Pano Ceka: Të rinjtë sot duhet të kthehen te leximi
2023-11-29 09:51:59


Pano Ceka 

Pano Ceka ka mbaruar studimet në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës në degën multimedia dhe TV digjital. Ai është angazhuar me organizata të shoqërisë civile dhe aktivitete kulturore në qytetin e Durrësit dhe Tiranës, në fushën e gazetarisë dhe moderatorit te aktiviteteve. Bashkë me mikun e tij të ngushtë Griseld Hoxha ka themeluar një organizatë për të rinjtë e qytetit të Durresit, “Youth in Progress” ku kanë zhvilluar aktivitete të ndryshme me të rinjtë durrsakë. Pano është vlerësuar me tituj dhe certifikata nga shoqëria civile dhe organizata të ndryshme. Gjithashtu ai mban titullin “Ambasador i angazhmit në komunitet” nga qendra Durrësi Aktiv dhe “Ambasador i Paqes” nga Federata Universale e Paqes. Së fundi ka botuar një libër me poezi me titull “Të Rastësishme. Ka moderuar Festivalin e Napolit në Shqipëri  dhe është angazhuar në ambasada të ndryshme në rolin e PR-it për shkëmbimet kulturore Shqipëri- Balllkan. Pano mban pozicionin e këshilltarit në kabinet në një prej institucioneve të drejtësisë në Shqipëri. Në një intervistë për Radio Ejani Panoi Ceka tregon për studimet e tij në fushën e medias, angazhimin në shoqërinë civile si dhe aktivitetet e realizuara me të rinjtë në qytetin e Durrësit.

Pano Ceka ne interviste per CMG

CMG: Pse zgjodhët të studionit në fushën e multimedias dhe teknologjisë?

Pano Ceka: Multimedia që kam studiuar në hapat e parë e pashë si një formë zhvillimi, që kryesisht e gjithë bota po shkonte drejt teknologjisë dhe zhvillimit. Kështu mendova që edhe unë të bëhesha pjesë e kësaj ngjarje të madhe dhe të marr sadopak nga kjo, aty kuptova se zbulova sa më shumë te vetja sepse kisha akoma më shumë mundësi për të parë edhe terrenin rreth e qark.

CMG: Keni qenë i pasionuar pas medias që në kohën e gjimnazit?

Pano Ceka: Unë kam qenë i pasionuar që në vitet e para në gjimnaz kur rashë në kontakt me librin. Në fakt me librin kam rënë në kontakt më herët, por ishte gjimnazi ai që më dha përgjegjësinë e një lexuesi dhe kuptova privilegjin e një gazetari, ku akoma po vazhdoj ta plotësoj veten sepse është një rrugëtim që nuk mbaron. Gazetari është i vetmi person që di të vërtetën dhe ajo e vërtetë duhet të dish ta punosh, sepse duhet një jetë e tërë për ta thënë dhe ta nxjerrë që të tjerët ta kuptojnë në formën e një bashkëbisedimi me lexuesit.

Gjate nje aktiviteti me te rinjte e oganizuar nga Youth in Progre

CMG: Eksperiencat tuaja në fushën e medias dhe shoqërisë civile kanë nisur qëkur ishit student apo pas studimeve?

Pano Ceka: Në vitin e parë të gjimnazit isha anëtar i më shumë se dy organizatave si “Save the Children”, ku isha pjesë e projekteve. Gjimnazi në atë kohë bashkëpunonte me OSBE-në për studentët dhe të rinjtë. Pastaj pashë se në Tiranë kisha më shumë perspektivë, dhe u bëra anëtar i “Balkan Youth Council” prej një viti e pak, ku kisha pozicionin e këshilltarit të kryetarit për zhvillimin e projekteve që ne bënim me të rinjtë me mentorë të ndryshëm, gazetarë, në fushën e jurisprudencës dhe inxhinierisë. Aty kuptova që kisha akoma pjesë të pazëllit të paformuar. Pas zhvillimit tim me këto organizata në Durrës bashkë me një mikun tim Griseld Hoxhën morëm iniciativën të krijonim një organizatë për të rinjtë e Durrësit, pasi pamë se i gjithë Durrësi po vinte në Tiranë dhe thamë se pse mos t’i japim mundësi të tjerëve që ta zhvillojmë në Durrës, për të mos kaluar në rrugët që kaluam ne. Kështu që bashkë me Griseldin hapëm organizatën “Rinia në progres” ku kemi dy vjet që organizojmë aktivitete kryesisht sociale dhe sensibilizim qytetar për edukatën civile.

