Kryediplomati shqiptar merr pjesë në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s në Bruksel
2023-11-28 15:09:12

Foto Rtsh

Ministri shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, do të marrë pjesë në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s, i cili do të zhvillohet në selinë e NATO-s në Bruksel, më 28 dhe 29 nëntor, njofton “RTSH”.

Ky takim shërben për të bërë një pasqyrim më të gjerë të agjendës së NATO-s, ndërsa aleanca po fokusohet në prioritetet kryesore dhe arritjet në kuadër të 75-vjetorit të saj, që përkon dhe me mbajtjen e Samitit të Uashingtonit në korrik 2024. Gjatë qëndrimit në Bruksel, ministri Hasani pritet të ketë edhe takime dypalëshe me homologë të vendeve anëtare si Turqia, Belgjika, Çekia, Danimarka, Estonia etj.

Pas përfundimit të ministerialit të NATO-s, ministri Hasani do të udhëtojë për në Shkup, për të marrë pjesë në Ministerialin e Ministrave të Jashtëm të OSBE-së, më 30 nëntor-1 dhjetor. (Fatosi)