Sot Shqipëria feston 111– vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Më 28 nëntor të vitit 1443 Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ngriti flamurin kombëtar në kalanë e Krujës. Ndërsa, më 28 nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar në Vlorë ku shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Data 28 nëntor shënon pavarësinë e kombit shqiptar dhe në këtë ditë kaq të veçantë, janë të shumta aktivitetet që organizohen jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj, kudo ku ka shqiptarë. Të gjithë të veshur kuq e zi, të rritur e fëmijë janë mbledhur sot së bashku brenda dhe jashtë vendit për të kënduar, vallëzuar e festuar në këtë ditë kaq të veçantë, që i bën bashkë të gjithë shqiptarët kudo ndodhen. Sheshi Skërderbej këtë herë duket duket mjaft bukur, falë aktiviteteve madhështore të organizuara këtë vit me rastin e 111-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ku nuk mungojnë flamujt kuq e zi,si dhe këngët patriotike.
Parada e shqiptarëve Albanian roots (Foto Balkan web)
Atmosfera e festës këtë vit do të mbetet gjatë në memorien e të gjithë shqiptarëve. Në kuadër të javës kombëtare u organizuan shumë aktivitete kulturore në mbarë vendin, në kuadër të 28 nëntorit, ku për herë të parë Tirana mikpret Paradën e Shqiptarëve, në bashkëpunim me “Albanian Roots", për të festuar të gjithë së bashku 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë në Sheshin Skënderbej. Aty mbahet eventi festiv ‘Rrënjët Kuq e Zi’. Këtë vit janë pjesëmarrës mbi 125 bashki nga trojet shqiptare, bashkë me arbëreshët e Italisë. Gjithashtu të shumta kanë qenë edhe aktivitetet e zhvilluara me fëmijët në qytete të ndryshme të vendit si nëpër çerdhe, kopshte dhe në shkollat 9-vjeçare. Janë ata që gëzojnë më tepër, teksa i sheh të qeshur duke kënduar e recituar në aktivitetin e përgatitur për këtë feste të veçantë të vitit.
Për mikrofonin e Radio Ejani fëmijët flasin për festimin e përvjetorit të Pavarësisë
CMG: Përshëndetje! Si quhesh?
Lea: Unë quhem Lea.
CMG: A organizuat festë me klasën tuaj dhe çfarë përgatite këtë vit?
Lea: Ne si klasë këtë vit organizuam një festë me këngë e me valle.
CMG: Po ti çfarë interpretove?
Leal: Unë këndova këngën “Rreth flamurit”.
CMG: Do e këndosh këngë edhe për Radio Ejani?
Foto nga facebook
Lea: Po, patjetër!
Një tjetër nxënëse, që flet për ne është Kiara
CMG: A përgatitët festë këtë vit me klasën tuaj për 28 nëntorin?
Kiara: Po. Ne mësuesja na ka mësuar shumë këngë edhe vjersha për festën e 28 nëntorit.
CMG: Po ti çfarë interpretove?
Kiara: Unë këtë vit mësova një vjershë.
“Ky flamuri ynë, me ngjyrat kuq e zi,
valëvitet i lirë sot në Shqipëri.
Kjo ngjyra e kuqe, gjakut shumë i ngjan,
për këtë luftuan partizanët tanë”.
Edhe Henri ka dëshirë të flasë për Radio Ejani
CMG: Si e festuat me klasën tuaj festën e Pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntorin?
Henri: Ne me klasën e 2-të, shkuam për 28 nëntorin në muze.
Foto nga facebook
CMG: Ishit te Muzeu Historik Kombëtar? Çfarë pe ti aty?
Henri: Aty ne pamë shumë gjëra. Kishte shumë njerëz të famshëm nga historia e Shqipërisë. Gëzuar 28 nëntorin!
Festës së 28 Nëntorit, që cilësohet si një nga festat më të mëdha të shqiptarëve, përveç aktiviteteve të shumta, i janë kushtuar edhe shumë këngë nga artistët shqiptarë. Disa nga këngët që artistët tanë zakonisht i këndojnë gjatë festave të nëntorit janë mjaft të pëlqyera si nga të rriturit, ashtu edhe nga fëmijët.
Kënga ‘Xhamadani’ e kënduar nga grupi ‘Ilirët’, e cila është përpunim i këngës ‘Kam një lot’ të këngëtares, Shkurte Fejza është njëra nga këngët që këndohet shumë përgjatë festave shqiptare dhe është një këngë mjaft e pëlqyer nga publiku. Edhe projekti tjetër muzikor që mbetet i pëlqyer nga populli shqiptar me rastin e 28 Nëntorit është këngë ‘Kuq e zi’ e kënduar nga Meda, Sinan Hoxha dhe Seldi, e publikuar në vitin 2011. Kënga e realizuar nga Hekuran Krasniqi në vitin 2019 e titulluar “28 nëntori kuq e zi”, ka patur mjaft sukses, e cila ka ardhur nën interpretimin e shumë artistëve të njohur të skenës si, Hekuran Krasniqi, Dardan Gjinolli, Enkelejda Arifi, Selvete Bajrami, Agim Tejeci, Jehona Shaqiri, Hysni Alushi, Erik Lloshi, etj. Gjithashtu Sabri Fejzullahu dhe Sinan Vllasaliu kanë interpretuar këngën “Shqipëri etnike” që mbetet mjaft e ndjekur. Por projekti muzikor ‘Kuq e zi, je ti’, nga Elvana Gjata dhe Flori Mumajesi, e publikuar në vitin 2015, vazhdon të mbetet si një nga këngët më të dëgjuara, më të pëlqyera sidomos në atmosferën e festës së 28 nëntorit.
Sava Lena