Geri Ballo ka studiuar për marrëdhënie ndërkombëtare dhe ka punuar për shumë vite në Itali. Ka emigruar që në moshën 10-vjeçare atje dhe më pas ka vendosur të qëndrojë për të vijuar karrierën e saj në atë shtet. Ka lëvruar në shumë fusha por ajo që dëshiron dhe ka bërë me tepër përkushtim dhe dedikim ka qenë, mbështetja ndaj emigrantëve shqiptarë, të cilët kanë si problematikë marrjen e pensionit në shtetin italian. Geri gjithashtu ka vizituar nga afër kulturën Arbëreshe dhe e ka përhapur atë kulturë edhe më tej, duke u bërë urë lidhëse e kulturave të ndryshme brenda Italisë.
CMG: Keni ardhur nga Italia e bukur që ka mirëpritur shumë shqiptarë, të cilët kulturën shqiptare atje e kanë ruajtur më së miri dhe ju bëni pjesë tek këta persona. A mund të na tregoni kur keni ikur për herë të parë në Itali, si kanë qenë emocionet e para në nje vend të ri?
Geri Bello: Në Itali kam ikur kur isha fëmijë dhe kam qenë vetëm 10- vjeç. Ishte hera e parë dhe ishte një kontakt emocionues, kishte shumë gjëra të reja që unë nuk i kisha jetuar dhe nuk i njihja. Kisha një pjesë emocionesh lidhur me distancën nga Shqipëria dhe largësia, pasi familjarët i kisha lënë këtu. Janë të gjitha ato ndjenja që përjetojnë mërgimtarët kur lënë vendin e tyre, megjithëse isha fëmijë. Por i kam përjetuar të gjitha këto edhe pse fëmijë.
CMG: Si ka qenë fëmijëria juaj, marrdhënia me prindërit ndoshta edhe disa këshilla që kanë ndikuar tek ty përgjatë rritjes?
Geri Bello: Të gjithë kemi pika referimi të prindërve dhe të gjithë e kanë këtë. Një pjesë të fëmijërisë e kam kaluar me gjyshërit dhe mbaj mend disa pika referimi të gjyshit dhe shprehjet që kishte ai. Këshillat e tij kishin shumë rëndësi dhe kanë ndikuar tek mua si për shembull studimet dhe faktin që duhet të angazhohesha shumë për të arritur diçka në jetë. Ata janë kujdesur shumë për mua. Gjithashtu nuk dua të le pa përmendur mamin, e cila ka qenë një figurë shumë e rëndësishme dhe vazhdon të jetë. Këshillat e tyre më kanë shoqëruar gjithmonë. Kanë të bëjnë me të qënurit një person që ka disa parime që i çon deri në fund dhe angazhohet shumë për të arritur disa qëllime, siç është më se normale. Unë vij nga një famile e thjeshtë, ku secili ka punuar fort ditë pas dite për të arritur atë që ka dashur.
CMG: Më pas, nga sfidat tuaja si emigrante ju keni ndihmuar dhe suportuar të tjerët me çdo problematikë? Si ka qenë ndjesia?
Geri Bello:Ndjesia e parë ka qenë dëshira për të përmirësuar sadopak konditat dhe situatën e emigrantëve shqiptarë, një ndër to jam edhe unë. Pra, duke e nisur që nga familja ime në Itali është vertetë një ndjesi shumë e natyrshme. Ne përballemi me një sërë problemesh dhe të gjithë ata nga komuniteti që kanë disa përvoja dhe kompetenca. Këto vendosen në dispozicionin e të tjerëve në mënyrë që t’i ndihmojnë dhe të përmirësjnë dhe të tejkalojnë disa probleme. Italia është e afërt me shqiptarët, por natyrisht në 30 vjeçarin e emigracionit ka pasur mjaft probleme.
Në vitet e para ka pasur një stereotip për shqiptarët që nuk ishte i bukur. Ne jemi përballur me vite me këtë dhe të tregojmë me vepra një alternativë ndaj këtij stereotipi. Sot jemi në një tjetër fazë, por është arritur me shumë mundim. Krahas kësaj jam marrë me çështje sociale, me marrëveshjen e pensioneve Itali-Shqipëri që ka të bëjë me të drejtat e emigrantëve dhe kontributet në sistemin italo-shqiptar. Për mungesë të marrëveshjes emigrantëve tanë nuk u njihen këto kontribute dhe nuk mund të dalin në pension
CMG: A e cilëson si një mision suportin tuaj ndaj emigrantëve shqiptarë?
