
Foto nga CFP
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, viziton Brukselin ku do të marrë pjesë në Takimin e ministrave të Jashtëm të Aleancës së Atlantikut të Veriut duke përfshirë takimin e parë të ministrave të Jashtëm të Këshillit NATO-Ukrainë, shkruan “ATSH”.
Në një njoftim të Departamentit amerikan të Shtetit thuhet se Blinken pritet të nënvizojë angazhimin e palëkundur të NATO-s ndaj Ukrainës. Po ashtu, ai do të theksojë mbështetjen e SHBA-së për demokracinë dhe stabilitetin rajonal në Ballkanin Perëndimor.
Gjithashtu, Blinken pritet të vizitojë Maqedoninë e Veriut, ku do të marrë pjesë në një darkë joformale në Këshillin Ministror të shteteve anëtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), që mbahet në Shkup më 30 nëntor dhe 1 dhjetor. (Fatosi)