CMG: Cilat kanë qenë projektet që keni realizuar me organizatën “Rinia në progres”, dhe si janë pritur aktivitetet tuaja nga qytetarët e Durrësit?

Pano Ceka: Aktivitetet tona kanë qenë shumë modeste, pasi ne merreshim me detajet e formimit civil. Kryesisht shkonim tek shtëpia e fëmijës për t’i dhënë një ditë ndryshe, tek azili i të moshuarve për të marrë më shumë një memorie sesi ka qenë rinia e tyre dhe sesi është rinia sot. Aty kuptuam se këta që janë këtu sot dikur i kanë shërbyer këtij vendi dhe kanë dhënë diçka për këtë vend dhe tani ne duhet të marrim se çfarë kanë bërë ata dhe ku kemi ngecur ne që të vazhdojmë përpara.

Pano Ceka gjate akordimit te titullit Ambasador i Paqes 

CMG: Mendoni se Durrësi i sotëm është një qytet rinor dhe ka aktivitete për të rinjtë?

Pano Ceka: Durrësi ka të rinj e të reja, bashkëpunues dhe bashkëpunuese, por ajo që unë mendoj se është problematika kryesore jo vetëm në Durrës, por në çdo qytet të Shqipërisë është menaxhimi i keq civil dhe thyerja e mospranimit të formës më të mirë në moshën më të mirë. Pra besueshmëria që ne i japim rinisë, frika që ata mos e bëjnë gabim apo frika që këta të rinj të ecin përpara, sepse duke e çuar hapa mbrapa detyrimisht duhet të sforcohen. Durrësi ka poetë të mrekullueshëm, ka shkrimtarë, kemi detin që na frymëzon. Mendoj që si në Durrës ashtu dhe në gjithë Shqipërinë duhet të jetë një menaxher i mirë social, që t’i sjellë rinisë dhe njëherë frymën për sensibilizim dhe t’i japë akustikën e duhur për të dëgjuar zërin e rinisë.

CMG: Keni botuar një libër me poezi dhe ke gati një tjetër. Si lindi pasioni për letërsinë dhe të shkruarit?

Pano Ceka: Marrëdhënia me letërsinë, poezinë dhe bashkëpunimi është një mënyrë jetese sepse ne duhet të përpiqemi ta edukojmë veten. Unë kryesisht jam autor i ri dhe tani po punoj për librin e dytë. Libri im i parë është me poezi të rastësishme dhe vetë libri është titulluar “I rastësishëm”, pasi mendoj se rastësia është ajo që formon detajen dhe e kthen në civilizim. Kryesisht letërsia, poezia dhe të rinjtë janë gjithmonë ata që kanë nevojë për bashkëpunim. Mendoj se të shkruash, të eksperimentosh veten dhe të njohësh njeriun brenda vetes mosha më e mirë është fillon nga gjimnazi deri në fakultet, që është dhe mosha e sprovës.

Pano Ceka gjate nje aktiviteti 

CMG: Cili është stili juaj poetik?

Pano Ceka: Unë futem tak ata shkrimtarë që ulem buzë rrugës dhe shikoj itenerare të ndryshme lëvizjesh kundrejt njerëzve dhe përpiqem që të kap detajet dhe mënyrën e të kundërtave dhe të përbashkëtave. Kryesisht jam tek psikologjia, sociologjia, filozofia sociale, dhe një nga poezitë që unë kam marrë çmim ishte “Jeta dhe vdekja” e cila është një poezi e shkurtër.

CMG: Si është pritur nga lexuesi libri juaj i parë me poezi?

Pano Ceka: Libri i parë është pëlqyer nga ato pak njerëz, por të paktën mendova se ata që e pëlqyen ishin ata që me të vërtetë e lexuan. Kështu që në bazë të kërkesave dhe asaj që unë pashë në vetvete mora iniciativën për të shkruar një libër të dytë, tentova përsëri të rrezikoj.

