetik dhe të gjithë njerëzit të përdorin energji të pastër.


Konferenca COP28 do të zhvillohet nga 30 nëntori deri më 12 dhjetor në Dubai. (Jiang Lei)