Geri Bello: Unë ndihmën e kam konsideruar pasion, ka qenë dëshira për të ndihmuar dhe për të dhënë një dorë. Mund ta quaj edhe një mision, natyrisht me përmasa njerëzore që ka secili prej nesh.
CMG: Na dërgo një ditë në rutinën tuaj?
Geri Bello: Unë nuk kam një rutinë të njëjtë, fjala rutinë nuk përshtatet me mua. Gjithashtu kam rutinë të ndryshme në secilin vend. Unë jetoj në Romë, ndërkohë lëviz shpesh në fshatrat arbëreshe të Kalabrisë. Një kohë më të gjatë e kaloj edhe në Tiranë, pra rutina ime është lëvizja. Komunikimi është një pjesë e rëndësishme për mua kaloj kohë duke bërë telefonata ku përpiqem të informohem. Këto element janë rutina ime në punë në Itali dhe në vende të tjera.
CMG: A ka qenë një rrugëim i vështirë, cilat janë disa nga momentet kyçe të jetës tënde?
Geri Bello:Ka qenë një rrugëtim i vështirë…do të thosha po. Mund ta nis me një vështirësi që e kam përjetuar personalisht, ndoshta si unë edhe shumë të tjerë. Një element i vështirë në Itali, procesi ku emigrantët bëhen qytetarë të atij vendi. Ky proces është shumë i vështirë edhe pse është pjesë e rrugëtimit. Prisja të isha shtetase italiane dhe për një arsye teknike dhe shumë banale, mu bllokua si proces. U gjenda në udhëkryq dhe e pa mbështetur nga institucionet italiane. E kam kaluar me përkrahjen e disa miqve italianë.
CMG: Si kanë qenë vitet e studimit?
Geri Bello:Vitet e studimit kanë qenë përkushtim i plotë. Kam njohur shqoqëri e kam pasur shumë të qartë që vetëm me studimin nuk mund të arrija diku nëse nuk do e pasuroja me elementë të punës. Kam pasur angazhime në punë sociale, në shoqata. Zhvillonim aktivitete në një periudhë të vështirë për shqiptaërt për të gjitha vlerat që përcjellim.
CMG:A e bën më të bukur një pjesë të Italisë kultura arbëreshe?
Geri Bello:Kultura arbëreshe është edhe italiane e ndërthurur me historinë dhe kulturën e atij vendi.Arbëreshët kanë qenë edhe protagonistë të Rilindjes Italiane dhe kanë qenë kontribues në shtetformimin italian. Me ligjin italian janë të njohur si pakicë gjuhësore në vitin ’99. Kultura e tyre vlerësohet, por nuk promovohet aq sa duhet.
CMG:Si reagojnë italianët kur prezantohesh se vjen nga Shqipëria?
Geri Bello: Kjo ka ndryshuar me kalimin e viteve, kanë ndryshuar shumë gjërat. Jemi në një fazë ku të harrojmë të kaluarën, edhe pse është e vështirë nga gjërat që kemi përjetuar. Herë pas here ka pasur habi, por gjithashtu stereotipi ekzistonte. Por, kohët e fundit ka ndryshuar edhe për shkak të turizmit.
CMG:Të merr malli për Tiranën që vjen kaq shpesh?
Geri Bello: Tirana është një kryeqytet, i cili po ndryshon vazhdimisht. Ndonjëherë duhet të kapim fazat e ndryshimit dhe është shumë energjik. Ka aspekte që na tërheqin. Tirana është e pasuruar me shumë elementë, kjo është shumë e bukur.
CMG: Cilat janë synimet e papërmbushura profesionale?
Geri Bello: Ka shumë, nuk arrij dot të kem një listë të plotë. Një pjesë e tyre ka të bëjë me komunitetin arbëresh. Po mbyllim procesin e marrëveshjes së pensioneve që në fund të vitit shpresojmë të kryhet. Një tjetër është rrjetëzimi i arbëreshëve, pra lidhja e mërgatës së vjetër me të renë.
Intervistoi Megi Latifi