CMG: Besoni se ka lexues të vërtetë nga ata që e marrin librin?

Pano Ceka: Ka lexues, por lexuesit e vërtetë janë ata lexues që shprehen vetëm në marrëdhënie me librin. Nuk mund të jap një mendim që janë apo nuk janë, por mund të them që është një volum i mirë poetësh dhe shkrimtarësh përsa kohë që ne shikojmë që panairi po zhvillohet çdo vit dhe po nxjerrin botime nga më të ndryshmet. Njëkohësisht besoj faktin se fatkeqësia më e madhe është se të gjithë dinë të shkruajnë dhe të lexojnë në të njëjtën kohë, duke besuar që ka artistë shumë të mirë, por ka dhe segmente të tjera që zënë radhë për të marrë atë që ne themi sot lexues.

Pano Ceka me Kryetaren e Bashkise Durres 

CMG: Si duhet të jetë një model i mirë i një të riu sot?

Pano Ceka: Unë mendoj që të rinjtë, kryesisht mosha 19-24 vjeç kufizohen nga koncepti moshë dhe jo nga koncepti prodhim. Mendoj se thjesht duhet të njohin veten, që të arrijnë të kuptojnë se për çfarë janë në komunitet dhe mos të prishin diçka që nuk e sjellin dot. Të rinjtë sot duhet të kthehen te leximi, duhet të gjejnë kohën për t’u marrë dhe me ata njerëz që kanë shkruar dhe kanë dhënë diçka, për të dhënë diçka në zhvillim.

CMG: Keni menduar që pas studimeve universitare këtu të shkoni për studime të tjera apo dhe për punë jashtë vendit?

Pano Ceka: Kur unë arrita që të kem një karrierë këtu në Shqipëri dhe të krijoj çdo gjë nga asgjëja, mendoj se kufijtë nuk janë ata që na pengojnë për të njohur veten. Europa, perëndimi apo lindja dhe çdo kontinent tjetër është për të na shërbyer dhe për t’i shërbyer, ku ne të marrim më të mirën e mundshme nga ai vend. Nuk them se duhet të largohemi për të mos u kthyer më kurrë se këtu nuk morëm asgjë, por nga kjo asgjëja ti je pjesë e saj për ta ndërtuar sepse nuk ke konkurencën dhe perimetrin që je i huaj.

 Të rinjtë duhet të eksperimentojnë jashtë vendit, për të marrë atë që i mungon këtij vendi. Mendoj se të rinjtë duhet të kenë eksperienca për ta provuar veten, për ta njohur vetminë dhe punën, për ta njohur marrëdhënien reale sesi është një qytetar i devotshëm. Njeriu duhet ta sfidojë veten dhe ta shohë unin brenda vetes, dhe më e mira e mundshme është për t’u larguar dhe për t’u rikthyer.

Pano Ceka me personalitete te artit dhe kultures gjate nje aktiviteti

CMG: Flasim për eksperiëncën tuaj si këshilltar në institucionet shtetërore të vendit.

Pano Ceka: Është një eksperiencë fantastike pasi jam gjithmonë në profilin e alternativave, sepse këshilltarët japin gjithmonë alternative  dhe e kam menduar si një pozicion që është i formatit tim, pasi nuk jam dikush që mban një përgjegjësi.

CMG: Cilat janë projektet tuaja në vazhdim?

Pano Ceka: Aktualisht kam projekt një bashkëpunim në Durrës me dy organizata në Tiranë. Në diapazon të gjerë kam projektin e një këshilli ballkanik të përfaqësuar nga fakultetet e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Shqipëria. Ky është një bashkëpunim kulturor-rinor për problematikat e ndryshme që ne kemi. Gjithashtu po merrem me një projekt tjetër që quhet “Parlamenti rinor ballkanik”, që kryesisht shkëmbejmë mendime, rrahim debate për të rikthyer edhe njëherë unin e forcës së pavarësisë së mendimit.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.

Pano Ceka: Uroj të jenë të gjithë mirë. Faleminderit për intervistën.

Intervistoi: Gazmend Agaj